Kërko

Kardinali Angelo De Donatis Kardinali Angelo De Donatis 

Vikari i Papës për dioqezën e Romës me koronavirus. De Donatis: “lutem për ata, që vuajnë”

Prelati ka filluar një terapi antivirale e kushtet e tij të përgjithshme shëndetësore, tani për tani, janë të mira.

R.SH. - Vatikan

Pas shfaqjes së disa simptomave të dyshimta, përfshirë rritjen e temperaturës, konfirmimi mbërriti në mbrëmje: kardinali Angelo De Donatis rezultoi pozitiv për koronavirusin. Vikari i përgjithshëm i Papës për dioqezën e Romës - siç shkruhet në faqen zyrtare të internetit – bëri një tampon për Covid-19 dhe pasi u pa se ishte i sëmurë, u shtrua menjëherë në spital në Poliklinikën Universitare të Fondacionit Agostino Gemelli. Kardinali ka ethe, ka filluar terapinë antivirale, por gjendja e tij e përgjithshme aktualisht është e mirë. Si masë paraprake, të gjithë bashkëpunëtorët e tij më të afërt janë në izolim. Përveç tyre, vikari i Romës - i emëruar nga Françesku më 2017 - ka pasur shumë pak takime ditët e fundit me personelin e Pallatit të Lateranit dhe ka deklaruar se nuk ka shkuar kurrë në Vatikan, por ka folur vetëm telefonikisht me Papën.

 “Po e jetoj edhe unë këtë sprovë, jam i qetë e plot besim - deklaron kardinali De Donatis. - Ia besoj vetveten Zotit dhe lutjeve të të gjithë juve, të dashur besimtarë të Kishës së Romës!”. Pastaj, shton: “E jetoj këtë çast si mundësi që më jep Provania Hyjnore për të ndarë vuajtjet e sa e sa vëllezërve dhe motrave. I ofroj lutjet e mia për ta, për tërë bashkësinë dioqezane dhe për banorët e qytetit të Romës!”. Çdo mbrëmje, duke filluar nga 11 marsi, kardinali De Donatis kryesonte meshën e orës 19.00, në Shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore, që mund të shihej drejtpërdrejt në televizionin kishtar italian TV2000 dhe në faqen Facebook të dioqezës.

Pikërisht, duke kremtuar meshën e parë në Shenjtëroren e njohur mariane, kur me anë të një videoje, Papa ia kushtoi Italinë Zojës së Bekuar, kardinali tha se “ilaçi, terapia kundër ankthit të këtij çasti është ta lëshojmë veten në duart e Zotit. Jemi në duart e Tij e askush nuk mund të na shkëpusë prej tyre”. Për të, shumë mesazhe urimi për shërim të shpejtë.

31 mars 2020, 13:03