Kërko

ECCO ATHLETICA VATICANA  ECCO ATHLETICA VATICANA  

Papa Françesku: "Sporti është një urë paqeje"

Një delegacion atletësh u takua dje me Papën Françesku pas audiencës së përgjithshme. Atletët duhej të merrnin pjesë në takimin " We run together”, organizuar nga Athletica Vaticana , i cili u shty për shkak të pandemisë. U planifikua edhe një ankand bamirësie, të ardhurat e të cilit, shpjegoi Papa, do t’i shkojnë personelit shëndetësor të spitaleve "Papa Giovanni XXIII" në Bergamo dhe "Fondazione Poliambulanza" në Brescia, atyre "heronjve" që në këto ditë pandemie "po rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët”.

R.SH. - Vatikan

"Ju falënderoj të gjithëve për punën që bëni: çdonjëri bën diçka për komunitetin, për të tjerët. E ky është gëzimi, apo jo? Gëzimi e kënaqësia e të bërit diçka për të tjerët". E ju "u transmetoni bukurinë të tjerëve, bukurinë e sportit, bukurinë e solidaritetit e të ecurit së bashku”. Kështu tha mes tjerash Papa Françesku, gjatë takimit, dje në fund të audiencës së përgjithshëm në Bibliotekën e tij private, me një përfaqësi të vogël atletësh që do të merrnin pjesë në Takimin ndërkombëtar të "We run together – Simul Currebant" organizuar nga Athletica Vatiacana, në bashkëpunim me Grupin sportiv "Fiamme Gialle" të Guardia di Finanza, "Oborri i Gjentilëve" dhe Fidal-Lazio.

Audienca ishte planifikuar për datën 21 maj, gjatë zhvillimit të punimeve të takimit të përmendur, i cili u pezullua për shkak të gjendjes shëndetësore ndërkombëtare shkaktuar nga covid-q19. Në takimin e djeshëm me Papën delegacioni i atletëve u shoqërua nga kardinali Gianfranco Ravasi, president i Këshillit Papnor për Kulturën.

Duke kujtuar moton e meetingut, Papa Françesku tha: "Ju nuk jeni shkëputur nga të tjerët, “You run together’ - 'ju vraponi së bashku, së bashku". Këtu Ati i Shenjtë kujtoi një fragment të Ungjillit nga Gjoni (20,1-9), që flet për dy dishepuj që vraponin drejt varrit të Jezusit në mëngjesin e Ringjalljes: Gjoni, më i ri, arriti i pari tek varri, por nuk hyri, e priti Pjetrin, më të moshuar që nuk ishte i shpejtë. "Ekziston gjithmonë respekti për të pritur tjetrin", theksoi Papa e shtoi, "një gjë shumë e bukur kjo, që duhet të mësojmë, si njerëzim: të ecësh me hapin e njerëzve që kanë një ritëm tjetër, ose të paktën t'i konsiderojmë e t'i integrojmë me hapin tonë".

Të vraposh së bashku do të thotë të mbështetësh njëri në tjetrin: me këtë frymë Athletica Vaticana, grupet sportive "Fiamme Gialle", "Oborri i Gjentilëve" dhe Fidal-Lazio kanë zgjedhur të kontribuojnë konkretisht ndaj urgjencës së tanishme shëndetësore duke organizuar një ankand bamirësie në mbështetje të personelit mjekësor të dy spitaleve italiane që u dalluan në menaxhimin e pandemisë nga Kovidi-19, ‘Papa Giovanni XXIII’ i Bergamos dhe ‘Fondazione Poliambulanza’ e Brescias."Ata janë heronj! - tha Papa -. Të gjithë e jetojnë profesionin e tyre si një vokacion, heroikisht, duke rrezikuar jetën personale për të shpëtuar të tjerët". "Nëse nuk mund të vraponi me këmbët tuaja, ju mund vraponi e garoni me zemrën tuaj", përfundoi Papa duke theksuar "fytyrën e solidaritetit që ka sporti", i cili duhet të jetë një "urë" që "bashkon gratë dhe burrat e feve dhe të kulturave të ndryshme, duke nxitur përfshirjen, miqësinë, solidaritetin dhe edukimin. Kjo është puna e sportit, të jetë 'urë' paqeje".

21 maj 2020, 13:27