Kërko

Vatican News

Fillon ankandi “We run together”. E Papa dhuron një biçikletë të Peter Sagan

Kampionët e sportit hapin virtualisht dyert e shtëpive dhe të vendeve të stërvitjes: të shumta, objektet në ankandin bamirës “We run together”, në këmbim të donacioneve për spitalet e Bergamos e të Brescia-s, sprovuar rëndë nga Covid-19.

R.SH. - Vatikan

Me ngjyrat e Vatikanit, bardh e verdh, biçikleta, që kampioni i botës Peter Sagan, i pati dhuruar Papës Françesku, është që sot në ankandin e menduar për të mbledhur fonde në favor të spitaleve italiane si ai i Bergamos e ai i Brescia-s, sprovuar rëndë nga pandemia e koronavirusit. Që nga dita e sotme e deri më 8 gusht, jo vetëm Peter Sagan, i cili u shpreh me entuziazëm për këtë nismë, por edhe protagonistë të tjerë të sportit do të vënë në dispozicion për ankandin, objekte të rëndësishme të fitoreve të tyre, por do të hapin edhe dyert e shtëpive e do t’i bëjnë shikuesit pjesëmarrës në orët e stërvitjes. Gjithçka zhvillohet në platformën dixhitale www.charitystars.com, ndërsa nisma quhet “We run together” (Ne vrapojmë së bashku).

Vlerat e sportit, në favor të spitaleve

 Në të vërtetë, synimi nuk është vetëm bamirësia për spitalet e për personelin shëndetësor, në vijën e parë të frontit kundër Covid-19, por edhe dëshmia se mund të jetohet “sporti sipas Papës Françesku”, pra, si “urë paqeje, që bashkon gratë e burrat me fe dhe kultura të ndryshme, duke promovuar përfshirjen, miqësinë, solidaritetin, edukimin”. Kështu tha vetë Ati i Shenjtë, më 20 maj, gjatë takimit me skuadrën sportive vatikanase “Athletica Vaticana”, që e pati këtë ide, e cila, duke filluar nga dita e sotme, realizohet në bashkëpunim me grupin sportiv të Rojes italiane të Financës “Fiamme Gialle”, me Oborrin e Jo Besimtarëve dhe me Fidal-Lazio (dega laciale e Federatës Italiane të Atletikës).

Sportistët e përfshirë në nismë

Alex Zanardi, për shembull, ka dhënë për ankand bluzën me të cilën piloti i Formula Uno-s, mbetur pa këmbë, fitoi medaljen e artë në Paralimpiadën e Rio de Zhanejros. Në grupin e parë të sportistëve bëjnë pjesë edhe kapiteni i skuadrës së futbollit të Romës, Francesco Totti, kampionia italiane e notit Federica Pellegrini, vëllezërit Abbagnale, simbole të kanotazhit, kampionë të skermës e shumë të tjerë.

Pas një jave, ata do t’u lënë vendin sportistëve të tjerë, gjithnjë kampionë botërorë, e kështu do të bëhet nga java në javë, deri më 8 gusht. Do të marrin pjesë skuadra futbolli si Juventusi, Milani, Lazio, Brescia e, madje, edhe firma të njohura për garat me makina, si Ferrari e Lamborghini. Do të kujtohet atleti italian Pietro Mennea dhe vlerat, që pati mishëruar në sport, përmes një videoje veçanërisht emocionuese. Kujtojmë se atleti, politikani dhe eseisti italian, i mbiquajtur “Shigjeta e Jugut”, mbajti rekordin botëror të 200 metrave për 17 vjet me radhë e akoma sot, ai është rekord evropian. E nuk do të mungojnë surpriza, pasi gjithnjë e më shumë po shtohen atletët dhe skuadrat sportive, që duan të marrin pjesë në këtë ankand bamirës, duke iu përgjigjur thirrjes së Papës Françesku. Edhe vetë Ati i Shenjtë nuk vë në dispozicion të ankandit vetëm biçikletën e Sagan-it, por edhe objekte të tjera me vlerë për koleksionistët.

08 qershor 2020, 12:31