Formohet një Komision i ri studimor për diakonatin femëror
R.SH. - Vatikan
Gjatë një audience të kohëve të fundit me kardinalin Luis Francisco Ladaria Ferrer, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, Papa vendosi të krijojë një Komision të ri studimor mbi diakonatin femëror.
Ati i Shenjtë emëroi kryetar të këtij Komisioni kardinalin Giuseppe Petrocchi, kryeipeshkvin e L'Aquila-s (Itali), ndërsa sekretar, atë Denis Dupont-Fauville, funksionar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.
Anëtarët e Komisionit janë: prof.sha Catherine Brown Tkacz, Lviv (Ukrainë); prof. Dominic Cerrato, Steubenville (SHBA); prof. Don Santiago del Cura Elena, Burgos (Spanjë); prof.sha Caroline Farey, Shrewsbury (Britania e Madhe); prof.sha Barbara Hallensleben, Freiburg (Zvicër); prof. Don Manfred Hauke, Lugano (Zvicër); prof. James Keating, Omaha (SHBA); prof. Mons. Angelo Lameri, Crema (Itali); prof.sha Rosalba Manes, Viterbo (Itali); prof.sha Anne-Marie Pelletier, Paris (Francë).
Në fund të Sinodit kushtuar Amazonës, Papa pati njoftuar se dëshironte të formonte një komision studimi mbi diakonatin femëror, për të parë “si ushtrohej diakonati i përhershëm në Kishën e viteve të para”.
Në vitin 2016, Ati i Shenjtë pati themeluar një Komision të parë studimor me detyrën specifike të “studimit të çështjes”, por rezultati qe i pjesshëm. Papa Françesku pati folur më shumë për këtë, gjatë takimit më Bashkimin Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme (Uisg), më 10 maj 2019, duke u dorëzuar murgeshave punën e Komisionit, që u konsiderua “një hap përpara”, megjithëse i vogël.