Kërko

Vatican News
Papa nderit Benedikti XVI Papa nderit Benedikti XVI  (AFP or licensors)

Papa i nderit kthehet në Romë

Benedikti XVI është kthyer sot në Rom, pas vizitës tek i vëllai Georg, në Regensburg, të enjten mё 18 qershor, i cili ёshtё shumë i sëmurë.

R.SH. - Vatikan

Qëndrimi i Benediktit XVI në Regensburg përfundoi sot. Benedikti XVI, mbërrini në aeroportin romak tё Ciampinos në 12.53 nga Mynihu, ku u nis në 11.42. Papa i nderit shkoi në Regensburg të enjten, mё 18 qershor, për t'u takuar edhe një herë me të vëllain Georg, i cili ёshtё shumë i sëmurë. Dioqeza e Regensburgut njoftoi për kthimin e Benediktit XVI në Romë, sot më 22 qershor.

Papa Ratzinger gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Regensburg u shoqërua nga imzot Georg Gaenswein, nga mjeku, një infermier, nga njëra prej murgeshave “memores domini” dhe nga zv.komandanti i Trupave vatikanase të Xhandarmërisë.

Ndërsa, dje, e diela e 21 qershorit, për Papën e nderit qe ditё "pushimi": Joseph e Georg Ratzinger kremtuan së bashku Meshën e mëngjesit, si në ditët e mëparshme. Papa i nderit pastaj rreth 18.30 vizitoi Katedralen e Regensburgut ku që dje është ekspozuar, pёr kultin e besimtarëve, relikuiari  i pajtorit qiellor tё dioqezës së Regensbugrut, Wolfgang. Katedralja mbeti e mbyllur gjatë vizitës së Papës sё nderit.

Gjithnjë dje në Katedralen e qytetit, në Meshën solemne kremtuar nga nunci apostolik në Gjermani, kryeipeshkvi imzot Nikola Eteroviç deshi të përshëndeste praninë e Benediktit XVI në emër të Papës Françesku: "Kam nderin të përshëndesë Papën e nderit edhe një herë këtu në Gjermani, megjithёse në kёtё situatë jo të lehtë".

Nunci Apostolik në Berlin, imzot Eteroviç u takua personalisht me Papën e nderit dhe tha se është qartë që Benedikti XVI gjendet mirë në Regensburg. Nikola Eteroviç falënderoi ipeshkvin, besimtarët dhe qytetarёt e Regensburgut për "respektin e miqësinë që e bёn Papën e nderit të ndjehet në qytetin e Bavarisë si në shtëpi e nё familje.

Gjithmonë shumë të lidhur me njëri-tjetrin, dy vëllezërit Joseph e Georg Ratzinger, të ndarë që kur ishin 3 vjeç, u shuguruan meshtarë në të njëjtën ditë, më 29 qershor 1951, në Katedralen e Frajsingut. Rrethanat e jetës i çuan në drejtime të ndryshme - muzikant i shkëlqyer Georgu, teolog me nivel Jozefi - por lidhja e tyre mbeti gjithnjë e fuqishme. Dëshmi për këtë janë sidomos vizitat e shumta të Georg Ratzinger në Vatikan, në periudhën 2005-2013, gjatë viteve të papnisë së të vëllait e, edhe pas dorëheqjes së Benediktit XVI.

22 qershor 2020, 10:13