Kërko

Vatican News
  Stefano Zamagni, Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore Stefano Zamagni, Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore 

Ekonomia, e sëmurë, por mund të transformohet

Mirëqenia ekonomike, që i përfshin të gjithë, qendërsia e pasurive të përbashkëta, ndryshimi i rregullave të tregjeve financiare, prodhimi i vlerave shoqërore. Këto janë disa nga pikat konkrete, që i këshillon, në një intervistë, kryetari i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, të nesërmen e katekizmit të Papës, mbajtur në audiencën e përgjithshme. Edhe familja, në qendër të vëmendjes.

R. SH. - Vatikan

E fortë, jehona që patën fjalët e Papës, shqiptuar gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, lidhur me pasojat e “zhvillimit ekonomik të padrejtë”, që çoi tek “ekonomia e sëmurë”,  tek një botë, ku një grusht të pasurish kanë në dorë më shumë sesa mbarë pjesa tjetër e njerëzimit. E jo vetëm! Duke rikujtuar miliona fëmijët e botës, që  vdesin nga uria e që nuk kanë mundësi të shkollohen, Françesku e nxiti me forcë mbarë njerëzimin të përpiqet për të dalë më i mirë nga kriza. Pabarazitë shoqërore, rënduar nga pandemia, indiferenca dhe dëmet shkaktuar Krijimit, janë një kartë lakmusi e kësaj situate. E pikërisht tek pasuria e mendimit të Papës, në këtë katekizëm, ndalohet Stefano Zamagni, ekonomist, kryetar i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore:

“Papa dëshiron ta shërojë modelin e sotëm ekonomik nga sëmundja, që e ka mbërthyer. Eshtë në favor të rendit të tregut, por që sot nuk merret fare me “dy sëmundjet” e rënda”, të cilat i kujton Françesku. Shndërrimi nga brenda sot është plotësisht i mundshëm, duke vepruar në shumë fronte, që duhet të jenë konvergjente, duhet të ecin krah për krah. Prej kohe qe menduar se mjaftonte të shtohej pasuria, të shtoheshin të ardhurat kombëtare, për t’u  ndrequr, pastaj, gjithçka tjetër. E pamë çka ndodhi; të ardhurat u shtuan në nivel global, por njëkohësisht u shtua edhe pabarazia. Ja, atëhere, pika e parë - Papa propozon prosperitet gjithëpërfshirës, domethënë, që i përfshin të gjithë. E dyta është të punohet në mënyrë që të ketë harmoni ndërmjet ekuilibrit ekologjik dhe ekuilibrit të brendshëm. Në numrin 10 të “Lëvduar qofsh”, Papa flet për ‘paqe shpirtërore’...”

Atëhere, sipas Jush, si mund të drejtohen këto shtrembërime apo padrejtësi?

“Mjafton të mos mungojë dëshira, sepse në këndvështimin teknik kjo mund të bëhet. Së pari, duhen ndryshuar rregullat e funksionimit të tregjeve financiare. Financa është e sëmurë, sepse e bazuar mbi ligje të sëmura. Duhet që qeveritë të ulen me vullnet të mirë rreth një tryeze e të thonë: “T’i rishkruajmë kodet”. Për shembull, t’i mbyllin parajsat fiskale, sepse ato janë shkaku i parë i thellimit të pabarazive. Së dyti, duhet punuar në mënyrë që financa të vihet në shërbim të ekonomisë reale. Ndërsa sot bëhet e kundërta. Prej shekujsh financa punonte në ndihmë të sipërmarrjeve, të familjeve, të gjithë atyre, që kishin nevojë për mjete, e edhe për këtë duhet shkruar; mjaft më me  vetëvlerësim! Sepse financa nuk prodhon vlera shtesë (term që ka kuptimin e masës së rritjes së vlerës, që vërtetohet brenda prodhimit dhe shpërndarjes të të mirave e të shërbimeve, falë ndërhyrjes së faktorëve prodhues, duke u nisur nga burimet fillestare.) Kjo mund të tolerohet paksa, por kurrsesi në masën që ka sot, siç e vërtetoi  kriza 2007-2008, e edhe kjo, në vijim. Së treti, mjaft më me pohimin  se qëllimi i sipërmarrjes nuk është vetëm kulmi i fitimit; vetë sipërmarrësit amerikanë, në deklaratën e tyre të fundit, dhjetë ditë më parë, pohuan: “Duam një ekonomi, që të mos ketë  si  qëllim kryesor  shtimin e fitimeve  të aksionistëve të ndryshëm, por prodhimin me vlera shoqërore”.

Papa i nxiti bashkësitë e krishtera të shekullit të 21-të  t’i përdorin pasuritë e tyre edhe për të tjerët, sipas shembullit të bashkësive të para të krishtera. A ju duket edhe kjo udhë e rëndësishme për t’u ndjekur?

“Pranë vlerave private e publike, janë edhe vlerat e përbashkëta. Ambienti, për shembull, është vlerë e përbashkët; uji, vlerë e përbashkët; vaksina kundër Covid, vlerë e përbashkët.. Ka, pra, vlera, që nuk u përkasin as njerëzve të veçantë e as enteve publike. Nuk janë, pra të shtetit, por të bashkësisë. Për ta ringjallur logjikën e pasurive të përbashkëta, duhet  bashkësia, duhen grupet e njerëzve, që e realizojnë konkretisht, në të përditshmen e tyre, logjikën aplikuese të të mirave të përbashkëta. Atëhere  ftesa e Papës duhet lexuar kështu: “Ju, o bashkësi të krishtera,  shpërvilni mëngët!”. Kjo duhet vënë në jetë me dëshmi konkrete, që nuk mungojnë, sepse nuk mungojnë as njerëzit, që përpiqen ta zbatojnë logjikën e pasurive të përbashkëta. Ja pse lindën, për shembull, koperativat e bashkësive”.

Atëhere, sipas mendimit tuaj, udha më e mirë për të dalë nga kriza për shoqëritë perëndimore është ta mbështesë familjen me fëmijë, posaçërisht nënat që punojnë a jo, atje ku numri i lindjeve po pakësohet frikshëm edhe të synojë në formimin e të rinjve?

“Janë të domosdoshme sepse Papa – jo të mërkurën – por në raste të tjera – ngulmon  mbi rivlerësimin e rolit të familjes e të funksionit të saj. Por rreth botës “mësuesit e këqij”, menduan ta shkatërrojnë familjen si institucion, duke ngulur këmbë tek individualizmi i tepruar, me bindjen se do ta përmirësonte stuatën. E ky është një nga gabimet më të rënda, sepse familja është ekonomia e parë. Po ta harrojmë këtë, humbasim rastin për të kuptuar një nga forcat kryesore, që mund ta transformojë situatën aktuiale. Kush është mjeku i parë i fëmijës? Familja! Cili, është vendi i parë i edukimit të të rinjve? Familja, Ta vësh në qendër të vëmendjes, do të thotë  të vësh në qendër njeriun e, posaçërisht, gruan!”.

28 gusht 2020, 11:52