Kërko

2020.07.18 Funerali card. Grocholewski Zenon 2020.07.18 Funerali card. Grocholewski Zenon 

Në Shën Pjetër funerali i Kardinalit Grocholewski, njeri feje e shërbimi

Sot paradite, në funeralin e kardinalit Zenon Grocholewski, Kardinali Sandri lexoi një pjesë të testamentit shpirtëror të kardinalit, duke vënë në dukje se si jeta e tij ka qenë një jetë feje dhe shërbimi. Në fund të kremtimit Eukuarist, Papa Françesku kryesoi ritin e Commendatio e tё Valedictio.

R.SH. - Vatikan

Sot, e shtunë, më 18 korrik, u kremtua funerali i kardinalit Zenon Grocholewski në orën 11, pranë Altarit tё Katedrës sё Bazilikës së Shën Pjetrit nga Kardinali Leonardo Sandri, zëvendës-dekan i Kolegjit të Kardinajve, së bashku me kardinajtё tjerë. Në përfundim të kremtimit Eukaristik, Papa Françesku kryesoi ritin e “Ultima Commendatio” dhe atë të “Valedictio”. Kardinali polak Grocholewski, Prefekt nderi i Kongregatës për Edukimin Katolik, vdiq dje në moshën 80 vjeçare.

Një njeri "shtegtar feje, i cili pikërisht nё dritën e fesё” diti t’i shihte farat e shenjtërisë në rrugëtimin e Kishës sё çdo kohe, kёshtu e përshkroi figurën e tё ndjerit Grocholewski Kardinali Sandri nё homelinё e Meshёs sё dritës.

"Ai e kërkoi çdo ditë – kujtoi Kardinalit Sandri – hirin e Tёnzot që atё qё kremtonte në altar tё bëhej burim i mendimeve dhe veprimeve të përditshme" në shërbimin e tij "tё pёrvujtё e të vëmendshëm" në Romë, në studimin e Ligjit Kanonik tё Kishës, në mësimdhënie dhe në poste të ndryshme së pari si Sekretar dhe Prefekt i Lartë i Gjykatës së Senjaturës Apostolike, e më pas, si Prefekt i Kongregatës sё Vatikanit për Edukimin Katolik. Në këto fusha kardinali Grocholewski  dha dëshmi zelli meshtarak e besnikërie ndaj Ungjillit dhe ndaj Kishës.

Kardinali Sandri deshi të lexonte një pjesë të testamentit shpirtëror të Kardinalit Grocholewski:" Zotit, tё Shenjtёnueshmёs Trini, i shpreh mirënjohjen time të thellë dhe nderin për dhuratën e jetës, tё meshtarisë dhe pёr të gjitha bekimet e hiret e fituara. Zoti qoftë bekuar. Thellësisht i bindur - vazhdon teksti i testamentit shpirtëror qё u lexua sot paradite – qё e vetmja udhë e drejtë e jetës mbi tokë dhe e vetmja madhështi e vërtetë e njeriut është shenjtëria dhe në të njëjtën kohë, i vetëdijshëm për dobësitë e mia njerёzore, dështimet dhe mëkatet, përkulem para Madhështisë hyjnore, duke u mbështetur e besuar në Mëshirën e tij të pafund. Zoti pastë mëshirë pёr mua mëkatar. U kërkoj të gjithëve të luten për mua. Mirupafshim në shtëpinë e Atit”.

Kardinali Grocholewski lindi më 11 tetor 1939, në Brodki të Polonisë, në kryedioqezën e Poznanit, u shugurua meshtar më 27 maj 1963 e ipeshkëv, më 1977. U krijua kardinal më 2001 dhe u largua nga misioni për arsye moshe, në vitin 2015. Një jetë e shkrirë në Kurien Romake, me detyra nga më të ndryshmet, kushtuar posaçërisht së Drejtës Kanonike dhe edukimit, dy shtyllat e formimit e të punës së Hirësisë së Tij, që qe për një kohë të gjatë bashkëpunëtor i ngushtë i Gjon Palit II e, më pas, edhe i Benediktit XVI

18 korrik 2020, 18:52