Kërko

Vatican News

Koronavirusi mbjell viktima nëpër botë. Kardinal Filoni u flet punonjësve të shëndetësisë

“Ju jeni – u tha kardinali Fernando Filoni punonjësve shëndetësorë, në një meshë, kremtuar në spitalin San Giovanni të Romës – aleatë të privilegjuar të Zotit, që vazhdon me dinamizëm veprën e Tij krijuese. Në këtë betejë të madhe ndërmjet jetës, sëmundjes dhe vdekjes, mjekët dhe veprimtarët e shëndetësisë nuk mund të jenë tjetër, veçse me jetën”.

R.SH. - Vatikan

Pandemia e koronavirusit vazhdon të përhapet në të gjithë botën, duke i detyruar vende si India t’i mbyllin sërish nëpër shtëpi dhjetra milionë njerëz. Mbyllje të pjesshme edhe në Kaliforni të SHBA-ve, në Portugali e në Spanjë. Pas rritjes së numrit të të infektuarve, Franca e përforcon detyrimin për të mbajtur maska në vende publike të mbyllura.

Shpresat për vaksinën

Nga ana tjetër, vijojnë edhe përpjekjet për gjetjen e vaksinës. Një firmë amerikane njoftoi se më 27 korrik do të fillojë faza përfundimtare e testimit të vaksinës së prodhuar prej saj. Në një kampion prej 30 mijë vetësh, 15 mijë do të vaksinohen, ndërsa të tjerët do të marrin një solucion placebo. Reagimet e vullnetarëve do të ndiqen deri më 27 tetor, kur do të përfundojë kjo fazë e do të analizohen rezultatet.

Sfidat e spitaleve, në homelinë e kardinalit Filoni

Ndërkaq, dje, gjatë homelisë së meshës, kremtuar në spitalin San Giovanni të Romës, në festën liturgjike të shën Kamilit de Lelis, pajtor qiellor i të sëmurëve dhe i punonjësve shëndetësorë, kardinali Fernando Filoni vuri në dukje sfidat, që përballojnë sot spitalet, të cilat duhet të kujdesen për shëndetin e të sëmurëve, por edhe për ata, që u shërbejnë atyre. Vërtet, nuk janë pak mjekët dhe infermierët, që humbin jetën, duke u shërbyer pacientëve të sëmurë me Covid-19. “Spitali – u tha kardinali punonjësve shëndetësorë – nuk mund të jetë kurrë vend i thjeshtë pune si shumë të tjerë. Këtu, jeta, që na është dhuruar, ose rimëkëmbet falë profesionalitetit tuaj dhe fiton sërish besimin në vetvete për të vijuar me dinjitet, ose kthehet në terren për profesionalizmin e shterpët, ushtruar me ftohtësi e distancim”.

Punonjësit shëndetësorë, aleatë të privilegjuar të Zotit

Duke folur për emergjencën shëndetësore, prelati kujtoi lotët dhe fjalët e mjekëve e të infermierëve para pamundësisë për t’u ardhur në ndihmë shumë pacientëve të sëmurë nga koronavirusi, por edhe trishtimin e njerëzve, që nuk mundën më t’i përqafonin të dashurit e tyre, viktima të pandemisë, e madje, nuk mundën as të merrnin pjesë në funeral. “Ju jeni – u tha punonjësve shëndetësorë – aleatë të privilegjuar të Zotit, që vazhdon me dinamizëm veprën e Tij krijuese. Në këtë betejë të madhe ndërmjet jetës, sëmundjes dhe vdekjes, mjekët dhe veprimtarët e shëndetësisë nuk mund të jenë tjetër, veçse me jetën”. Nëse spitali do ta konsideronte të tepërt humanitetin dhe dashurinë për të sëmurin, “atëherë – përfundoi kardinal Filoni – do ta kthenim në biznes, në llogari ekonomike, në vend profesionalizmi të ftohtë; në disa raste, kohët e fundit, i kemi parë pasojat e këtij qëndrimi”, përfundoi Mjeshtri i Madh i Urdhërit kalorësiak të Varrit Shenjt të Jeruzalemit.

15 korrik 2020, 10:54