Kërko

Vatican News

Atë Baggio: nuk mund t’i harrojmë më periferitë ekzistenciale

Zv.sekretari i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor: duhen zgjidhje e bashkëpunim ekumenik, ndërfetar, institucional, për t’iu përgjigjur britmës së njerëzve të shpërngulur brenda një vendi, sot, edhe më të padukshëm.

R.SH. - Vatikan

Misioni i Kishës universale e, akoma më tepër, ai i Papës Françesku, vijon ta shtrijë horizontin drejt periferive fizike dhe ekzistenciale, aty ku banojnë për muaj, vite e dhjetëvjeçarë, në skamje të plotë, familje të tëra, privuar nga gjithçka, nga të drejtat themelore e nga dinjiteti. Ky mision është në qendër të vëllimit të ri të Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, me temë: “Orientime baritore për të shpërngulurit e brendshëm”. Udhëzimet u paraqitën sot në Sallën Markoni të Radio Vatikanit, ku u fol edhe për mënyrën e pritjes, të mbrojtjes, të promovimit e të integrimit të atyre që, për shkak të luftës, të konflikteve etnike, të urisë, të ndryshimeve klimatike, detyrohen t’i braktisin shtëpitë e tyre e të zhvendosen brenda kufijve kombëtarë, në përpjekjen për t’u garantuar të ardhmen fëmijëve. Synimi i Vatikanit është të nxisë ndërhyrje kapilare, në bashkëpunim me të gjithë, ndërhyrje konkrete e jo vetëm me fjalë. Pikërisht për këtë vëllim e për udhëzimet e tij, flet për Vatican News, zv.sekretari i Seksionit të Migrantëve e Refugjatëve, atë Fabio Baggio, i cili është kujdesur për botimin e librit, duke iu përgjigjur sfidës së Papës Françesku:

          Ati i Shenjtë deshi ta fillojë vitin 2020 me një fjalim për Trupin Diplomatik, ku përmendi drejtpërdrejt të shpërngulurit e brendshëm, si temë me përparësi përsa i përket baritorisë së Kishës, temë që shkon përtej kushteve politike e përqendrohet në dashurinë e në shërbimin, që Kisha dëshiron t’u kushtojë gjithnjë njerëzve në periferitë ekzistenciale të botës e të shoqërisë. Mendoj se Ati i Shenjtë deshi të fliste për të shpërngulurit e brendshëm, sepse shpesh mbeten të padukshëm: duke mos kaluar asnjë kufi ndërkombëtar, qëndrojnë brenda vendit të tyre dhe u humbasin gjurmët e bëhen të padukshëm. Që këtej, dëshira jonë si Seksion i Migrantëve dhe Refugjatëve për t’i kushtuar një reflektim më të gjerë të zhvendosurve, duke ftuar për këtë, ekspertë katolikë, organizata ndërkombëtare katolike, që punojnë në këtë front e, në veçanti, konferencat ipeshkvnore të vendeve të ndryshme. Thelbi i dokumentit, që paraqitëm sot, është impenjimi i përtërirë i protagonistëve kryesorë katolikë ndaj atyre, që provojnë, ashtu si Krishti Fëmijë në ikjen nga Egjipti, tragjedinë, dramën e largimit me shpejtësi nga atdheu, nga vendi, nga rajoni, për të jetuar në një rajon tjetër, me të gjitha ligështitë, që karakterizojnë këtë zhvendosje.

          Vëllim, që bazohet mbi katër fjalë, katër veprime të këshilluara nga Papa, për t’iu përgjigjur fenomenit të migracionit: mikpritje, mbrojtje, promovim, integrim…

          Po. Do të doja të nënvizoj një element për secilën prej këtyre fjalëve, që duhen parë në situatat përkatëse e s’mund të mos i mendojmë edhe me shifra. Vetëm në vitin 2019, kemi pasur 33,4 milion të shpërngulur të brendshëm, në 145 vende. Gjithnjë në vitin 2019, konfliktet kanë shkaktuar zhvendosjen e 8,5 milion njerëzve brenda vendeve të tyre, ndërsa rreth 1.900 fatkeqësitë e katastrofat natyrore kanë shkaktuar zhvendosjen e gati 25 milion vetëve, në 140 vende. Janë numra të rëndësishëm, me të cilët duhen parë 4 fjalët, që thamë. Mikpritja, për shembull, kërkon gjithnjë njohjen e kapërcimin e asaj padukshmërie, që shpesh karakterizon të shpërngulurit e brendshëm. Fatkeqësisht, për mbrojtjen, nuk ka akoma zgjidhje ndërkombëtare, por gjithçka u lihet vendeve të veçanta. Përsa i përket promovimit, duhet të mendojmë për përfshirjen e këtyre vëllezërve dhe motrave tona në proceset e zhvillimit, duke i konsideruar pasuri e jo vetëm njerëz, që sjellin probleme. Integrimi has vështirësi sidomos kur ka rivalitete e diskriminime, pra, duhet t’i kapërcejmë këto barriera për ta trajtuar tjetrin si anëtar të së njëjtës familje njerëzore, dashur nga Zoti. Secili është unik dhe i papërsëritshëm, por të gjithë jemi të bashkuar në një familje njerëzore, fryt i krijimit hyjnor.  

          Në tekst gjejmë orientime baritore për kishat e veprimtarët e tyre, por edhe propozime praktike për të përballuar situatën dramatike të të zhvendosurve, që privohen nga arsimi, puna, prona, kujdesi shëndetësor. Pra, thirrja e pestë, e frymëzuar nga Papa, është të veprohet në këtë drejtim…

          Po, sado që vende të ndryshme garantojnë disa të drejta bazë për të shpërngulurit e brendshëm, ka gjendje emergjence, që duhen përballuar me vendime, të cilat mund të çojnë në mbipopullime të paparashikuara. Këto shoqërohen me përjashtime, të cilat lindin nga numri i jashtëzakonshëm i njerëzve, që mbërrijnë papritmas në periferitë e qendrave urbane. Ose, nëse u referohemi kampeve të refugjatëve, duhet të vemë në dukje një sërë vështirësish, që lidhen me nevojën për arsimim, por edhe me nevojat parësore si ushqimi, ilaçet, strehimi, shërbimet higjienike. Prandaj, është shumë e rëndësishme e ne duam ta theksojmë këtë temë, që ta kuptojmë se nevojitet një përpjekje e re bashkëpunimi ndërmjet protagonistëve të ndryshëm. Vërtet, në vëllimin tonë, kemi shtuar edhe fjalën “bashkëpunim”, sepse askush nuk mund ta zgjidhë këtë problem vetëm. Protagonistët janë natyrisht, institucionalë, së bashku me protagonistët katolikë si dioqezat, organizatat dhe kongregatat fetare. Duhet menduar edhe për ata që po punojnë në territor në nivelin ndërfetar e ndërkonfesional. Nevojiten projekte të reja, që mund të na bashkojnë mbi bazën e fesë, ose, së paku, orientime të përbashkëta, frymëzuar nga e njëjta përshpirtëri, për të ndërhyrë së bashku e për të vijuar planet, që kanë filluar të zbatohen.

05 maj 2020, 11:30