Kërko

Vatican News

Veprimtaria javore e Papës dhe e Vatikanit

R.SH. - Vatikan

Papa në audiencë: “Të mbrojmë të miturit, të gjithë jemi përgjegjës”

         Lutja është “arma e fesë dhe fitorja e këmbënguljes”. Me këto fjalë, marrë nga Katekizmi i Kishës Katolike, në audiencën e përgjithshme të 10 qershorit, transmetuar nga biblioteka e Pallatit Apostolik, Papa Françesku komentoi historinë e Jakobit, njeri i shkathët, që e kishte ndërtuar jetën e vet pa ndihmën e askujt, por e ndryshon atë krejtësisht pas ndeshjes me Zotin.

         “Lufta me Zotin është metaforë për lutjen”, shpjegoi Papa. “Të gjithë ne kemi një takim me Zotin, gjatë natës. Në natën e jetës, në netë të ndryshme. Në çastet e errta, të mëkatit, të çorientimit, kemi një takim me Zotin, gjithnjë”.

 

Papa Françesku u bën thirrje institucioneve “të mbrojnë të miturit”

         Thirrje drejtuar institucioneve “që të bëjnë çdo përpjekje për të mbrojtur të miturit, duke mbushur disa humnera ekonomike dhe shoqërore, në bazë të dinamikës, në të cilën, fatkeqësisht, ata janë përfshirë”. Gjithnjë në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, Papa Françesku përmendi Ditën Botërore kundër shfrytëzimit të punës së fëmijëve, që u kremtua më 12 qershor. Ky shfrytëzim, denoncoi Ati i Shenjtë, është “fenomen, që i privon djemtë e vajzat e vogla nga fëmijëria e tyre dhe cënon rëndë zhvillimin e tyre të gjithanshëm”. “Në gjendjen aktuale të emergjencës shëndetësore – theksoi Papa – në vende të ndryshme, shumë fëmijë e të rinj janë detyruar të bëjnë punë të papërshtatshme për moshën e tyre, me qëllim që të ndihmojnë familjet në kushte varfërie të skajshme. Jo në pak raste, bëhet fjalë për forma skllavërie dhe detyrimi, me pasojë vuajtje fizike e psikologjike”. “Të gjithë jemi përgjegjës për këtë”, shtoi Ati i Shenjtë.

 

Comece-Secam: dokument i ipeshkvijve për bashkëpunimin BE-Afrikë

         Zhvillimi njerëzor, ekologjia e gjithanshme, siguria dhe paqja, emigracioni, roli i bashkësive fetare: janë pesë, kapitujt e dokumentit të përgatitur nga Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece) dhe nga Simpoziumi i Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës dhe të Madagaskarit (Secam), pak muaj para mbledhjes BE-Afrikë, që do të mbahet në tetor. Në atë rast, do të diskutohet mbi bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet dy brigjeve të Mesdheut. Ipeshkvijtë u shprehën pikërisht në këtë periudhë, në të cilën po përgatitet konferenca delikate, që do të mbahet ndërsa pandemia e koronavirusit ka përfshirë gjithë botën e pasojat për të dyja kontinentet janë mjaft të rënda. Në dokumentin e nënshkruar nga dy kryetarët e organizmave kishtare, që përgjigjen për Evropën dhe për Afrikën, kardinajtë Jean-Claude Hollerich dhe Philippe Nakellentuba Ouédraogo, kërkohet vëmendje më e madhe për njerëzit në vështirësi, për familjet, bashkësitë vendase dhe emigrantët.

 

Kina njeh ipeshkvin klandestin të Fuzhout

         “Lajm i mirë, sepse, më në fund, vjen gati në prag të rinovimit të Marrëveshjes ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe qeverisë kineze, nënshkruar më 22 shtator 2018. Ky rinovim është veçanërisht i rëndësishëm në këtë çast historik, në të cilin ka marrë hov lufta e ftohtë”. Sinologu italian Francesco Sisci e komentoi me këto fjalë lajmin se në Fuzhou, ipeshkvi klandestin Pjetër Lin Jia Shan u njoh nga autoritetet civile. Të dielën e kaluar, në kishën e Rruzares, u kremtua një meshë nga kryeipeshkvi i Xiamen-it, imzot Jozef Cai Bingrui, kreu i Shoqatës patriotike provinciale, gjatë së cilës u njoftua lajmi i gëzuar. Një anëtar i Kishës së katakombeve njihet nga pushteti komunist si udhëheqës shpirtëror i grigjës së Krishtit, që i është besuar. Është hap i rëndësishën në rrugën e vështirë të pajtimit ndërmjet bashkësisë katolike zyrtare, pranuar nga qeveria e Pekinit, dhe bashkësisë së nëndheshme, e cila, për shekuj me radhë, e ka jetuar fshehtazi fenë, duke i qëndruar besnike Selisë Apostolike e Papës. Sipas sinologut Sisci, “me këtë njohje, Selia e Shenjtë dhe Kina thonë se duan ta vazhdojnë dialogun, prandaj u dërgojnë të gjithëve një sinjal për të nënvizuar se udha e dialogut është e hapur gjithmonë dhe se nuk kanë arritur akoma në luftën e ftohtë”. “Por, - shton eksperti – sinjali, gjithsesi, është i vogël”.

14 qershor 2020, 11:49