Kërko

1589875957642.jpg

Selia e Shenjtë: përgjigje globale dhe transparencë për të ndihmuar të gjithë

Pandemia, Kisha dhe solidariteti në fjalën e kryeipeshkvit Ivan Jurkovič, përfaqësuesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës, në Asamblenë e 73-të Botërore të Shëndetësisë. Kriza aktuale shëndetësore vë në dukje ndërvarësinë tonë: rruga është ajo e përvijuar nga Papa Françesku, për të mos lënë askënd mbrapa.

R.SH. - Vatikan

Emergjenca ndërkombëtare, shkaktuar nga koronavirusi, e ka vënë njerëzimin përpara një situate të pashembullt në histori. Sot, më shumë se kurrë, shihet qartë se kombet e popujt varen nga njëri-tjetri, prandaj shëndeti duhet konsideruar si pasuri e çmuar, për t’u mbrojtur me masa të koordinuara dhe me solidaritet në nivel global. Kjo është bindja e shprehur nga përfaqësuesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës, kryeipeshkvi Ivan Jurkovič, gjatë Asamblesë së 73-të botërore të Shëndetësisë, organi drejtues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, punimet e së cilës, për herë të parë këtë vit, u zhvilluan në videokonferencë.

Kontributi i Kishës

          Prelati theksoi me ngulm kërkesën e përsëritur shpesh nga Papa Françesku, për të mos i braktisur njerëzit më të ligshtë, që jetojnë në periferitë e botës. Pandemia e sotme mund ta keqësojë gjendjen, sidomos në ato rajone, ku kishte edhe më parë emergjenca të ndryshme, uri e paqëndrueshmëri. Imzot Jurkovič nënvizoi kontributin e Kishës në “përgjigjen globale” për përballimin e Covid-19. Janë 5 mijë, spitalet katolike dhe mbi 16 mijë, dispanseritë e Kishës Katolike, që ofrojnë pa u lodhur “asistencë shëndetësore për të gjithë, duke u siguruar veçanërisht të varfërve dhe të mënjanuarve, mundësinë për t’u kuruar dhe për të pasur ilaçe”. Një mendim, edhe për “urdhrat e shumta fetare, famullitë dhe meshtarët” në vijën e parë të frontit. Kryeipeshkvi përmendi kontributin e Selisë së Shenjtë në Fondin e emergjencës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “për furnizimin me pajisje mbrojtëse individuale për punonjësit e shëndetësisë”.

Armëpushimi dhe vaksinat

          Selia e Shenjtë shprehu mirënjohjen e saj për Organizatën, e cila, në dialog me të gjithë krerët fetarë, ka dhënë udhëzimet e duhura që “kremtimet dhe takimet fetare të mbahen në përputhje me masat e nevojshme shëndetësore”. Imzot Jurkovič nënvizoi përkrahjen për thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i cili, që në fillim të pandemisë, kërkoi “një armëpushim të menjëhershëm global në çdo skaj të tokës” për të lehtësuar hyrjen e ndihmave humanitare. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë vuri në dukje edhe ftesën e Papës Françesku për lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare dhe për faljen e pjesshme, ose të plotë, të borxhit publik, që çdo shtet të jetë në gjendje të përballojë emergjencën dhe të kujdeset si duhet për qytetarët e tij. Së fundi, me fjalët e Atit të Shenjtë, imzot Jurkovič kërkoi bashkëpunim ndërmjet shkencëtarëve, që, në mënyrë transparente dhe pa interes, të gjendet vaksina dhe trajtimi i duhur për të gjithë të sëmurët e botës.

19 maj 2020, 18:02