Kërko

Vatican News

Në Gjermani, lamtumira e fundit për Georg Ratzinger. Mesazhi i Benediktit XVI

U kremtua dje në katedralen e Regensburgut, funerali i imzot Georg Ratzinger, i cili ndërroi jetë më 1 korrik, në moshën 96-vjeçare. Benedikti XVI, i cili më 18 qershor shkoi ta shihte të vëllanë, dërgoi një mesazh, që u lexua gjatë kremtimit, nga një imzot Georg Gänswein në lot.

R.SH. - Vatikan

“Në këtë orë të lamtumirës së fundit për tim vëlla, unë jam me ju”. Këto janë fjalët e para të mesazhit të Benediktit XVI, lexuar nga imzot Georg Gänswein, thellësisht i mallëngjyer, gjatë funeralit të imzot Georg Ratzinger, që u kremtua dje në katedralen e Regensburgut. Duke kujtuar vëllain e tij, i cili ndërroi jetë më 1 korrik, në moshën 96-vjeçare, Papa i nderit nënvizon se për Georg-un, thirrja meshtarake u shoqërua gjithnjë nga ajo muzikore. Për të vëllain meshtar e muzikant, që jetoi për më se 20 vjet në verbëri pothuajse të plotë, Benedikti XVI vë në dukje edhe aftësinë për t’i bërë të gjithë miq e humorin. Sidomos, shpjegon Papa i nderit, Georg ishte njeri i Zotit, me vlera si thjeshtësia dhe ndershmëria, të cilat i vuri në qendër të jetës. Benedikti XVI shkruan edhe se në mëngjesin e 22 qershorit, para se të kthehej në Vatikan nga Gjermania, e dinte që ai takim me vëllain ishte lamtumira e fundit. Por të dy ishim të sigurt, shton ai, që Zoti i mirë mbretëron edhe në botën tjetër e do të na bashkojë prapë. Së fundi, Papa i nderit e falënderon vëllain e tij të dashur Georg, për gjithçka që ka bërë, ka vuajtur dhe i ka dhënë me praninë e tij. Ipeshkvi i Regensburgut, imzot Rudolf Voderholzer, njoftoi se Benedikti XVI e ndoqi funeralin e të vëllait në transmetim të drejtpërdrejtë.

Lutja e Françeskut për Georg Ratzinger

Pas vdekjes së Georg Ratzinger, Papa Françesku i shkroi paraardhësit të tij duke i shprehur afërsinë e tij shpirtërore. “Ju – lexohet në letrën për Benediktin XVI, që u bë e ditur më 2 korrik - patët delikatesën të ma komunikoni i pari lajmin për vdekjen e vëllait tuaj të dashur, imzot Georg. Dëshiroj t’ju shpreh sërish ngushëllimet e mia më të thella dhe afërsinë time shpirtërore në këtë çast dhimbjeje”. “Ju siguroj lutjen time për shpirtin e të ndjerit - vijon Papa - që Zoti i jetës, në mirësinë e tij plot mëshirë, ta pranojë në atdheun qiellor dhe t’i japë shpërblimin e përgatitur për shërbëtorët besnikë të Ungjillit”. “E lutem edhe për ju, Shenjtëri - përfundon Françesku - duke i kërkuar Zotit Atë, përmes ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, mbështetjen e shpresës së krishterë dhe ngushëllimin e ëmbël hyjnor. Gjithmonë të bashkuar në ndjekjen e Krishtit të Ngjallur, burim shprese dhe paqeje”. Papa Françesku e përfundon letrën me fjalët kuptimplote, me të cilat nënshkruan “si bir e si vëlla”, duke treguar kështu, dashurinë dhe përkushtimin, që e lidh me paraardhësin e tij Benediktin XVI.

Vizita e Papës së nderit në Gjermani, tek vëllai i sëmurë

Gjithmonë shumë të lidhur me njëri-tjetrin, dy vëllezërit Ratzinger, të ndarë që kur ishin 3 vjeç, u shuguruan meshtarë në të njëjtën ditë, më 29 qershor 1951, në katedralen e Frajsingut. Më 18 qershorin e kaluar, Benedikti XVI la Vatikanin për të shkuar në Regensburg, pranë vëllait të sëmurë. I dha lamtumirën e fundit e u kthye në Vatikan më 22 qershor. Gjatë qëndrimit në vendlindje, Benedikti XVI i bëri disa herë vizitë të vëllait në spital dhe shkoi të shihte vendet e shtrenjta për familjen e tij, veçanërisht varrezat e Ziegetdorf, ku pushojnë prindërit dhe motra më e madhe. Benedikti XVI vizitoi edhe shtëpinë e familjes në Pentling, shndërruar në një institut që mban emrin e tij. Ndodhet në periferi të Regensburgut e Papa i nderit banonte aty kur ishte profesor në Universitetin e qytetit.

Një jetë për Zotin e për muzikën

Lindur në Pleiskirchen të Bavarisë, më 15 janar 1924, Georg Ratzinger filloi t’i binte organos në kishën famullitare që kur ishte 11 vjeç. Më 1935, hyri në seminarin e vogël të Traunstein-it, ndërsa më 1942, thirret ushtar në Reichsarbeitsdienst, trupat ndihmëse të Gjermanisë naziste, dhe më vonë në Wehrmacht. I kapur nga aleatët në mars 1945, u burgos në Napoli të Italisë për disa muaj, para se të lirohej dhe të kthehej në familje. Më 1947, së bashku me vëllain e tij Jozefin, hyri në seminarin Herzogliches Georgiaum në Mynih. Më 29 qershor 1951, të dy vëllezërit u shuguruan meshtarë në katedralen e Frajsingut. Për tridhjetë vjet, nga 1964-a deri më 1994, Georg Ratzinger drejtoi korin e katedrales së Regensburgut, “Regensburger Domspatzen”. Udhëtoi nëpër botë duke dhënë koncerte. Gjithashtu, dirigjoi shumë regjistrime për Deutsche Grammophon.

09 korrik 2020, 08:48