Kërko

Vatican News
 Lutja e Engjëllit kremtuar nga kardinali Comastri Lutja e Engjëllit kremtuar nga kardinali Comastri  (Vatican Media)

Lutja drejtuar Zojës, për t’i kërkuar lirimin nga epidemia

Duke nisur që sot e për një javë rresht, me nismën e kardinalit Angelo Comastri, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit, çdo ditë në orën 12.00. do të thuhet lutja e Engjëllit të Tënzot, pasuar nga litanitë lauretane, për të kërkuar ndërmjetësimin e Marisë në këtë çast kaq të vështirë për mbarë njerëzimin!

R. SH. - Vatikan

Është lutje plot me besim, që bijtë ia drejtojnë nënës, Marisë, së cilës i kërkojnë të ndërmjetësojë për ta çliruar njerëzimin nga ankthi i coronavirusit, që shtegton i ngarkuar me drithmat e vdekjes nëpër rrugët e planetit. E shoqëruar nga Litanitë lauretane nisi sot, për të vijuar një javë rresht, me përjashtim të së dielës, me nismën e kardinalit Comastri, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit e mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit e do të kremtohet çdo mëngjes në orën 12.00. Është nismë - shpjegohet në një lajmërim, nënshkruar nga prelati i lartë - për të kërkuar ndërmjetësimin e Marisë në këtë çast kaq tragjik. “Në kohë rreziku, kur ndjehen buzë greminës, bijtë vetvetiu kërkojnë nënën! Në çastet më të vështira, emrin e saj shqiptojnë! Në grahma, atë e duan pranë. Emri “nënë” u jep forcë e jetë. Ndaj, në këtë situatë, kur vdekja endet në rrugët e botës, na shkon menjëherë mendja te Nëna e Nënave, te Ajo, që Krishti na e dhuroi mbi kryq”.

Maria, dhuratë e Krishtit

“Ndërsa ishte i mbërthyer mbi kryq, në çastin e shprehjes më të lartë të dashurisë së Tij për ne, Jezusi - kujtoi kardinali Comastri sot në mëngjes, nga Bazilika e Shën Pjetrit, tek këmbët shtatores së Virgjërës Mari, vendosur pranë Altarit të Katedrës - na bëri dhuratën e fundit, tejet të çmuar: na dhuroi nënën e Tij, që u bë edhe nëna jonë!  Duke treguar me sy Shën Gjonin Apostull, simbol i gjithë njerëzimit, Jezusi i tha Marisë: “Grua, ja yt bir!”, domethënë, bëju nëna e tij”. Kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit kujtoi se “detyra e parë e nënës është t’i mbrojë bijtë në orën e provës, në çastin e rrezikut. E prej atmosferës së rrezikshme, në të cilën rron sot mbarë njerëzimi, buron edhe kjo lutje drejtuar Marisë, që të na çlirojë nga shuplaka e epidemisë”:

“O Mari, pohimi yt i përvuajtur e i lirë,

të bëri djepin e parë të Zotit,

të parin tabernakull të Tejetlartit,

fillesë të kapitullit të fundit të historisë!

Ti i pe apostujt të lum rreth Krishtit,

e edhe të trishtuar thellë, në orën e Mundimeve,

e i mblodhe në gropën e dorës lotët,

që u  buronin nga dhimbja e nga frika!

Mari, o Nënë e Kishës,

ti s’ pate frikë kur pe Kryqin.

Provove përsëri kënaqjen pa skaj të Betlehemit,

kur Krishti nga kryqi të thirri ëmbël: “Nënë”.

e i hapi horizonte pa fund amësisë Sate.

Ti ndjeve e para fërgëllimin e Rrëshajëve,

e pe si dilnin apostujt nga Çenakulli

të nxitur nga vala e pandalshme e entuziazmit,

valë që vjen  e vrullshme deri tek ne!

O Mari, Nënë e Kishës,

 shtrëngona edhe ne në kraharorin tënd,

e jepna rrahjen e Zemrës të Birit tënd, Jezus!

Amen”.

Të gjithë jeni të ftuar të merrni pjesë në këtë lutje nga shtëpitë tuaja. Mund ta bëni këtë përmes transmetimit të drejpërdrejtë në streaming çdo ditë, në orën 12.00, në Vatican News.    

13 mars 2020, 14:15