Kërko

Vatican News
Anita Gojani. dottoressa albanese kosovara, a Monaco di Baviera, nel periodo covid-19  Anita Gojani. dottoressa albanese kosovara, a Monaco di Baviera, nel periodo covid-19  

Vatikan#coronavirus: PAV: etikë, bashkëpunim, solidaritet

“L’Humana communitatis në epokën e pandemisë. Reflektime jo aktuale për rilindjen e jetës”: - ky, titulli i dokumentit të ri të Akademisë Papnore për Jetën (Pav), mbi pasojat e krizës shëndetësore shkaktuar nga koronavirusi.

R. SH. - Vatikan

“L’Humana communitatis në epokën e pandemisë. Reflektime jo aktuale për rilindjen e jetës” - ky, titulli i dokumentit të ri  të Akademisë Papnore për Jetën (Pav), mbi pasojat e krizës shëndetësore shkaktuar nga koronavirusi. Teksti botohet pas notës së 30 marsit të kaluar, titulluar “Pandemia dhe vëllazërimi universal”. Në qendër të vëmendjes, tre parime kryesore: zhvillimi i etikës së rrezikut, vënia në jetë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe nxitja e solidaritetit të mirëfilltë.

Dokumenti hapet me pyetjen: “Ç’mësuam nga pandemia?”. E vijon me përgjigjen: “Mësimin e ligështisë, që e morën nga pak të gjithë, por sidomos të shtruarit në spitale, të mbyllurit ndër burgje, refugjatët në kampet e tyre”. Por morëm edhe një mësim tjetër: mësuam se jeta është dhuratë. E akoma: pandemia na bëri të kuptojmë se gjithçka është e ndërlidhur e se “plaçkitja e tokës dhe rrugët e papërshtatshme ekomomike të pangopësisë dhe të konsumit të tepruar, patën pasoja të rënda edhe në përhapjen e virusit, që e pushtoi pa asnjë vështirësi gjithë botën!”.

I duhet kushtuar shumë vëmendje - pohon Akademia - faktit se njerëzit janë të lidhur e të ndërvarur e se janë njëlloj të ligshtë. Mësimin na e dha vetë jeta. Na e dha qëndrimi i disa vendeve, që i mbyllën kufijtë e nisën të sillen me cinizëm, duke paditur njëri tjetrin. Po coronavirusi nuk pyeti fare për kufij: i kapërceu e shkeli ku deshi, pa pyetur për pengesat e krijuara, në dëm të solidaritetit njerëzor. Prej këndej, thirrja  për të bashkëpunuar në të gjitha fushat, posaçërisht në atë të zhvillimit e të vaksinave:  posaçërisht në këtë fushë, mungesa e koordinmimit dhe e bashkëpunimit është pengesë e madhe në përpjekjen për ta fituar betejën kundër Covid 19.

Ç’duhet bërë, atëhere? Në radhë të parë, dokumenti thekson rëndësinë e “etikës së rrezikut”, që kërkon përgjegjësi të posaçme ndaj njerëzve, shëndeti, jeta e dinjiteti i të cilëve ndodhen para një mori rreziqesh. Së dyti, Pav kërkon përpjekje globale e bashkëpunim ndërkombëtar, që të njihet si “e drejtë  njerëzore universale asistenca shëndetësore cilësore si dhe pajisja me ilaçet kryesore”. Njëkohësisht urohet të vijojë kërkimi shkencor plot përgjegjësi, i plotë, i çliruar nga konfliktet e interesit e i bazuar mbi rregullat e barazisë, të lirisë e të drejtësisë. “Përmasa publike e kërkimit shkencor nuk mund të flijohet mbi altarin e fitimit privat” - pohon Akademia, e prej këndej, edhe nënvizimi i rolin e Organizatës  Botërore të Shëndetësisë, që duhet t’i ndihmojë vendet më pak të zhvilluara në përballmin e katastrofave të papara ndonjëherë.

Së fundi, Pav uron që njerëzimi të jetë solidar, ta njohë e ta mbrojë dinjitetin e çdo njeriu, posaçërisht të më nevojtarëve. Nota përfundon me ftesën për shpresë: “Është koha - kujton Pav - për të përfytyruar e për të vënë në jetë projektin e bashkëjetesës njerëzore, që hap shtigjet drejt bashkëjetesës më të mirë për të gjithë!”.

22 korrik 2020, 09:54