Kërko

Vatican News
 Enciklika "Lëvduar qofsh"  dhe të rinjtë Enciklika "Lëvduar qofsh" dhe të rinjtë 

Java “Lëvduar qofsh”: të ndërtojmë së bashku një botë më të mirë!

E shpallur nga Papa, e organizuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm të Njeriut, mbështeur nga një grup katolik, fryt i parë i Lëvizjes katolike Botërore për Klimën, nisi sot Java “Lëvduar Qofsh!”. Do të përfundojë më 24 maj, me një ditë botërore lutjeje. Tema e zgjedhur për nismën: “Gjithçka është e lidhur”.

R. SH. - Vatikan

Java “Lëvduar qofsh”, nga 16 deri më 24 maj, u shpall nga Papa në pesëvjetorin e Enciklikës së tij, me të njëjtin titull, kushtuar kujdesit për shtëpinë e përbashkët. Angazhon të gjitha bashkësitë katolike të mbarë botës e përfaqëson një mënyrë konkrete, propozuar nga famullitë, dioqezat, kongregatat rregulltare, shoqatat, shkollat dhe institucionet e tjera, për të reflektuar mbi temën e për ta thelluar angazhimin e tyre  për kujdesin ndaj Gjithësisë dhe promovimin e ekologjisë së gjithanshme. Gjatë javës parashikohen nisma nga më të ndryshmet on line, që synojnë ndërtimin e një ardhmërie më të drejtë e më të qëndrueshme, për Tokën e për njerëzimin, duke ndjekur vijat e treguara nga “Lëvduar qofsh”, Enciklikë, që  na kujton edhe një herë se “gjithçka është e bashkëlidhur”.

Thirrja e Papës Françesku

Lajmin për këtë ngjarje e dha vetë Papa Françesku më 3 marsin e kaluar, duke ftuar, përmes një video-mesazhi, për një pjesëmarrje sa më të gjerë. Me këtë rast Ati i Shenjtë pohoi: “Ç’tip bote duam t’u lëmë atyre, që do të vijnë pas nesh, fëmijëve, që po rriten? Përsëris thirrjen time urgjente për t’iu përgjigjur krizës ekologjike, britmës së tokës e britmës së të varfërve, që nuk mund të presin më. Të kujdesemi për krijimin, për gjithësinë, dhuratë e Zotit tonë, Krijuesit të mirë!” Prej këndej, thirrja: “Është urgjente  të bëhet shumë më tepër për ekologjinë e gjithanshme!”.

Në Vitin 2020, dy takime vendimtare për ambientin

Pesëvjetori i Enciklikës “Lëvduar qofsh” përkon me dy takime të mëdha botërore kushtuar angazhimit për t’iu kundërvënë krizës së ambientit. E kjo, duke pasur parasysh se sivjet përfundon afati kur vendet duhet të shpallin planet për arritjen e objektivave të marrëveshjes së Parisit mbi klimën e, gjithnjë këtë vit, do të mbahet Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi biodiversitetin, me synimin që “të mbrohen vendet dhe speciet, të cilat mbështesin jetën mbi planet”.

Mësim nga coronavirusi

Dikasteri i Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor nënvizon se mësimet e Enciklikës janë posaçërisht të rëndësishme në rrethanat aktuale të pandemisë së koronavirusit, që e ndali ritmin e jetës në mbarë botën. E kjo na mëson se vetëm me angazhimin e të gjithëve mund të fitojmë jo vetëm mbi virusin, por edhe mbi egoizmin shoqëror, me antikorpet e drejtësisë, të bamirësisë e të solidaritetit. Për të qenë ndërtues të një bote më të drejtë e më të qëndrueshme, të një zhvillimi njerëzor më integral, që nuk e përjashton asnjeri. Posaçërisht kjo pandemi mund të jetë  mundësi edhe për të rrënjosur në ardhmërinë tonë, vlerën e vëllazërimit.  

 

16 maj 2020, 12:02