Kërko

Vatican News
2019.10.19 Convegno promosso dalla Fondazione Ratzinger 2019.10.19 Convegno promosso dalla Fondazione Ratzinger  (Vatican Media)

Emri i Zotit, në sfidat aktuale: diskutojnë nxënësit e Benediktit XVI

Ritakohen, në ditët e fundit të shtatorit, Ratzinger Schuelerkreis, rrethi i ish-nxënësve të Benediktit XVI. Një seancë private e një publike, diskutim për Zotin.

R.SH. - Vatikan

Është “Zotëria im e Zoti im!(Gjn 20,28). Çështja  e Zotit në sfidat aktuale”, tema e takimit të sivjetëm të Ratzinger Schuelerkreis, rrethit të ish-nxënësve të Benediktit XVI. Takimi  do të zhvillohet më 25 e 26 shtator, përsëri si vitin e kaluar: me porta të mbyllura vetëm për ish-nxënësit; e me porta të hapura, për të nxitur edhe publikisht debatin, në të cilin do të marrin pjesë edhe tre kardinaj (Koch, Woelki e Ladaria).

Tema, e miratuar, si zakonisht, nga Benedikti XVI, është tejet aktuale dhe vijon rrugën e hapur nga Ratzinger Schuelerkreis këto vitet e fundit. Nxënësit e Benediktit kanë folur për Eklipsin e Zotit, Evropën, persekutimin e të krishterëve dhe marrëdhëniet Shtet-Kishë. Por edhe për temën e meshtarisë e të sfidave të saj. Madje tema e meshtarisë ishte më e rëndësishmja në studimin e Benediktit XVI mbi shpërdorimet. Sivjet vihet në qendër të vëmendjes Çështja e Zotit, temë qëndrore në mendimin e Benediktit XVI.

Seanca e 25 shtatorit
Tre - referuesit e seancës me porta të mbyllura të 25 shtatorit, në të cilën marrin pjesë anëtarët historikë të Ratzinger Schuelerkreis, por edhe ata të Shkollës së re. Kjo e fundit ka 30 anëtarë, jo vetëm katolikë por edhe ortodoksë, brezni e re e studiuesve, që nuk janë ulur në bankat e shkollës Ratzinger, por e kanë studiuar profesorin Ratzinger dhe e çojnë përpara trashëgiminë e mendimit të tij.

Referuesi i parë, Weimer
Referuesi i parë është Ludwig Weimer, anëtar i Schulerkreis, që ndoqi mësimet e Ratzinger pranë Universitetit të Regensburgut, duke mbrojtur tezën: “Feja e liria” në përfundim të studimeve, që zgjatën nga viti 1974 deri më 1979. Weimer ka edhe një lidhje tejet të veçantë me Joseph Ratzinger: që nga viti 1968 është teolog i Integrierte Gemeinde (Bashkësisë të jetës të integruar),  që i nisi hapat e para pas Luftës II Botërore dhe tmerreve të Shoah e që mbështet me forcë zanafillën hebraike të krishterimit. Kardinali Ratzinger  ishte i vetmi që e pranoi e, si kryeipeshkëv i Munihut, i miratoi ad experimentum, statutet e bashkësisë.

Referuesi i dytë: Sven Leo Conrad
Referuesi i dytë i seancës së 25 shtatorit  vjen nga Schuelerkreis e re e është Sven Leo Conrad, meshtar i Vëllazërisë meshtarake të Shën Pjetrit, vëllazëri meshtarësh, që kremtojnë një formë të jashtëzakonshme të ritit të lashtë, por që janë të bashkuar me Kishën e Romës. I specializuar në  liturgji, e bazoi tezën e doktoratit mbi “Teologjinë dhe Liturgjinë e Joseph Ratzinger”.

Referuesi i tretë.
Helmut Hoping, referuesi i tretë, është teolog dogmatik. Nga viti 2006 deri më 2014 punoi si këshilltar teologjik i Komisionit liturgjik të Konferencës ipeshkvnore gjermane.

Takimi publik
Takimi publik do të mbahet më  26 shtator. Viti i dytë që zhvillohet dhe një takim publik, i shumëdëshiruar nga anëtarët e Ratzinger Schuelerkreis, që tashmë kanë edhe statutin e tyre juridik. Takimi do të mbahet pranë Institutit Patristik Augustinianum pasdite, duke nisur nga ora 15.00. Do të hapet nga kardinali Kurt Koch, Kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, që nga viti i kaluar, koordinator i grupit të ri Schuelerkreis. Më pas do të ketë tre referate dhe një diskutim plenar nga profesor Achim Buckenmaier, drejtues i katedrës së teologjisë së popullit të Zotit, pranë Universitetit Papnor Lateranes. Përfundimet, nga kardinali Koch.

Takime, nisur në vitin 1977
Ish-nxënësit e Benediktit XVI mblidhen që nga viti 1977, kur profesor Ratzinger u emërua kryeipeshkëv i Munihut e Frisingës. Që kur hoqi dorë nga shërbesa papnore, Benedikti XVI nuk i kryeson më takimet e Schuelerkreis, siç bënte edhe kur ishte Papë.

10 shtator 2020, 11:48