Kërko

Vatican News
4 Beata Vergine Maria 4 Beata Vergine Maria  

Kisha kremton festën e së Lumes Virgjër Mari, Nënë e Kishës

Sot, tё hënën pas Rrëshajëve, Kisha katolike kremton festën e së Lumes Virgjër Mari, Nënë e Kishës”, themeluar nga Papa Françesku mё 2018, për ta thelluar në zemrat e barinjve, rregulltarëve dhe besimtarëve, ndjenjën amtare të Kishës, ashtu si dhe përshpirtërinë e vërtetë mariane.

R.SH. - Vatikan

Sot, tё hёnёn pas Rrëshajëve, Kisha katolike kremton festën e së Lumes Virgjër Mari, Nënë e Kishës”, themeluar nga Papa Françesku mё 2018. Maria është Nënë e Mësuese për të krishterët e të gjitha kohërave. Maria në fakt është Nëna e Kishës, siç e kanë shpallur solemnisht Papa Pali VI dhe Koncili II Vatikanas.

Zoja Bekuar me titullin ‘Nënë e Kishës’ kremtohet  nga Kisha katolike zyrtarisht që nga viti 2018, kur pas botimit të dekretit “Ecclesia Mater”, të Kongregatës së Selisë sё Shenjtё për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, më 3 mars 2018, me dëshirën e vetë Papës Françesku, u vendos qё festa kremtohet të hënën pas Rrëshajëve, për ta thelluar në zemrat e barinjve, rregulltarëve dhe besimtarëve, ndjenjën amtare të Kishës, ashtu si dhe përshpirtërinë e vërtetë mariane. Dekreti mban datën e 11 shkurtit 2018, në 160-vjetorin e dukjes së parë të Zojës së Bekuar në Lurdë.

Papa Françesku vendosi ditën e festёs “Maria Nënë e Kishës”

Duke vënë në jetë vendimin e Papës Françesku, me dekretin e 11 shkurtit të 2018, kur kremtohej 160-vjetori i dukjes së parë të Zojës Lurdë, Kongregata e Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, vendosi ta regjistrojë përkujtimin liturgjik tё “Së Lumes Virgjër Mari, Nënë e Kishës” në kalendarin e përgjithshëm tё Kishёs Romake.

Duke e pasur mirë parasysh rëndësinë e Misterit të amësisë shpirtërore të Marisë e cila, në pritje të Shpirtit Shenjt, në kohën e Rrëshajëve, nuk pushoi kurrë s’u kujdesuri amësisht për Kishën, shtegtare në botë, Papa Françesku vendosi që, të hënën pas Rrëshajëve, kujtimi i Marisë Nënë e Kishës të jetë i detyrueshëm për gjithë Kishën e ritit romak. Me këtë pёrkujtim - vë në dukje dokumenti – Papa Françesku uron që ky devocion “t’i thellojë ndjenjat amtare të Kishës në shpirtin e Barinjve, të rregulltarëve e të besimtarëve, ashtu si dhe përshpirtërinë e vërtetë mariane”.

Papa Pali VI e deklaroi Marinë Nënë e Kishës

Dekreti nënvizon se “Maria është njëkohësisht Nënë e Krishtit, Birit të Zotit, e Nënë e gjymtyrëve të korpit të Tij mistik, domethënë, Kishës”. Vëren edhe se ky titull dëgjohej në rrethet kishtare, duke nisur nga Shën Agostini e se, në rrjedhë shekujsh, Kisha e nderoi gjithnjë Marinë me tituj pak a shumë të ngjashëm, siç e shikojmë në disa autorë e edhe në shërbesën e Benediktit XV e të Leonit XIII.

Pikërisht mbi këtë bazë Papa Pali VI - në përfundim të seancës së tretë të Koncilit II të Vatikanit mё 21 nёntor 1964 -  e shpalli të Lumen Mari Virgjёr, “Nënë e Kishës”. Më pas - lexohet në Dekret - Selia Apostolike, me rastin e Vitit tё Shenjtё tё Pajtimit më 1975, propozoi një Meshë kushtore për nder të Nënës së Kishës,  radhitur, më pas në Mesharin Romak. Qe miratuar,  gjatë viteve, edhe që kremtimi i “Nënës së Kishës” të vendosej në Litanitё e Zojёs dhe nё Kalendarët e  veçanta të disa vendeve, si Polonia e Argjentina.

“Amësia” e Marisë

Në homelinё e Meshёs sё 21 majit 2018, kremtuar nё kapelёn e shtёpisё sё Martёs nё Vatikan, Papa Bergoglio mes tjerash saktësoi se “në Ungjijtë Maria paraqitet gjithnjë si “Nëna e Jezusit”, jo “e shoqja”, as “e veja e Jozefit”: amësia e saj përshkon tej e ndanë gjithë shkrimet e shenjta, nga Lajmërimi e deri në fund të fundit. Veçori, të cilën  e patën kuptuar menjëherë etërit e Kishës e pajë që Zoja ia sjell Kishës: “Kisha është femërore, sepse është ‘kishë’, ‘nuse’: është femërore. E është nënë, jep dritë. Nuse e nënë. E etërit shkojnë edhe më përtej e thonë: “Edhe shpirti yt është nusja e Krishtit, e është edhe nënë”. Në këtë sjellje, që vjen nga Maria,  Nënë e Kishës, mund ta kuptojmë përmasën femërore të Kishës. E kur i mungon, Kisha humbet identitetin e saj të vërtetë e bëhet shoqatë bamirësie a skuadër futbolli  a kush e di se çka tjetër, por Kishë, sigurisht, jo!” .

Dishepulle e parë e Krishtit

“Falë fesë së Marisë Virgjër, ajo është edhe dishepulle e parë e Jezusit – tha Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit Tënzot të 1 janarit 2018 - e kjo  e “zgjeron” kuptimin e amësisë së Virgjërës. Do të jetë feja e Marisë, që do t’i japë shtytjen shenjës së parë të mrekullueshme, e cila do të ngjallë fenë e dishepujve. Me të njëjtën fe - shtoi akoma - Maria  është e pranishme tek këmbët e kryqit e merr si bir Gjonin; e, së fundi, pas Ngjalljes, bëhet Nënë lutëse e Kishës, mbi të cilën zbret forca e Shpirtit Shenjt ditën e Rrëshajëve.

Detyra e posaçme e Marisë

Duke i ftuar të gjithë t’i ngulin sytë mbi të “për të rinisur, nën mbrojtjen e saj amtare, udhën nëpër shtigjet e kohës, Papa vuri në dukje detyrën e posaçme të Nënës së Zotit: “Ajo vihet ndërmjet Birit të saj Jezus e njerëzve, në realitetin e  mungesave e të flijimeve të tyre, të varfërive e të vuajtjeve. Ndërmjetëson, e vetëdijshme se, si nënë, mundet, madje, duhet t’ia paraqesë Birit nevojat e njerëzve, posaçërisht të më të varfërve e më të mjeruarve.

01 qershor 2020, 11:44