Kërko

Cardinale Kevin Joseph Farrell, prefetto del Dicastero per i Laici, la Famiglia e la Vita  Cardinale Kevin Joseph Farrell, prefetto del Dicastero per i Laici, la Famiglia e la Vita  

Farrell: e ardhmja ka të papritura, por po punojmë për familjet e të rinjtë

Prefekti i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën shpjegon arsyet e shtyrjes së Takimit Botëror të Familjeve në Romë dhe të DBR-së në Lisbonë. Ne e dimë, thotë kardinali, se, për shkak të koronavirusit, do të duhet kohë për t’u rikthyer në normalitet, por këto ditë janë mundësi për ta lënë mënjanë egoizmin.

R.SH. - Vatikan

Covid-19 na detyron të gjithëve ta ndryshojmë jetën personale, kolektive, projektet dhe programet. Kështu edhe Selia e Shenjtë e Kisha Katolike kanë vendosur t’i shtyjnë dy ngjarje ndërkombëtare, Ditën Botërore të Rinisë dhe Takimin Ndërkombëtar të Familjeve. Familjet do të takohen në Romë në qershor 2022 e jo më 2021, sipas planit, ndërsa të rinjtë do ta përjetojnë DBR-në në Lisbonë, në gusht 2023 e jo më 2022.

DBR-ja e Panamasë, 2019
DBR-ja e Panamasë, 2019

 Në pamje të parë, duket sikur këto takime janë shtyrë, për shkak të një kujdesi disi të tepruar, pasi, i pari do të mbahej pas një viti e i dyti, pas dy vitesh, kur, ndoshta, pandemia nuk do të ketë më këto përmasa. Por, le të dëgjojmë çfarë thotë në mikrofonin e Vatican Neës, prefekti i Dikasterit vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën, kardinali Kevin Joseph Farrell:

Këto dy takime janë dy ngjarje ndërkombëtare, prandaj, në situatën aktuale, është shumë e vështirë ta dimë si do të ndryshojë jeta pas kësaj pandemie. Takimi Botëror i Familjeve ishte caktuar për në qershor të vitit të ardhshëm, por që tani, sigurisht, duhej të merreshim me të gjitha çështjet organizative, në përgatitje të ngjarjes. Vetëm se nuk kemi asnjë siguri për gjendjen e ekonomike dhe për situatën e njerëzve e të familjeve vitin e ardhshëm, prandaj nuk dihet, që tani, nëse shumë prej tyre do të mund të vinin në Romë, edhe nga jashtë Italisë. E kështu, Ati i Shenjtë dhe ne si Dikaster, pasi u këshilluam me Vikariatin e Romës dhe me njerëzit, që na shërbejnë si pikë referimi në Portugali, menduam se gjëja më e mirë do të ishte të prisnim një vit para se të fillonim përgatitjen e këtyre ngjarjeve ndërkombëtare. Prandaj, u vendos që Takimi me familjet do të mbahet më 2022, në Romë, ndërsa ai me të rinjtë, në Lisbonë, në vitin 2023. Ka shqetësim për të ardhmen. Shpresojmë që të kthehemi në normalitetin e jetës së përditshme, por ky nuk është realizëm. Ka shumë njerëz, që mendojnë se do të duhen të paktën dy ose tre vite për kthimin në normalitet.

Në takimet ndërkombëtare parashikohet zhvendosja e një numri të madh njerëzish, të cilët duhet të udhëtojnë nga një vend në tjetrin. Nuk e dimë cilat janë perspektivat për të ardhmen: si mendoni të veproni?

Pothuajse të gjitha dioqezat e botës organizojnë ngjarje të tilla edhe në vendin e tyre, ku ka takime për familjet dhe të rinjtë. Ne vazhdojmë të punojmë për t’i ndihmuar ipeshkvijtë të promovojnë jetën familjare dhe punën me rininë në dioqeza. Shpresojmë që do t’i kemi gjithmonë këto takime ndërkombëtare, por siç thashë, s’është realiste të mendosh se njerëzit mund të udhëtojnë gjatë dy viteve të ardhshme. Detyra jonë nuk është vetëm organizimi i këtyre dy ngjarjeve, por edhe puna e përditshme për promovimin e jetës familjare dhe të jetës së krishterë të rinisë.

Në ç’mënyrë vijoni të punoni?

Këtu në Dikaster vazhdojmë punën. Është e qartë se nuk kemi të gjithë njerëzit, të gjithë punonjësit, këtu në seli. Ka disa, që punojnë nga shtëpia, por ka gjithmonë 4-5 vetë në zyrë, çdo ditë. Të tjerët vijnë e pastaj, e marrin punën me vete në shtëpi. Kemi bërë ç’është e mundur për t’i ndihmuar punonjësit në këtë situatë, në të cilën shqetësohemi për shëndetin e secilit prej nesh. Shkoj çdo ditë në Dikaster, edhe sekretari, ndërsa zv.sekretarët vijnë kur munden e zyrtarët vijnë vetëm dy ditë në javë. Kështu, vijojmë punën.

Në të gjitha vendet jemi mbyllur në shtëpi e kjo na fton të shohim gjërat më thelbësore e ta vemë familjen në qendër. Cilat janë mësimet, që nxjerrim nga kjo gjendje?

Mendoj se Papa u ka dhënë çdo ditë një mesazh gjithë njerëzve të botës: familja është vendi qendror i jetës sonë, na mëson shumë. Detyrimi për të jetuar së bashku në familje, gjatë këtyre ditëve, na mëson shumë gjëra, si, për shembull, të jetojmë pa egoizëm. Jeta e këtyre ditëve është një mundësi, që na jep Zoti, për ta lënë mënjanë egoizmin, për ta parë çdo njeri si vëlla o si motër. Këto ditë mund të mësojmë edhe se familja është vend, ku mund të njihemi me njëri-tjetrin, sepse ka kaq shumë gjëra në jetën e secilit, çdo ditë, sa nganjëherë nuk arrijmë t’i shohim nevojat e njerëzve që kemi pranë, pasi shqetësohemi tepër për veten. Atëherë, kjo është kohë për të mësuar si ta lëmë egoizmin jashtë jetës sonë e si të kujdesemi për të tjerët.

22 prill 2020, 12:48