Kërko

 Shenjtërorja e Ars Shenjtërorja e Ars 

Kardinali Parolin në Ars: shenjë hiri e inkurajimi

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, po e kalon 4 gushtin, ditë e kremtimit të festës së Shën Gjon Vianney (Vianej), në Ars, fshat në jug-lindje të Francës, që lidhet ngushtë me emrin e famullitarit shenjt, Pajtor i famullitarëve.

R. SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, po e kalon 4 gushtin, ditë e kujtimit liturgjik të Shën Gjon Maria Vianney, në Ars, në jug-lindje të Francës ku, duke nisur nga viti 1818, për 40-vjet me radhë kreu misionin e famullitarit, ai që mbeti në kujtesën e Kishës e të mbarë njerëzimit një herë si Famullitari Shenjt i Arsit, e më pas si “Shenjti pajtor i famullitarëve”. Në fshatin e vogël, asokohe me 230 banorë, famullitari i shkriu të gjitha energjitë në shërbim të besimtarëve të tij, të jetës së tyre e, sidomos, të shpirtit të tyre, duke u bërë shembull i jetës meshtarake. Paradite kardinali Parolin kryesoi Meshën në Shenjtëroren, ku pushojnë në paqe reliket e Shenjtit, që pret e përcjell çdo vit më se 450 mijë shtegtarë. Pasdite, pastaj, do të mbajë një takim me temë: “Papa Françesku dhe meshtarët, për udhë me popullin e Zotit”.

Programi i vizitës së Kardinalit Parolin

Gjatë kësaj vizite private, kardinali Parolin do të përurojë një itinerar, brenda shenjtërores, kushtuar kardinalit Emile Biayenda, kryeipeshkëv i Brazavilit, në Kongo, vdekur në vitin 1977, çështja e shenjtërimit të të cilit është në vijim. Figura e Prelatit kongolez lidhet ngushtë me shenjtëroren franceze që në kohën e studimeve të tij, kur ndiqte Institutin Katolik të Lionit. Asokohe shkonte rregullisht në Ars, për t’u thelluar në përshpirtërinë e Shën Gjon Maria Vianejt. Edhe pas rikthimit të tij në Kongo, vijoi të ndalohej te varri i Shën Gjonit, sa herë rikthehej në Francë.

Ripohim i vlerës universale të figurës së Famullitarit Shenjt

Është vizita e parë zyrtare e Sekretarit të Shtetit jashtë Vatikanit, që nga fillimi i pandemisë së Covid-19, me ftesën e rektorit të shenjtërores, që e jeton këtë prani si çast “hiri”! Çast, që ripohon domethënien universale të jetës së Shenjtit të Arsit, duke rikujtuar edhe viztën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit në Afrikë. E me të, edhe figurën e ndritur  të kardinalit Emile Biayenda, kryeipeshkëv i Brazavilit, në Kongo.

04 gusht 2020, 10:29