Kërko

03022014_134847_clochard.jpg

Kuintale me ushqim në Vatikan për të varfrit

Organizata jofitimprurëse “Zemra shkrihet” i dorëzoi sërish kardinalit Krajeëski, një kamion me produkte ushqimore dhe batanije, për t’ua shpërndarë njerëzve më të varfër të zonave të ndryshme të Romës.

R.SH. - Vatikan

Një kamion i ngarkuar me ushqim për të varfërit e, kësaj radhe, edhe për ata që u goditën rëndë nga pandemia, u rikthye në Vatikan për herë të tretë, falë angazhimit të organizatës jofitimprurëse fiorentine “Zemra shkrihet”. Pas pakove të dhjetorit të kaluar e të janarit të këtij viti, tani mbërritën edhe 50 kuintal të tjera me ushqime - makarona, qumësht, ton, salcë domatesh – si edhe batanije, që iu dorëzuan Lëmoshtarit të Papës. Kardinali Konrad Krajewski e pati kontaktuar organizatën një vit më parë, në përpjekjen për të plotësuar kërkesat e shumë njerëzve në periferitë e Romës, që nuk kanë ç’të hanë.

 Kamioni erdhi pardje në Vatikan e, tani, pakot kanë marrë udhën e solidaritetit kryeqytetas, nga të pastrehët rreth Shën Pjetrit, në disa lagje periferike, duke kaluar nëpër Stacionin Termini, një nga zonat e Romës, ku shpesh, vetë kardinali bashkë me vullnetarët e tij, përveshin mëngët për të shpërndarë ndihma.

Kjo veprimtari rifilloi me përfundimin e mbylljes për shkak të pandemisë së koronavirusit e do të vijojë, falë shpirtit të iniciativës së organizatës jofitimprurëse, e cila, javët e fundit, në bashkëpunim me shoqata të tjera, u dallua për furnizimin me gati 200 ton produkte për grupet më të varfra të popullisë së Toskanës.

24 korrik 2020, 11:28