Kërko

Vatican News
 Rruzarja dhe Engjëlli i Tënzot, kremtuar nga kardinali Comastri Rruzarja dhe Engjëlli i Tënzot, kremtuar nga kardinali Comastri   (Vatican Media)

Comastri përfundon lutjet: me Marinë nuk duhet pasur frikë!

Nga Bazilika e Shën Pjetrit, kardinali Comastri, mëkëmbës i Papës për Qytetin e Vatikanit, kremtoi dje, për herë të fundit, lutjen e Mbretëreshës Qiellore dhe Rruzaren, në orën 12.00: takim që, në kohën e krizës shëndetësore dhe në muajin kushtuar Marisë, u ndoq çdo ditë nga një numër shumë i madh besimtarësh në të gjithë botën, falë transmetimit drejtpërdrejt në streaming

R. SH. - Vatikan

“Për herë të fundit në këtë maj të jashtëzakonshëm, po e themi Rruzaren Shenjte nga Shën Pjetri. Ishte përvojë e mrekullueshme, që u ndoq nga një masë e jashtëzakonshme njerëzish. Zoja bën mrekulli: e kam parë sa herë me sytë e mi!”. Me këto fjalë kardinali Angelo Comastri, mëkëmbës i Papës për Qytetin e Vatikanit, kujtoi dje përfundimin e përvojës të lutjes së Mbretëreshës Qiellore e të Rruzares, nga Bazilika e Shën Pjetrit, në këtë kohë të shqetë, kur pandemia vijon. Ishte takim i jashtëzakonshëm, transmetuar drejtpërdrejt në streaming nga Vatican Media, ndjekur nga besimtarë prej mbarë botës, për të kërkuar ndërmjetësimin e Marisë në çaste kaq të vështira. E kardinali Comastri e përfundoi lutjen mariane me këto fjalë:

“O Zojë e Papërlyer, Ty po ta kushtojmë jetën tonë, familjen tonë, atdheun tonë, mbarë botën tonë. O Mari, bëj me ne, si të thotë zemra jote! E në ditën e fundit të majit tënd, na prano në krahët e tu, na paraqit tek Jezusi  e thuaji: janë bijtë e mi! Atëhere  do të ngazëllejë shpirti ynë, do të nisë Parajsa jonë. E do të madhërojmë Zotin, së bashku me Ty, o Nëna jonë e Papërlyer!”.

Ta lumnojmë Zotin me jetën tonë  

Kardinali Comastri i nxiti besimtarët ta lumnojnë Zotin me një jetë, që përhap aromën e Ungjillit. Me Marinë - përfundoi - nuk duhet të kemi frikë. Nuk duhet të na trembë asgjë:

“Po kërkojmë bekimin e Zotit, që të hyjë në të gjitha zemrat tuaja, në zemrat e atyre, që na dëgjojnë, na ndjekin e luten me ne. E Ati qiellor ju shoqëroftë gjithnjë në shtegtimin e jetës suaj. E zemrat tuaja qofshin gurra paqeje edhe ndër prova. Gjithnjë të bashkuar me Zotin, nën vështrimin e Marisë, nuk duhet pasur kurrfarë frike. Me ndërmjetësimin e Zojës së Papërlyer, ju bekoftë, ju mbrojtët e ju çliroftë nga çdo e keqe Zoti i gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirti Shenjt. Lumnojeni Zotin me jetën tuaj, që përhap aromën e Ungjillit”.

30 maj 2020, 10:23