Kërko

Vatican News
Passione di Gesù Cristo,  Ecce Homo,  Crocifisso  venerdi santo Passione di Gesù Cristo, Ecce Homo, Crocifisso venerdi santo 

E Premtja e Madhe dita e dytë e treditëshit të Pashkëve

Të Premten e Madhe të Pashkëve liturgjia na fton të meditojmë mbi misterin e mundimeve , të dhimbjes e të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq. Mundimet dhe Vdekja e Jezusit mbi kryq që kundrohen të Premten e Madhe të Pashkëve lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me Darkën e Mbrame. Në të parën Jezusi dhuron Korpin e Gjakun e vet, domethënë, jetën e tij tokësore, vetveten, duke përshpejtuar vdekjen e tij dhe duke e shndërruar atë në një akt dashurie e shëlbimi për njerëzimin.

R.SH. - Vatikan

E Premtja e Madhe e Shenjtë e Pashkëve është ditë lutjeje e heshtje, ditë e Mundimeve dhe kryqëzimit të Jezu Krishtit, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë. Të Premten e Madhe të Pashkëve liturgjia na fton të meditojmë mbi misterin e mundimeve , të dhimbjes e të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.

Kryqi është ngjarja përmes së cilës Dashuria e Zotit hyn në historinë tonë, vjen pranë nesh, bëhet përvojë që shëron e shpëton. Kështu, Mundimet dhe Vdekja e Jezusit mbi kryq që kundrohen të Premten e Madhe  të  Pashkëve lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me Darkën e Mbrame. Në të parën Jezusi dhuron Korpin e Gjakun e vet, domethënë, jetën e tij tokësore, vetveten, duke përshpejtuar vdekjen e tij dhe duke e shndërruar atë në një akt dashurie e shëlbimi për njerëzimin.

Kisha e ruan me kujdes të madh kujtimin e këtij fakti e, në Besojmë, pasi pohon se Biri i Zotit “u mishërua në kraharorin e Virgjërës Mari e u bë njeri” menjëherë kujton “U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat, vdiq e u varros”. U kryqëzua për ne! Jezusi, duke vdekur, provoi përvojën dramatike të vdekjes, ashtu siç është bërë nga mëkatet tona: por, duke vdekur, Jezusi e mbushi vdekjen me dashuri, dmth me praninë e Zotit: atëherë mund të themi me plot gojën se me vdekjen e Jezusit, vdekja u mund, sepse Krishti e mbushi vdekjen me forcën e kundërt të mëkatit që e lindi vdekjen: Jezusi e mbushi me dashuri.

Kështu vdekjen, që për vetë natyrën e saj, është fund i fundit, shkatërrim i çdo lidhjeje, Jezusi e bën akt të dhurimit të plotë të vetvetes, mjet shëlbimi e shpallje të fitores së dashurisë mbi urrejtjen dhe vdekjen. Në këtë mënyrë Jezusi bëhet vendimtar për jetën e vërtet të çdo njeriu, për ta kuptuar Darkën e Mbrame, çastin e shndërrimit të vdekjes së dhunshme në flijim vullnetar, në akt dashurie, që shpërblen e shëlbon njerëzimin e botën mbarë.

Gjithnjë të Premten e Madhe të Pashkëve kemi edhe një rast të përshtatshëm për të medituar mbi misterin e madh të së keqes, të keqit e të mëkatit, që peshon rëndë mbi njerëzimin. E për ta kuptuar këtë mister, ndihmojnë shumë  ritet liturgjike si rrëfimi i historisë së mundimeve të Krishtit, pastaj edhe manifestimet e përshpirtërisë popullore, si Udha e Kryqit ose shfaqjet tjera kishtare, të cilat ka si qëllim të lenë gjurmë sa më të thella në zemrën e besimtarëve, duke ndihmuar  pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në flijimin e Jezusit.

E kështu, deri në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe, në të cilën zhyten të gjitha Kishat, me elterët e zhveshur nga stolitë, duke e ftuar besimtarin t’ia hapë shpirtin mëshirës hyjnore. Në këtë ditë ka rëndësi të madhe pjesëmarrja jonë në Sakramentin e rrëfimit apo të pajtimit me Zotin e të afërmin tonë, rrugë e domosdoshme kjo për të pastruar zemrën e për t’u përgatitur për  kremtimin e Pashkëve me shpirt të përtërirë. Së paku një herë në vit, kemi nevojë dhe obligim për këtë përtëritje të shpirtit tonë përmes Sarkamentit të Pajtimit.

Duke ndjekur, të Premten e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Udhën e Kryqit të Jezu Krishtit, të zënë për dore me Marinë, t’i lutemi Krishtit të na dhurojë një thërrime nga përvujtëria e nga butësia e tij, në mënyrë që dashuria e Krishtit të Kryqëzuar të hyjë brenda nesh e të na dhurojë një zemër të re sipas masës së zemrës së Zotit.

Lutja:
O Zot, Jezus,
mundimet tua
janë historia e mbarë njerëzimit:
ajo histori në të cilën të mirët poshtërohen,
të butët... kërcënohen,
të ndershmit… shtypen
e ata që e kanë zemrën e pastër, vihen keqas në lojë.

Kush do të jetë fitimtari?
Kush do ta thotë fjalën e fundit?

O Zot Jezus,
ne besojmë se Ti je fjala e fundit:
në Ty të mirët tashmë kanë fituar,
në Ty të butët kanë ngadhënjyer tashmë,
në Ty të ndershmit kurorëzohen
e zemërpastrit ndrisin si yjet nëpër natë.

O Zot Jezus,
sonte po përshkojmë udhën e kryqit tënd,
duke e ditur mirë se është edhe udha jonë.
Por një bindje na ndrit:
udha nuk mbaron mbi kryq,
udha vijon,
shkon në Mbretërinë e Jetës
e në shpërthimin e Gëzimit
që më askush s’do të mund të na e rrëmbejë!

O Jezus, ndalohem mendueshëm
tek këmbët e kryqit tënd:
‘E kam ndërtuar edhe unë me mëkatet e mia!
Mirësia jote, që nuk mbrohet
e pranon të kryqëzohet
është mister që i kalon kufijtë e kuptimit tim
e më prekë thellësisht.

O Zot, ke ardhur në botë për mua,
për të më kërkuar, për të më prirë
drejt përqafimit të Atit:
përqafimit që më mungon!

Ti je Fytyra e mirësisë
e e mëshirës;
prandaj dëshiron të më shpëtosh!

Në shpirtin tim ka tepër egoizëm:
eja me dhëmbshurinë tënde të pafund!
Në shpirtin tim ka mburrje e ligësi,
eja me butësinë e përvujtërinë tënde!

O Zot, jam unë mëkatari që shpëtimin pret,
Jam djali plangprishës që duhet të kthehet!
O Zot ma fal dhantinë e lotëve ndër sy,
Për të gjetur lirinë e jetën
Paqen me Ty e gëzimin me Ty!

10 prill 2020, 10:30