Kërko

Vatican News
 Kardinali  Nguyen Van Thuan Kardinali Nguyen Van Thuan  

Kardinali Van Thuan: njeri i shpresës e dëshmitar i Kryqit

Mungon vetëm mrekullia, për lumnimin e kardinalit vietnamez Van Thuan, që ndërroi jetë më 16 shtator 2002 në Romë, ndërsa kryesonte Këshillin Papnor “Drejtësi e Paqe”, pas 13 vjetësh kaluar në burgjet komuniste të vendit të tij. Postulatori i çështjes së lumnimit kujton: “Ungjillëzonte edhe në qelitë e errëta të burgut, ku rrezatonte dritë e shpresë”.

R. SH. - Vatikan

Ishte njeri që, edhe nga kryqi i vetmisë së burgut, diti gjithnjë t’u transmetojë dritë e shpresë vëllezërve. Me vetëdijen se Zoti po e thërriste  të ishte dëshmitar feje. Ungjillëzoi, çoi Meshë, bëri miq, këndoi, dha mësim, u përpoq gjithnjë t’i qëndronte besnik thirrjes së tij meshtarake”. Kështu e përshkruan kardinalin Francois-Xavier Nguyen Van Thuan, vdekur më 16 shtator, 18 vjet më parë, postulatori i çështjes së lumnimit, Waldery Hilgeman.

Trembëdhjetë vjet në burg, pa u gjykuar

Kardinali vietnamez vdiq në moshën 74 vjeçare, në Romë, pasi kishte shërbyer katër vjet si kryetar i Këshillit Papnor “Drejtësi e paqe” e 13 vjet - nga viti 1975, deri në vitin 1988 - në burgjet e regjimit komunist.  Kishte qenë për tetë vjet ipeshkëv i Nhatrang, në Vietnamin qëndror kur, më 23 prill 1975, pak ditë pas rënies së Saigonit, asokohe kryeqytet i Vietnamit të Jugut, Pali VI e emëroi kryeipeshkëv ndihmës të Saigonit. Si përfundoi lufta, komunistët e Vietnamit të Veriut, duke hyrë në Saigon, deklaruan se emërimi i tij ishte “fryt i një komploti të Vatikanit, në bashkëpunim me imperialistët, për të organizuar luftën kundër regjimit komunist”. Akuza tejet të dëgjuara nga fatzinjtë, që iu dogj jeta nën regjime të tilla. Sa qesharake tingëllojnë sot, por sa të rrezikshme e të hidhura ishin në kohën kur shqiptoheshin, kur hapnin dyert e burgjeve e përgatisnin plotonet e ekzekutimit, nën breshërinë e të cilave binin bijtë më të mirë të Kishës e të kombeve, kudo sundonte komunizmi! Kush dëshiron t’i mësojë hollësitë e martirizimit të të krishterëve në Vietman, mund të lexojë librin e shkruar nga vetë kryeipeshkvi i asokohshshëm, titulluar: “Pesë bukë e tre peshq”.

Kremtimi, sot, në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere

Kardinali Van Thuan,  shpallur i Nderuar nga Papa Françesku, në maj 2017, pas fazës dioqezane të çështjes së lumnimit, mbyllur në korrik 2013, u kujtua sot, në orën 09.30, në Bazilikën romake të Shën Marisë në Trastevere, me një kremtim eukaristik, kryesuar nga kardinali Kevin Farell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën, ndërsa homelinë e mbajti kardinali Peter Turkson, prefekt i dikasterit për Shërbimin e gjithanshëm njerëzor. Meshën e shoqëroi kori vietnamez i Romës.

18 shtator 2020, 10:48