Kërko

Vatican News
2020.06.10 - Corpus Domini - Eucaristia 2020.06.10 - Corpus Domini - Eucaristia 

Korpi Krishtit, festë e Eukaristisë

Solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit Zot është festa e Eukaristisë, Sakrament, në të cilin, Jezusi na la kujtimin e gjallë të Pashkëve të Tij, ngjarje qendrore në historinë e njerëzimit. Eukaristia është në qendër të jetës së besimtarëve. Në të, Krishti i dhurohet Atit Qiellor për ne, na bërë pjesëtarë të vetë flijimit të vet, e na dhurohet si bukë e jetës për të na mbështetur në shtegtimin tonë nëpër rrugët e botës.

R.SH. - Vatikan

Corpus Domini – solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit Zot është festa e Eukaristisë, Sakrament, në të cilin, Jezusi na la kujtimin e gjallë të Pashkëve të Tij, ngjarje qendrore në historinë e njerëzimit. Është diçka e bukur që në këtë festë besimtarët shtrëngohen rreth të Shenjtnueshmit Sakrament të Eukaristisë – do të thotë  rreth Korpit e Gjakut të Jezu Krishtit Zot e Shëlbues - për ta adhuruar, dhe Atë e shoqërojnë me procesion nëpër rrugë, sheshe, duke shpreh, me shumë shenja devocionin, fenë në Krishtin e Gjallë dhe gëzimin për praninë e Tij në mes tyre. 

Duke e kundruar vazhdimisht fytyrën e Fjalës së Mishëruar, pra Jezu Krishtin, që është realisht i pranishëm në Sakrament të Eukaristisë, të krishterët kanë mundësinë të ushtrohen në artin e lutjes, të përforcohen në besimin e tyre në Hyjin edhe të impenjohen ta jetojnë jetën e krishterë në realitetin e përditshme. Kështu, kundrimi i Krishtit Eukaristi, bëhet dhe vërtetë është, burim i domosdoshëm për të ushqyer jetën shpirtërore dhe për të dëshmuar bukurinë e Ungjillit. Eukaristia, pra, është në qendër të jetës së Kishës e të besimtarëve. Në të, Krishti i dhurohet Atit Qiellor për ne, duke na bërë pjesëtarë të vetë flijimit të vet, e ne na dhurohet si bukë e jetës për të na mbështetur në shtegtimin tonë nëpër rrugët e botës. 

Simbolet themelore të kremtimit janë Korpi e Gjaku i Krishtit, që Zoti ia dhuroi të vetëve të Enjten e Madhe të Pashkëve, para se të largohej nga Çenakulli për në Malin e Ullinjve. Na çojnë në atmosferën intime të Pashkëve të izraelitëve, në kujtim të Pashkëve të para, kremtuar në Egjipt. E pikërisht në një natë të tillë Jezusi del e dorëzohet në duart e tradhtarit: Fiton kështu mbi natën, fiton mbi errësirën e së keqes. Vetëm kështu përmbushet dhurata e Eukaristisë, e themeluar në Çenakull. Jezusi dhuron vërtetë Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e gjallë, manë e vërtetë, ushqim i pashtershëm për të gjithë shekujt. Korpi bëhet bukë e jetës.

Simbolik është edhe procesioni i së Enjtes së Madhe të Pashkëve, kur Kisha e shoqëron Jezusin në Malin e Ullinjve për të mos e lënë vetëm në natën e botës, në natën e tradhtisë, në natën e indiferencës së shumëkujt. Në festën e Corpus Domini e bëjmë përsëri këtë procesion, por tani me gëzimin e Ringjalljes, sepse Zoti është i Gjallë e na prin, ashtu siç u pati prirë apostujve në Galilé. Mase dy mijë vjet më parë, në sa u printe në dy drejtime, Jezu Krishti u dha nxënësve të vet dy mandate kryesore: “Shkoni e mësojini të gjithë popujt” – dhe - “Mos më ndaloni, sepse nuk jam ngjitur ende tek Ati”.

E Jezusi na prin pikërisht drejt Hyjit At, ngjitet në lartësinë e Hyjit e na fton ta ndjekim, sepse caku i vërtetë i shtegtimit tonë njerëzor mbi tokë është bashkimi me Zotin, i cili vijon të na ftojë të ecim nëpër rrugët e botës duke ua çuar Ungjillin të gjithë popujve e duke ua dhuruar dashurinë e tij njerëzve të të gjitha kohërave. Kështu të dy procesionet, ai i Udhës së Kryqit dhe ky i Korpit të Krishtit Zot (Corpus Domini), na kujtojnë të njëjtën thirrje: “Çojeni Ungjillin deri në kufijtë më të largët të botës”.

Eukaristia, themeluar nga Jezu Krishti në familjen e tij të re, të përbërë nga Dymbëdhjetë Apostujt, është Sakrament intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë, kur  besimtarëve u jepej kungimi, shqiptoheshin fjalët: “Sancta sanctis – dhuratë e shenjtë për ata që shenjtërohen”. E Shën Pali, duke iu drejtuar Korintianëve, na kujton: “Secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë e të pijë nga ky Kelk!”.

Megjithëse Eukaristia ka karakter familjar, forca e saj shkon përtej mureve të Kishave tona, sepse në këtë Sakrament, Zoti Jezus është gjithnjë për udhë, drejt njerëzimit në mbarë botën. Ky aspekt universal i pranisë Eukaristik bëhet i dukshëm në festën e Korpit dhe të Gjakut të Krishtit, sepse Kisha e çon Krishtin, të pranishëm në trajtën e bukës, nëpër rrugët e sheshet e qyteteve e të fshatrave. Kisha ia beson këto rrugë, sheshe, shtigje e këto shtëpia, ia beson jetën tonë të përditshme Mirësisë e Përdëllimit të Tij Hyjnor. Qofshin, pra, rrugët tona, rrugët e Jezusit! Shtëpitë tona qofshin për Të e me Të. Jeta jonë e përditshme u përshkoftë nga prania e Tij. Procesioni është bekim i madh për rrugët e botës, sepse përmes tij Kisha vë para syve të Zotit vuajtjet e të sëmurëve, vetminë e të rinjve e të pleqve, tundimet, frikën gjithë jetën njerëzore.

Kujtojmë sot edhe mandatin e Krishtit: “Merrni e hani!” e simbolin e bukës, përmes së cilës bashkohemi me Jezusin Zot e Shpëtimtar, e ta lemë veten të përshkohemi nga Ai që është Zot, Krijues, Shpërblyes. Jeta jonë le shkrihet me të Tijën, të shndërrohet në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Kështu Adhurimi e procesioni Eukaristik bëhen pjesë e gjestit të vetëm të bashkimit tonë me Zotin.

11 qershor 2020, 09:18