Kërko

sc0122A_00046Baem.jpg

Dignitatis Humanae: kështu e sanksionoi Koncili të drejtën për liri fetare

Gjatë viteve të kaluara diskutohej vetëm për interpretimin e teksteve, sot, vihen në diskutim vetë dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Të kujtojmë si u arrit në Deklaratën konciliare, gur kilometrik në historinë e Kishës.

ANDREA TORNIELLI

“Ky Koncil i Vatikanit deklaron se njeriu ka të drejtën e lirisë fetare”. Ishte 7 dhjetori i 55 viteve më parë dhe ipeshkvijtë e mbledhur në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, miratonin një nga dokumentet konciliare më të diskutuara, Deklaratën “Dignitatis humanae” mbi lirinë fetare. “Përmbajtja e kësaj lirie – pohohet në dokument – është që njerëzit duhet të jenë imunë ndaj detyrimit me forcë nga ana e individëve, grupeve shoqërore, ose çdo lloj pushteti njerëzor, në mënyrë që, përsa i përket fesë, askush të mos detyrohet të veprojë kundër ndërgjegjes së vet e as të pengohet, brenda kufijve të arsyeshëm, që të veprojë në përkim me të: privatisht a publikisht, në formë individuale a shoqërore. Gjithashtu, deklaron se e drejta e lirisë fetare bazohet vërtet në vetë dinjitetin e njeriut, ashtu siç e bëri të njohur fjala e zbuluar e Zotit dhe vetë arsyeja. Kjo e drejtë e njeriut për liri fetare duhet njohur dhe sanksionuar si e drejtë civile në legjislacionin e shoqërisë”.

Kontributi i Papës Montini

Teksti i “Dignitatis humanae” u ndryshua rrënjësisht përmes 5 bocave, para se të miratohej. Problemi themelor, që krijonte më shumë vështirësi, ishte mënyra e përkufizimit të lirisë fetare. Në skemën e dytë, që u përgatit, ajo paraqitej si e drejtë pozitive, si aftësi për të vepruar dhe si e drejtë, ushtrimi i së cilës nuk duhej penguar. “Por që në skemën e tretë – kujton kardinali domenikan Jérôme Hamer, asokohe, një nga ekspertët teologë, që bashkëpunuan për hartimin e Deklaratës – mëdyshja për lirinë fetare përkufizuar si e drejtë pozitive e negative ishte zhdukur. Tashmë, flitej për të drejtën e imunitetit, për të drejtën që të mos detyrohej askush, nga asnjë pushtet njerëzor, jo vetëm në formimin e ndërgjegjes në fushën fetare, por edhe në ushtrimin e lirë të fesë”. Kontribut vendimtar për formulimin e dokumentit dhe për përkufizimin e lirisë fetare si imunitet pati dhënë Papa Pali VI, i cili, gjatë një audience publike, më 28 qershor 1965, duke e përshkruar lirinë fetare, pati thënë: “Do ta shihni të përmbledhur pjesën më të madhe të kësaj doktrine kryesore në dy propozime të famshme: në fushën e fesë, askush të mos pengohet! Askush të mos detyrohet!” (nemo cogatur, nemo impediatur).

Urdhri për të votuar bocën

Debati në sallë u ndez jashtëzakonisht, me 62 fjalime e me rreth 100 kontribute me shkrim. Vështirësitë ishin të tilla sa organizmat drejtuese të Koncilit vendosën të votohej teksti, siç kërkonte Sekretaria për Bashkimin e të Krishterëve. Frika e etërve konciliarë ishte gjithnjë po ajo: u jepeshin të drejta të barabarta si “atyre, që ishin në të vërtetën, ashtu edhe atyre, që ishin në gabim”, propozohej një model “Shteti neutral, i dënuar nga Kisha” dhe një doktrinë “në kundërshtim me atë tradicionale të Kishës në këtë fushë”. Më 21 shtator, Papa Montini vendosi të ndërhyjë, duke u dhënë urdhër etërve konciliarë të votojnë dhe duke u kërkuar që teksti të ishte bazë për deklaratën e mëpasme. Nga 2.222 të pranishmit, votuan pro tekstit 1.997 vetë, kundër 224 dhe një votë u anulua. Kardinali Pietro Pavan e quajti “historike” ndërhyrjen papnore.

Dinjiteti i njeriut

Teksti përfundimtar i dokumentit, në paragrafin e parë, thotë: “E meqë liria fetare… ka të bëjë me imunitetin nga detyrimet e shoqërisë civile, ajo e lë të paprekur doktrinën tradicionale katolike përsa i përket detyrimit moral të individëve dhe të shoqërisë ndaj fesë së vërtetë e ndaj Kishës së vetme të Krishtit”. Pra, njohja e së drejtës për lirinë fetare nuk e vendos të vërtetën dhe gënjeshtrën në të njëjtin plan e as i lë shteg indiferencës, ose arbitraritetit në fushën fetare. “Meqë mbetet detyra për formimin e ndërgjegjes së vërtetë – vëren jezuiti, atë Gianpaolo Salvini, shkrimtar i revistës “La Civiltà Cattolica” – nuk ka asnjë kundërvënie me vetëdijen e Kishës se ajo përfaqëson fenë e vetme të vërtetë… Baza e lirisë fetare pohohet kështu me siguri dhe hyn në doktrinën katolike mbi dinjitetin e njeriut. Gjithashtu, shihen në mënyrë të re marrëdhëniet me të dhënat biblike e me zbulesën hyjnore, ku, megjithëse nuk flitet shprehimisht për këtë të drejtë (që është përcaktim civil e juridik), vihet në dukje dinjiteti i njeriut në gjithë shtrirjen e tij, në pajtim me lirinë e besojmës së krishterë”.

Kundër ateizmit shtetëror në vendet e Evropës Lindore

 “Kontributi personal i Papës Pali VI në atë dokument konciliar qe vendimtar”, dëshmon kardinali Pietro Pavan. Papa nxiti të votohej skema, që e përkufizonte lirinë fetare si të drejtë për imunitet. Kontributi i Montinit duhet interpretuar edhe në dritën e udhëtimit të rëndësishëm në OKB, në tetor 1965, si edhe të kontakteve fillestare me regjimet komuniste përtej Perdes së Hekurt, që kishin për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së të krishterëve e, në përgjithësi, të popullsive nën diktaturë. Deklarata “Dignitatis humanae” mbi lirinë fetare do të bëhej një mjet i dobishëm për të kërkuar respektimin e kësaj së drejte elementare në vendet, ku mbretëronte ateizmi shtetëror, ndër të cilët Shqipëria.

15 qershor 2020, 13:28