Kërko

Afrika e të varfërve dhe e degradimit shoqëror Afrika e të varfërve dhe e degradimit shoqëror  

Selia e Shenjtë: të reduktohet borxhi i Vendeve të varfëra, të dëmtuara nga pandemia

Emergjenca Covid 19 është sfidë e pashembullt, që imponon vëmendje për Vendet në rrugë zhvillimi. Dje, fjala e mbajtur nga Vëzhguesi i përhershëm i Selisë Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës, në sesionin e 67-të të Unctad, Konferencës së OKB-së mbi tregtinë dhe zhvillimin.

R. SH. - Vatikan

Një krizë ekonomike “unike”, e shkaktuar nga koronavirusi, me pasoja papunësinë, shembjen e sipërmarrjeve, ligështimin e tregjeve financiare, tragjedinë e frikshme, që përvijohet në horizont! Imzot Ivan Jurkovič, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së në Gjenevë, në Unctad, Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi tregtinë dhe zhvillimin, i nënvizoi kështu pasojat e rënda  të pandemisë mbi vendet më të varfëra. Foli për ndikimin shkatrrimtar, të cilit bashkësia ndërkombëtare duhet t’i përgjigjet duke aktivizuar të gjitha forcat e mundshme.

Një barrë e pambartshme

Prelati nënvizoi se është e nevojshme të përballohet barra paralizuese e borxhit të jashtëm, si atij publik, ashtu edhe privat, të grumbulluar në vendet në rrugë zhvillimi gjatë viteve të fundit. E nxiti të shumëfishohen përpjekjet, parë me syrin e krizës aktuale:

“Selia e Shenjtë - pohoi - i nxit të gjitha Kombet ta reduktojnë ose ta shlyejnë borxhin, që rëndon mbi buxhetet e shteteve më të varfëra”.

Nuk duhet menduar vetëm për funksionimin e tregjeve - nënvizoi imzot Jurkovič - por për të kaluar në një botë më përfshirëse, duke investuar kapitalin njerëzor, duke u dhënë kredi të varfërve, duke mbrojtur konsumatorët. Ndjehet nevoja për një agjendë më kërkuese, që t’i zbusë asimetritë e tregut.

Krizë morale: duhen vënë rregulla

Rrënjët e krizës - pohoi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë Apostolike pranë OKB-së - nuk janë vetëm me natyrë ekonomike e financiare por, në mënyrë të posaçme, me natyrë morale. Duke e njohur përparësinë e qenies, mbi pasjen dhe të etikës mbi ekonominë, popujt e botës - nënvizoi - do të duhet të punonin duke u mbështetur mbi parimet e etikës së solidaritetit, për t’i vënë në jetë veprimtaritë e tyre. Liberalizmi i tepruar i hapi rrugën  fitimeve të shpejta, favorizoi shpërdorimet edhe në ambient, duke ndikuar negativisht jo vetëm mbi  jetën ekonomike, por edhe mbi jetën e njerëzve të veçantë.

“Përballë kësaj tragjedie të frikshme, që përvijohet në horizont,  ndjehet nevoja e ngutshme e përçapjeve  etike, bazuar mbi përgjegjësinë e secilit prej nesh”.

Pranë vëllezërve më të ligshtë

Sfida më urgjente - vuri në dukje Imzot Ivan Jurkovič - është t’i jepet  përgjigjja e duhur krizës shëndetësore, të krijuar nga koronavirusi. E pastaj të përballohen edhe dëmet e krizës ekonomike. Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të lejojë që sistemi financiar të lindë përsëri një ekonomi glolale të paqëndrueshme.

“Duhet të marrë masa urgjente - shpjegoi prelati - për të parandaluar rrezikun e krizave të tjera financiare në të ardhmen”.

Është themelore, kështu, të adoptohet etika e solidaritetit për një progres më të sigurt, më njerëzor, me një ekonomi, që vihet në shërbim  të njeriut, që siguron paqen e mbron ambientin.

Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, para se ta përfundonte fjalën,  kujtoi  se po përgatitet një dokument, në prag të Konferencës së 15-të ministeriale të Unctad. E, duke kujtuar Papën, Imzot Ivan Jurkovič, pohoi se ky  nuk është çast indiference, sepse bota mbarë po vuan e ka nevojë  të bashkohet, për ta përballuar pandeminë, prandaj të gjithë e kanë për detyrë  të mos i braktisin vëllezërit më të ligshtë e motrat më të ligshta!”.

03 korrik 2020, 12:07