Kërko

Konferencë shtypi:  paraqitja e Udhëzuesit për katekizmini Konferencë shtypi: paraqitja e Udhëzuesit për katekizmini 

Katekizmi: një Udhëzues i shumëpritur “për ta bërë të njohur dashurinë e krishterë”

Paraqitja e “Udhëzuesit për katekizmin” në Sallën vatikanase të Shtypit: me kryeipeshkvin Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri. Udhëzuesi për katekizmin ёshtё një hap i mëtejshëm në udhën “drejt vazhdimësisë” së katekizmit në kohën pas-Konciliare, për t’iu përgjigjur sfidave të kulturës dixhitale dhe globalizimit të kulturës.

R. V. - Vatikan

Kryetari i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri, imzot Rino Fisichella, duke folur për Udhëzuesin e ri të Katekizmit, që u paraqit dje në Vatikan, thekson: “Objektivi nuk është sakramenti, por përfshirja në jetën e bashkësisë së krishterë. Katekizmi është i nevojshëm kudo, edhe në burgje, ndërmjet migrantëve, të gjymtuarve...".

Është një hap i ri i mëtejshëm në udhën “drejt  vazhdimësisë” së katekizmit në kohën pas-Konciliare, për t’iu përgjigjur sfidave të kulturës dixhitale dhe globalizimit të kulturës. Sipas imzot Rino Fisichellës, që i paraqiti mjeteve të komunikimit Udhëzuesin e ri për katekizmin, miratuar nga Papa Françesku, vazhdimësi do të thotë të ripohosh se “katekizmi përfshin gjithë jetën e çdo të pagëzuari, si takim me Zotin dhe pjesëmarrje në misterin e Tij në jetën tonë”.

Katekizmi në bashkësinë e krishterë

Dokumenti - e kjo është risia e tij – nënvizon - është “se katekizmi nuk bëhet për të marrë një sakrament”, “por për të hyrë dalëngadalë në jetën e bashkësisë së krishterë” e për të dhënë, edhe sot, dëshminë tonë të patundur për fenë.  E re tjetër është veçimi i katekizmit nga çdo model e modalitet shkollor, sipas të cilit: “Ashtu si ka klasë e tekst shkollor, ka edhe tekst e klasë katekizmi”. Po nuk është aspak kështu! Sepse katekizmi nuk hyn vetëm në klasë, por edhe në burgje. Katekizmi takohet edhe me migrantët!  Rrok edhe njerëzit e gjymtuar e i ndihmon të ngrihen përsëri në këmbë më të ligshtët, ata që u rrëzuan e nuk mund të ngrihen pa ndihmën e një dore të shtrirë, “sepse askush nuk duhet lënë vetëm në udhën e fesë”.

Ungjillëzimi e katekizimi shkojnë krahpërkrah

Tipari kryesor i Udhëzuesit të ri është lidhja e ngushtë e katekizmit me ungjillëzimin, që e bën kumtimin e parë të Krishtit, pikën e fortë të  katekizmit të ri. Ja si e shpjegon këtë kryeipeshkvi Rino Fisichella në Vatican News:

“Udhëzuesi i fundit u botua në vitin 1997. Prandaj duhet kujtuar se pas rreth 20 vjetëve, ne paraqitemi me një Udhëzues të ri për Katekizmin, përpjekje për të hyrë gjithnjë më shumë në këtë fazë të re, që po jeton kultura. Kulturë dixhitale, ku hapësira e koha kalojnë shumë shpejt e, prej këndej, buron edhe kërkesa për të pasur kontakte më të menjëhershme me kulturën e të rinjve tanë, me ata që tashmë janë brezni dixhitale; e nga ana jonë, kërkesa për një aksion pedagogjik e formues, që të përkojë me të. Prej këndej, Udhëzuesi përkon plotësisht me pohimet e Papës Françesku në “Evangeli gaudium” përsa i përket katekizmit, një katekizmi kerigmatik, që i lidh ngushtë ungjillëzimin me katekizmin. Katekizmi është një nga etapat e ungjillëzimit. Po brenda këtij procesi të madh, që zhvillohet në disa fronte, nga liturgjia, tek dëshmia e dashurisë së krishterë: nga lutja personale, tek përmasa edhe morale, katekizmi  ka për qëllim ta bëjë pikë të forcës së vet kumtimin e parë të Jezu Krishtit".

Në parathënie, ju shkruani se Udhëzuesi është mjet, që mund të përsoset më tutje, se nuk pretendon të jetë i përkryer dhe se bazohet mbi kontributin e shumëkujt. A mund të na e kujtoni përmbledhtas përmbajtjen e tij?

“Para së gjithash, paraqitet në mënyrë shumë sistematike. Disa pjesë të tij  vënë në dukje zhvillimin sistematik të katekizmit. Pjesa I paraqet bazën teologjike: katekizmi i përket procesit të ungjillëzimit e Kisha është pjesë përbërëse e këtij procesi të transmetimit nga breznia në brezni. Prandaj katekizmi na çon përsëri tek ai çast themelor për jetën e Kishës, që kujtohet edhe nga Shën Luka ungjilltar në krye të Ungjillit të tij, ku thekson se dëshiron t’i japë Teofilit, i pagëzuar prej kohe, një mbështetje të fortë, historike të kërkimit, që kishte bërë për Jezusin. E përdor pikërisht foljen katechein, që do të thotë të bëjë katekizëm. Ky Ungjill, me kumtimin e tij, bëhet kështu katekizëm i kandidatëve për pagëzim. Kemi, pastaj, pjesët që na marrin për dore e na ndihmojnë të kuptojmë pak nga pak rolin e katekizmit. Në radhë të parë, natyrën e katekizmit dhe rolin e katekistit, formimin që duhet të ketë katekisti, pa harruar se katekisti i parë është ipeshkvi. Për të arritur, më pas, tek familjet tona, tek të gjithë ato situata, që kanë të bëjnë me njohjen e mistereve  të Jezu Krishtit. U kujton edhe Ipeshkvijve se Udhëzuesi u drejtohet në radhë të parë pikërisht prelatëve, sepse katekizmi është detyra e tyre. Që  nga katekizmi i Çirilit të Aleksandrisë - tek katekizmi i Shën Ambrozit, i Shën Agostinit, i Ruffinos të Akuilesë...

Atëhere , Katekizmi është detyra e posaçme e ipeshkvijve?

“Katekizmi ishte,  e është detyra e posaçme e ipeshkvijve. E në këtë dritë, Udhëzuesi u dorëzon faqe të rëndësishme mbi pedagogjinë, përmasën formuese e, sidomos, njohjen e situatave të ndryshme të reja të kulturës globale, që e angazhojnë gjithnjë më shumë Kishën”.

26 qershor 2020, 11:57