Kërko

Vatican News
Imzot George Frendo Imzot George Frendo 

Imzot George Frendo, anëtari i ri i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, njëkohësisht, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit, do të jetë anëtar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar gjatë gjithë 5-vjeçarit të ardhshëm.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi, më 19 majin e kaluar, anëtarët e rinj të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Ndër ta, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, njëkohësisht, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit. Me një letër të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, njoftohet imzot Frendo për funksionet, që do të kryejë në këtë Këshill Papnor, në 5-vjeçarin e ardhshëm. Po kujtojmё se Imzot Frendo ka qenё emёruar Kёshilltar i Kёshillit Papnor pёr Dialogun Ndёrfetar edhe nga Papa Benedikti XVI mё 20 nёntor 2007.

Dialogu ndërfetar gjithnjë e më i rëndësishëm

Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar u themelua nga Papa Pali VI në ditën e Rrëshajëve të vitit 1964, me qëllim nxitjen e dialogut me njerëz të feve të tjera, sipas frymës së Koncilit II të Vatikanit, në veçanti të deklaratës “Nostra Aetate”. Është fjala për një dialog, në të cilin dëshmohet feja personale, por, njëkohësisht, edhe një mendësi e gatshme për të bashkëpunuar me të tjerët. Me këtë hapje, nuk tradhtohet misioni i Kishës, e, sidomos, nuk synohet kthimi i të tjerëve në krishterim, siç sqarohet edhe më vonë në Enciklikën “Redemptoris Missio” të Papës Gjon Pali II.

Megjithëse Këshilli Papnor është zyra qendrore për dialog në Kishën Katolike, ky impenjim realizohet kryesisht përmes Kishave lokale. Shumë prej tyre kanë komisione për dialogun ndërfetar, në nivelin rajonal dhe kombëtar, prandaj Dikasteri vatikanas punon në bashkëpunim të ngushtë me to, duke e inkurajuar formimin e tyre.

Vetë Dikasteri i Selisë së Shenjtë përbëhet nga rreth 30 anëtarë të Këshillit, kardinaj dhe ipeshkvij nga vende të ndryshme të botës, dhe nga rreth 50 këshilltarë, ekspertë të studimeve fetare ose të dialogut ndërfetar, nga të gjitha kontinentet. Pikërisht ndër këta 30 anëtarë do të jetë edhe imzot George Frendo, si përfaqësues i Shqipërisë, për të cilën dialogu ndërfetar ka rëndësi të madhe. Ndërkaq, organi ekzekutiv i Këshillit Papnor, përbëhet nga një personel i përhershëm në Romë: nga kryetari, sekretari, zv.sekretari, funksionari për Islamin, ai për Afrikën, ai për Azinë, ai për lëvizjet e reja fetare dhe nga ndihmësit e tjerë administrativë dhe teknikë.

 Në Dikaster ka një Komision të veçantë për marrëdhëniet me myslimanët, i përbërë nga kryetari, nënkryetari dhe sekretari, së bashku me një grup prej tetë këshilltarësh. Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar ka themeluar edhe një Fondacion, “Nostra Aetate”, për promovimin e dialogut, duke dhënë bursa për studiues të feve të tjera, që dëshirojnë të thellohen në fenë e krishterë.

07 korrik 2020, 11:39