Kërko

Vatican News
Mons. Charles CICLUNA  Mons. Charles CICLUNA   (AFP or licensors)

Scicluna me mision në Meksikë për të ndihmuar ipeshkvijtë në luftën kundër abuzimeve

Kardinali Ladaria dërgon zëvendës/sekretarin e Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë në Meksikë: do të jetë një shërbim këshillimi teknik për ipeshkvijtë e të gjithë ata që duan.

R.SH. - Vatikan

Kryeipeshkvi Scicluna do të jetë brenda pak ditësh në Meksikë për t’i ndihmuar ipeshkvijtë e këtij vendi në luftën kundër abuzimeve. Kështu ipeshkvijtë meksikanë i njoftuan “të gjithë besimtarët”, duke kujtuar se Konferenca episkopale dhe Këshillit kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve po luftojnë "në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe të qartë kundër kulturës së abuzimit dhe sistemit të mbulimit që mundëson vazhdimësinë apo përsëritjen".

Ipeshkvijtë e Meksikës falënderojnë prefektin e Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë, kardinalin Luis Ladaria Ferrer, që ka vendosur të dërgojë zëvendës/sekretarin e këtij Dikasteri, kryeipeshkvin e Maltës Charls J. Scicluna, për "një mision bashkëpunimi me Kishën tonë”.

Misioni, njofton drejtorin i Sallës së shtypit të Selisë së Shenjtë Metteo Bruni, "do të jetë një shërbim këshillimi teknik, një ndihmë vëllazërore, një dialog që do të ndihmojë Kishën në Meksikë të përforcohet edhe më tej në hapat që tashmë ka ndërmarr në drejtimin e duhur për t’iu përgjigjur viktimave që kanë pësuar abuzime seksuale nga ana e klerikëve".

Kryeipeshkvi Sciluna, i ndihmuar, në punën e tij, nga monsinjor Jordi Bertomeu, "do të jetë në dispozicion për të takuar ipeshkvijtë individualisht, eprorët e mëdhenj dhe të gjithë ata që duan të kenë ndihmën e tij. Misioni do të zhvillohet nga data 20 deri më 27 Mars 2020".

Para disa ditësh, saktësisht më 28 shkurt, në Sallën e Shtypit të Vatikanit u mbajt takimi për paraqitjen e një projekti të ri, përmes formimit të ekipeve të veçanta, që do t’i ndihmojnë e mbështesin konferencat ipeshkëvnore vendore në përgatitjen dhe përpunimin e vijave udhëheqëse lidhur me mbrojtjen e të miturve dhe nismat e marra nga Selia e Shenjtë për forcimin dhe parandalimin e abuzimeve. Ekipet e veçanta janë në ndihmë të ipeshkvijve të vendeve të ndryshme, për t’iu kundërvënë dhunës së kryer nga kleri mbi të miturit dhe për të parandaluar këtë plagë e krim kudo.

Një vit pas takimit të nivelit të lartë, të mbledhur nga Papa Françesku, në Vatikan, në shkurt të vitit kaluar 2019, shumë nisma janë marrë me shpalljen e ligjeve të reja dhe me vendimin për të hequr apo shfuqizuar sekretin papnor për rastet e abuzimeve seksuale.

"Është qartë – thuhet akoma në njoftimin për shtyp të ipeshkvijve meksikanë - se Kisha është e vendosur të kontribuojë konkretisht në luftën kundër kësaj plage të tmerrshme, e cila verifikohet në shumë fusha a mjedise të shoqërisë (familja, shkolla dhe puna, ndër të tjera) së pari, duke u angazhuar efektivisht e konkretisht për ta çrrënjosur këtë dukuri nga brenda".

03 mars 2020, 13:11