Kërko

Vatican News

Nostra aetate, Koncili hapi rrugën e dialogut me fetë

Gjatë viteve të kaluara diskutohej vetëm për interpretimin e teksteve, sot, vihen në diskutim vetë dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Të kujtojmë si u arrit në Deklaratën konciliare, gur kilometrik në historinë e Kishës.

ANDREA TORNIELLI

 Deklarata konciliare “Nostra aetate”, miratuar nga etërit e Koncilit II të Vatikanit dhe shpallur nga Papa Pali VI më 28 tetor 1965, shënoi një ndryshim të pakthyeshëm në marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike dhe hebraizmit, në vazhdën e hapave të shën Gjonit XXIII. Gjithashtu, ndryshoi rrënjësisht qëndrimin e katolicizmit ndaj feve të tjera jo të krishtera. Konsiderohet tekst themeltar për dialogun me fetë e tjera, fryt i një pune të gjatë përpiluese.

Marrëdhënie unike ndërmjet krishterimit dhe hebraizmit

Pjesa qendrore e dokumentit është ajo që i referohet hebraizmit: “Duke shqyrtuar misterin e Kishës, Koncili kishtar kujton lidhjen shpirtërore të popullit të Besëlidhjes së Re me fisin e Abrahamit… Meqë kjo trashëgimi shpirtërore e përbashkët e të krishterëve dhe e hebrenjve është tejet e madhe, ky Koncil kishtar dëshiron të promovojë dhe të rekomandojë njohjen dhe vlerësimin e ndërsjellë, që arrihen, sidomos, përmes studimeve biblike dhe teologjike e me dialog vëllazëror”. Fjalë, që përfaqësojnë njohjen e rrënjëve hebraike të krishterimit dhe të marrëdhënieve unike ndërmjet fesë së krishterë dhe hebraizmit, siç pati nënvizuar shën Gjon Pali II në prill 1986, gjatë vizitës në Sinagogën e Romës. Një temë, mbi të cilën reflektoi si teolog edhe Joseph Ratzingher, i cili, kur u bë Papa Benedikti XVI, shkoi në Sinangogën e Romës, në janar 2010, dhe kujtoi se “doktrina e Koncilit II të Vatikanit” është për “katolikët, pikë e patundur referimi të vazhdueshëm për qëndrimet dhe marrëdhëniet me popullin hebraik, duke shënuar një etapë të re e të rëndësishme. Ngjarja konciliare i dha një hov vendimtar impenjimit për të përshkuar rrugën e pakthyeshme të dialogut, vëllazërimit e miqësisë”.

Hidhet poshtë akuza se hebrenjtë kanë vrarë Zotin

Një deklaratë tjetër vendimtare, e përfshirë në dokument, ka të bëjë me dënimin e antisemitizmit. Përveç se kritikon “urrejtjet, persekutimet dhe të gjitha manifestimet antisemite kundër judeasve në çdo kohë dhe nga kushdo bëhen”, deklarata konciliare shpjegon se përgjegjësia për vdekjen e Jezusit nuk duhet t’u atribuohet të gjithë hebrenjve. “E, nëse autoritetet judease e ndjekësit e tyre punuan për vdekjen e Krishtit, gjithsesi, gjithçka ndodhi gjatë Mundimeve të Tij, nuk mund t’u atribuohet pa dallim të gjithë hebrenjve të atëhershëm e, as hebrenjve të kohës sonë”.

Rrezet e së vërtetës nga fetë e tjera

Në hyrje të “Nostra aetate”, përmenden hinduizmi, budizmi dhe fetë e tjera në përgjithësi, duke shpjeguar se ato “përpiqen të kapërcejnë, në mënyra të ndryshme, shqetësimin e zemrës së njeriut, duke propozuar udhë të caktuara, pra, doktrina, parime për jetën dhe rite të shenjta. Kisha Katolike nuk hedh poshtë asgjë nga ç’është e vërtetë dhe e shenjtë në këto fe. Ajo merr parasysh me respekt të sinqertë ato mënyra veprimi dhe jetese, ato rregulla dhe ato doktrina të cilat, megjithëse ndryshojnë në shumë pika nga ato, që beson dhe propozon ajo vetë, gjithsesi, jo rrallë, pasqyrojnë një rreze të asaj të vërtete, e cila shndrit gjithë njerëzit”.

