Kërko

Vatican News
Kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor të Dialogut Ndërfetar Kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor të Dialogut Ndërfetar 

Shtegtimi i kardinalit Ayuso në Bullgari, për të vijuar dialogun

Në qendër të Sofies është një katërkëndsh, që ka në katër cepat xhaminë, sinagogën, konkatedralen katolike latine dhe kishën ortodokse. Është katërkëndëshi i feve, që flet vetë edhe për historinë e harmonisë e të dialogut. Aty shkeli Papa Françesku gjatë shtegtimi të tij në Bullgari, më 2019. E edhe kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor të Dialogut Ndërfetar, gjatë shtegtimit të tij të kohëve të fundit në Bullgari, në gjurmët e Papës Françesku.

R.SH. - Vatikan

Çdo vit për festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal, ftohet një kardinal në Bullgari, ndërsa në Romë arrin një delegacion i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës. Nëse sivjet vizita e Pariarkanës nuk qe e mundur,  për shkak të koronavirusit,  vizita  e një kardinali në Sofie mundi të realizohej, ndonëse duke respektuar kufizimet e kohës. Për shembull, kardinali Ayuso nuk mundi të takohet me Patrikun Neofit, siç u njoftua, sepse kreu i ortodoksëve bullgarë mbahet sa më larg që është e mundur nga rreziku i ngjitjes së sëmundjes, duke pasur parasysh moshën e tij, që e bën edhe më të brishtë.

Takime me krerët e Kishës ortodokse

Në Bullgari që nga 27 qershori - deri më 1 korrik, Kardinali Ayuso mundi të takohet me sekretarin e Sinodit Kishtar Ortodoks, peshkopin Gerasim dhe peshkopin Polikarp, vikar i Patrikut Neofit për qytetin e Sofjes, Kardinali bisedoi edhe me zëvendës-ministrin e jashtëm, Georg Georgiev  që, ndërmjet detyrave të ndryshme, kujdeset edhe për lirinë e kultit e të pakicave etnike, tema që ishin në bazë të dialogut, ku mori pjesë edhe Plamen Bonchev, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Punëve Globale.

Dialog ndërfetar

Kryetari  i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar u prit edhe në Këshillin ndërkonfesional të bashkëpunimit, në të cilin bëjnë pjesë të gjitha konfesionet e krishtera, të pranishme në Bullgari, përveç ortodoksëve. E pastaj u takua edhe me Mustafa Hadzi, Myftiu i Madh i Bullgarisë, me të cilin foli për edukimin e të rinjve, gjendjen e myslimanëve në Bullgari e, sidomos, për Dokumentin e Vëllazërimit Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i al Azhar.

Kardinali Ayuso vizitoi edhe fakultetin e Teologjisë e, posaçërisht, Departamentin “Feja në Evropë”, ku pedagogë katolikë, myslimanë e hebrenj drejtojnë kurse kushtuar feve të ndryshme. Gjatë takimit u diskutua  edhe për çështje që kanë të bëjnë me përfshirjen në shkolla të lëndës së historinë e feve, posaçërisht të konfesioneve të krishtera në botë. Kardinale Ayuso kujtoi se mësimi duhet të jepet duke respektuar fenë e  secilit dhe bashkëpunimin ndërmjet të gjithëve!

10 korrik 2020, 09:38