Kërko

 Imzot Gallagher Imzot Gallagher  

Afërsia e Papës me Bjellorusinë: Imzot Gallagher në Minsk

Prej disa javësh Bjellorusia po kalon çaste të rënda tensioni. Opozita vijon t’i kundërvihet me forcë presidentit Lukashenko, duke e vënë në dyshim fitoren plebishitare të kreut të shtetit në zgjedhjet e kohëve të fundit. Nga Evropa vjen thirrja drejtuar palëve për të hapur dialogun. Në këtë atmosferë në Minsk arrin imzot Gallagher, për t’i dëshmuar Kishës katolike kujdesin atëror të Françeskut.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku i ndjek me vëmendje të veçantë ngjarjet, negative e pozitive, që e trondisin a e gëzojnë botën. Këto ditë ndjek posaçërisht situatën në Bjellorusi, prej disa javësh teatër ndeshjesh të ashpra ndërmjet presidentit Lukashenko e opozitës. E sot sekretari i Shtetit të Vatikanit  për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, ndodhet në Bjellorusi, për t’i dëshmuar Kishës katolike dhe mbarë popullsisë, shqetësimin e Atit të Shenjtë për fatet e vendit. Takim shumë i rëndësishëm ky, në këtë çast vështirësish serioze. Sipas programit, Prelati i lartë do të ketë  takime me autoritetet e Shtetit e edhe të Kishës.

Papa kërkon dialog dhe drejtësi për Bjellorusinë

Françesku nuk pushon kurrë së kërkuari paqe për mbarë botën. Kështu edhe në përshëndetjen që shoqëroi lutjen e Engjëllit të Tënzot të 16 gushtit të kaluar, mendimi i tij shkoi në Bjellorusi. Papa u ndalua  posaçërisht tek realiteti politik e shoqëror i vendit të dashur bjellorus, duke ia besuar popullin Virgjërës Mari:  

“Ndjek me vëmendje situatën pas-elektorale në këtë vend e bëj thirrje për dialog, për refuzimin e dhunës e respektimin e drejtësisë e të së drejtës. Ia besoj të gjitha problemet e bjellorusëve mbrojtjes së Zojës, Mbretëreshë e Paqes”.

Më 18 gushtin e  kaluar, në një situatë edhe më të ndërlikuar, Komiteti Ekzekutiv i Drejtësisë i ftoi gjithë të krishterët ta thonë “Atynën” për popullin bjellorus. Bota mbarë u lut përballë situatës aktuale, që po jeton Bjellorusia.

Ndalohet hyrja e imzot Kondrusiewitz në vend

Ndoshta imzot Gallagher nuk do të mund ta takojë Kryeipeshkvin e Minskut, imzot Tadeusz Kondrusiewitz, që  po i ndjek nga Polonia ngjarjet në Bjellorusi,  pasi  iu ndalua hyrja në atdhe. Më 31 gusht, kryeipeshkvi i Minskut dhe kryetar i ipeshkvijve katolikë në Bjellorusi, imzot Tadeusz Kondrusiewitz, ndërsa po kthehej nga një shtegtim në Poloni, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në kremtimet për nder të Zojës së Czestochow-ës, u ndalua në pikën e kufirit Kuznitsa Belostokskaja nga rojet, që nuk e lejuan të rikthehej në atdhe. Prelati iu drejtua besimtarëve të kryedioqezës së vet, duke u kërkuar të luten për rikthimin e tij sa më të shpejtë në Bjellorusi e për zgjidhjen paqësore të krizës së rëndë shoqërore e politike në vend.

12 shtator 2020, 11:27