Kërko

Vatican News
Kardinali Agostino Casaroli Kardinali Agostino Casaroli 

Kardinali Agostino Casaroli, në përvjetorin e vdekjes, protagonist i Ostpolitikës së Vatikanit

Të kërkosh, të ndërtosh paqen e t’i sigurosh Kishës kushtet për zhvillimin e veprimtarisë së saj në liri e në paqe: kjo qe vepra e kardinali Agostino Casarolit, protagonist i Ostpolitikës së Vatikanit, plot durim e mundim; për këtë shpenzoi jetën plot besim, duke ditur se paqja para se gjithash e mbi të gjitha është dhuratë e Zotit, për t’u kërkuar përmes lutjes e fesë së patundur.

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 9 qershor 1998, ndërroi jetë në Vatikan, në moshën 83 vjeçare, kardinali Agostino Casaroli, njeri i dialogut, protagonist në detyrën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, nё kohёn e papёnisё sё Gjon Palit II, i së ashtuquajturës Ostpolitik të Selisë së Shenjtë. Fjala është për dialogun e gjatë e të mundimshëm të Kishës Katolike me regjimet komuniste në vitet para rënies së Murit të Berlinit.

Veprimtaria diplomatike e Kardinalit Casaroli i ka shoqëruar 5 Papë: Piun XII, me të cilin nisi bashkëpunimi që nga viti 1940;  Gjonin XXII, që shpalli Koncilin e II Ekumenik të Vatikanit e nisi stinën e re të Kishës; Palin VI, që vijoi trashëgiminë e lënë nga Papa Roncalli e, me të gjitha vështirësitë, vijoi përpjekjet e hapjes e të dialogut të Kishës me modernitetin, duke kërkuar një konfrontim, nganjëherë vërtet problematik e kompleks, edhe me sistemet politike të mbështetura mbi marksizmin e leninizmin; Gjon Palin I dhe Gjon Palin II.

Papës Katrol Wojtilla sllav, të “ardhur nga larg”, Casaroli qe Sekretar i Shtetit. Kardinali Agostino Casaroli qe negociator me aftësi të rralla ndërmjetësimi; njeri i dialogut, ndërtues i shkathtë i kontakteve, dëgjues i durueshëm e kërkues i palodhshëm i marrëveshjeve të mundshme. Papa Gjon Pali II gjatë Meshës së dritës e kujtoi “si shërbëtor të urtë të paqes”. Ndërtues i paqes: ja aspekti themelor që shpreh busullën e veprimit të kardinalit Casaroli me një “dashuri të thellë në shërbim të kauzës së paqes” që kishte. Për këtë - e pohoi personalisht - ai kërkoi “një bashkëpunim të përhershëm ndërmjet Kombeve e brenda tyre, i bindur se bashkëpunimi ishte një imperativ moral e një domosdoshmëri, sidomos sot, për vetë mbijetesën e njerëzimit: dashuria dhe bindja përherë të frymëzuara e të mbështetura nga fjalët dhe veprat e Papëve që ka shërbyer.

Të kërkosh, të ndërtosh paqen e t’i sigurosh Kishës kushtet për zhvillimin e veprimtarisë së saj në liri e në paqe: kjo qe vepra e kardinali Agostino Casarolit plot durim e mundim; për këtë shpenzoi jetën plot besim, duke ditur se paqja para se gjithash e mbi të gjitha është dhuratë e Zotit, për t’u kërkuar përmes lutjes e fesë së patundur. 

Natyrisht, nga Ostpolitika (1963-1989) ishte krejtësisht e përjashtuar Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës, e cila kishte vendosur ta mohonte Zotin me Kushtetutë e ta persekutonte këdo që e zinte në gojë, apo i shërbente. Përsa i përket kardinalit Casaroli, jo të gjithë ipeshkvijtë katolikë të Lindjes ishin dakord me nismat e tij diplomatike, por mbetet i pamohueshëm vullneti i tij i mirë për të siguruar atë çka ishte e mundur për Kishën e Lindjes, në një kohë kur mbretëronte Lufta e Ftohtë.

Lidhur me këtë periudhë e çështje, ja çfarë pati thënë për kardinal Agostino Casarolin, njëri prej atyre që ishte për vite me radhë bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, kardinalit Achile Silvestrini:

Duhet të mendojmë se kur kardinali Casaroli filloi në vitin 1963, sapo kishte nisur Koncili Ekumenik II i  Vatikanit dhe Papa Gjoni XXIII donte që të vinin ipeshkvijtë e Lindjes në këtë ngjarje të rëndësishme të Kishës Universale. Kardinali Casaroli shkoi të takonte kardinalin Mindszenti, që ishte refugjat në ambasadën e SHBA-ve pas falimentimit të revoltës hungareze më 1956. Shkoi edhe të shihte kardinalin Beran, i cili qëndronte në një vend të fshehtë, nga ku i kishte shkruar Papës një letër, ku e pyeste: “Çka të bëjmë për Kishën tonë?”. Takimi i Casarolit me Beranin hapi mundësinë për t’u marrë me Çekosllovakinë. Më pas, i gjithë impenjimi i tij diplomatik  ishte në negociatat plot durim me Jugosllavinë, Hungarinë, Bullgarinë, Çekosllovakinë për të rilidhur marrëdhëniet, që ishin ndërprerë krejtësisht. Element tjetër i Ostpolitikës ka qenë Konferenca e Helsinkit, e nxitur dhe e kultivuar prej tij. Propozimi pat ardhur nga Lindja dhe kardinali Casaroli e pati kuptuar se nëse Selia e Shenjtë do të hynte me të drejta të plota ndër Shtetet anëtare të Konferencës së Helsinkit, do të kishte më shumë legjitimitet në çdo negociatë, rast për rast. Pra, kjo pjesëmarrje, që filloi më 1972 dhe u kurorëzua me nënshkrimin e Dokumentit përfundimtar, hartuar nga kardinal Casaroli, në Helsinki më 1975, dha mundësinë më pas të bëheshin vizita, negociata e të lidheshin kontakte në të gjitha vendet.

Në konferencën e Helsinkit (1973-75), mes tjerash u arrit njohja e qartë e lirisë fetare (parimi 7-të i Aktit përfundimtar), që e legjitimonte formalisht Kishën të udhëhiqte negociata bilaterale me qeveritë. Kujtojmë se Shqipëria i nënshkroi aktet e Konferencës së Helsinkit vetëm në vitin 1990. Në të bëhej fjalë për sigurinë në Evropë; për bashkëpunimin ekonomik, shkencor, teknik e ambiental; dhe për të drejtat e njeriut.

Duhet pёrmendur edhe rishikimin e Konkordatit ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë, që solli ndryshime në Paktet Lateranense të vitit 1929. Konkordati i ri u nënshkrua më 1984, nën papninë e shën Gjon Palit II, nga Sekretari i atëhershëm i Shtetit të Vatikanit, kardinali Agostino Casaroli, dhe nga kryeministri italian, Bettino Craxi.

09 qershor 2020, 13:34