Kërko

Vatican News

Emërimet e reja në Komisionin papnor për veprimtaritë shëndetësore

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin caktoi anëtarët e grupit të krijuar nga Papa, në përkrahje të administrimit të strukturave shëndetësore në Kishë. Emërimet e sotme vlejnë për trevjeçarin 2020-2023.

R.SH. - Vatikan

Me mandat të Papës Françesku, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, caktoi sot anëtarët e rinj të “Komisionit Papnor për veprimtaritë e personave juridikë publikë të Kishës në sektorin shëndetësor” për periudhën 3-vjeçare, qershor 2020 - qershor 2023. Lajmi njoftohet nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Emrat e ekspertëve

Papa konfirmoi në detyrën e kryetarit, imzot Luigi Mistò, president i Fondit të Asistencës Shëndetësore të Selisë së Shenjtë (FAS). Ndërkaq, anëtarë të Komisionit do të jenë: ish-drejtori i Karitasit të Shqipërisë, imzot Segundo Tejado Muñoz, zv.sekretar i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor; Renato Balduzzi, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit në Milano; avokati Giovanni Barbara, profesor i së Drejtës Tregtare; Saverio Capolupo, magjistrat tatimor; Fabrizio Celani, kryetar i Shoqatës Italiane Katolike të Punonjësve të Shëndetësisë; Maurizio Gallo, sipërmarrës në sektorin e konsulencës dhe të marrëdhënieve institucionale.

Njëkohësisht, don Marco Belladelli, asistent kishtar i Bashkimit Katolik të Farmacistëve Italianë, u emërua drejtor i Zyrës së Komisionit, “me të drejtë, për të marrë pjesë, me zë dhe votë, në veprimtaritë e saj”. U konfirmua si sekretare e Komisionit, motër Annunziata Remossi, funksionare e Kongregatës për Institutet e Jetës së shuguruar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. “Komisioni mund t’u kërkojë këshilla sipas rastit, ose në mënyrë të vazhdueshme, teknikëve dhe administruesve të sektorit, duke vlerësuar përvojat e kaluara, mund të delegojë një pjesë të funksioneve në duart e një, ose më shumë anëtarëve dhe, të krijojë nën-komisione”. Emërimet janë të vlefshme për 3 vite.

Falenderimi për ata, që largohen

Me rastin e këtyre emërimeve, kardinali Parolin u shprehu mirënjohjen për “shërbimin e kryer me kompetencë dhe gatishmëri bujare”, anëtarëve të Komisionit, që largohen, e, duke ripohuar nevojën për njerëz të çmuar si ata, në çastin aktual të jetës së Kishës, u kujdes që “të japë këshilla e sugjerime për fazën e re të veprimtarisë së Komisionit Papnor, në mënyrë që ai të vihet gjithnjë e më shumë, me autoritet dhe frytshmëri, në shërbim të botës katolike të shëndetësisë, duke kryer ato detyra, që Ati i Shenjtë Françesku ia ka besuar që me Reskriptumin e themelimit, detyra që, edhe në dritën e emergjencës aktuale shëndetësore, nuk e kanë humbur rëndësinë dhe urgjencën e tyre”.

16 qershor 2020, 14:23