Vlerësimi për besimtarët e Islamit

Një paragraf i rëndësishëm i kushtohet fesë myslimane. “Kisha i sheh me respekt edhe myslimanët, që adhurojnë Zotin e vetëm, të gjallë e të pranishëm, të mëshirshëm dhe të gjithëpushtetshëm, krijuesin e qiellit e të tokës, i cili u foli njerëzve. Ata përpiqen t’u nënshtrohen me gjithë zemër dekreteve të Zotit, edhe atyre të fshehura, ashtu siç u nënshtrua edhe Abrahami, të cilit i referohet besimi islam. Megjithëse nuk e njohin Jezusin si Zot, ata e nderojnë atë si profet; nderojnë nënën e Tij të virgjër, Marinë e, nganjëherë, i luten me përkushtim. Edhe ata presin ditën e Gjyqit të Mbramë, kur Zoti do t’i shpërblejë të gjithë njerëzit e ringjallur. Vlerësojnë, gjithashtu, jetën morale dhe adhurojnë Zotin, mbi të gjitha me lutje, lëmoshë e agjërim”.

Papët dhe besimtarët e feve të tjera

Pas Deklaratës konciliare “Nostra aetate”, Papët e vijuan dialogun si me hebrenjtë, ashtu edhe me myslimanët e me fetë e tjera. Në vitin 1969, Papa Pali VI shkoi në Ugandë për të nderuar kujtesën e martirëve të parë të krishterë afrikanë dhe përmendi edhe martirizimin e myslimanëve nga të njëjtët sovranë të fiseve tribale vendase. Në nëntor 1979, në Ankara të Turqisë, shën Gjon Pali II pati theksuar vlerësimin e Kishës për Islamin, ndërsa në gusht 1985, në Kasablanka të Marokut, u pati vënë në dukje të rinjve myslimanë gjërat e përbashkëta me të krishterët. Në Asizi, vitin e mëpasëm, Papa polak u lut bashkë me përfaqësuesit e të gjitha feve për paqen në botë, duke promovuar një përmasë paqeje, që nuk është rezultat i bisedimeve dhe i kompromiseve politike e ekonomike. Në 25-vjetorin e asaj ngjarjeje, ndërsa xhihadistët mbillnin terror nëpër botë, Papa Benedikti XVI i paralajmëronte të gjitha fetë për kërcënimin, që paraqet abuzimi i emrit të Zotit për të justifikuar urrejtjen dhe dhunën, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut.

Nga Koncili në dokumentin e Abu Dabit

Deklarata konciliare “Nostra aetate” përfundon me një paragraf kushtuar “vëllazërimit universal”: “Ne nuk mund t’i lutemi Zotit si Ati i të gjithë njerëzve, nëse nuk pranojmë të sillemi si vëllezër me disa njerëz, që, edhe ata, janë krijuar në përngjasim me Hyjin. Qëndrimi i njeriut ndaj Zotit Atë dhe ai i njeriut ndaj sivëllezërve të tij janë kaq të lidhur, sa Shkrimi Shenjt thotë: ‘Kush nuk e do njeriun, nuk e njeh Zotin’. Bie kështu, baza e çdo teorie a praktike, që e diskriminon njeriun para njeriut, popullin para popullit tjetër, për çdo gjë, që ka të bëjë me dinjitetin njerëzor dhe me të drejtat, që rrjedhin prej tij”. Kësaj tradite i referohet Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor, firmosur nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb, më 4 shkurt 2019, në Abu Dabi, shkruar “Në emër të Zotit, i cili i krijoi të gjitha qeniet njerëzore me të drejta, detyra dhe dinjitet të barabartë, si edhe u kërkoi të jetojnë së bashku si vëllezër, ta popullojnë tokën dhe të përhapin në të vlerat e së mirës, ​​të dashurisë dhe të paqes”.

16 qershor 2020, 11:37