Kërko

Vatican News
 Papa Françesku e Zoja Lurdë,, në Kopshtet e Vatikanit Papa Françesku e Zoja Lurdë,, në Kopshtet e Vatikanit 

Sot, Rruzarja me Papën. Fisichella: ia besojmë botën Marisë

Shenjtëroret e mbarë botës në lidhje me Françeskun, nga Shpella e Lurdës në Kopshtet e Vatikanit, do të lartojnë sot pasdite, njëzëri me Papën, lutjen e tyre për fundin e pandemisë. Kryetari i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, që organizon kremtimin, kujton, në mikrofonet tona, forcën e lutjes dhe rëndësisnë që ka, kur thuhet së bashku, nëpër shtëpi e në familje, për njerëzimin, që vuan e lufton.

Takimi është sot, në orën 17.30: një lutje drejtuar Marisë, Virgjërës e Nënës, në mondovizion, nga Shpella e Lurdës në Kopshtet e Vatikanit, në bashkim me Shenjtëroret kryesore të pesë Kontinenteve. “Ngulmues,  njëmendjeje e njëzemre në lutje, së bashku me Marinë” (krh Vap 1,14), kjo është tema.

Papa Françesku dhe Rruzarja e thënë së bashku në Shenjtëroret e botës

Do të jetë një çast i jashtëzakonshëm për të kërkuar ndihmën përballë pandemisë, që deri më sot shkaktoi në botë 6 milionë infektime e më se 360 mijë të vdekur. Për vlerën e nismës, na flet imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri, organizator i lutjes:

“Vlera është sepse synon ta mbajë të bashkuar botën, familjet tona, të nxisë lutjen në shtëpitë tona, të rizbulojë sa rëndësi ka Rruzarja, që thuhet në shtëpitë tona, së bashsku me famijet tona. Papa është shumë i kënaqur për këtë nismë. Ai do të marrë pjesë drejtpërdrejt, e me të do të bashkohen mijëra besimtarë, posaçërisht 40 shenjtëroret më të njohura të kombeve të ndryshme: do të jetë Aparesida në Brazil e Lujàn në Argjentinë,  do të jenë shenjtëroret e Koresë dhe ajo e Fatimës, e Lurdës, e Czestochowes, e Zojës së Banneux, Shenjtërorja italiane e Loretos, e Shën Giovanni Rotondos, së bashku me shumë të tjera. Sfidë e vërtetë kundër coronavirusit".

Si do të realizohet lidhja me shenjtëroret, domethënë, si u mendua organizimi i ngjarjes?

“Nuk duhet harruar se publiku në shtëpitë - me që kemi të bëjmë me një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv - do ta shikojë Papën Françesku në lutje para Shpellës së Lurdës e, gjëja më interesante, që nuk e dinë të gjithë, është se altari i Shpellës, është altari i parë, që ndodhej në Shpellën e Lurdës. Pastaj iu dhurua Papës. Pastaj, së bashku me Atin e Shenjtë, do ta thonë Rruzaren disa njerëz; një mjek, një infermiere, një kapelan nga spitali Spallanzani…pastaj, njerëz, që u sëmurën dhe u shëruan, përfaqësues të mbrojtjes civile, të vullnetariatit… E do të jetë edhe Jakobi, që lindi në këtë kohë. Ferishte një muajsh, shoqëruar nga prindërit. Jakobi është simbol shprese. Na kujton se jeta vazhdon, se njeriu u bë për jetën, për të jetuar!”.

30 maj 2020, 10:29