Kërko

Vatican News
 Toka Shenjte Toka Shenjte 

Lëmoshë për Tokën Shenjte: “adoptim i një të krishteri të Lindjes së Mesme”.

Të adoptohet, edhe pse nuk ia di as emrin, një i krishterë nga Lindja e Mesme, duke u lutur për të gjatë gjithë vitit 2020”. Ky, propozimi i Kongregatës për Kishat Lindore lidhur me lëmoshët në ndihmë të Tokës Shenjte. Në vitin 2019 u mblodhën 7 milionë dollarë.

R. SH. - Vatikan

Të adoptohet, edhe pse nuk ia di as emrin, një i krishterë nga Lindja e Mesme, duke u lutur për të gjatë gjithë vitit 2020”. Ky, propozimi i Kongregatës për Kishat Lindore lidhur me mbledhjen e lëmoshëve për Tokën Shenjte, që nisën me dëshirën e Papëve për ta mbajtur gjithnjë të fortë lidhjen ndërmjet gjithë të krishterëve të botës dhe Viseve të Shenjta. Tradicionalisht mbledhja e lëmoshëve të Premten e Madhe është burim kryesor për të mbajtur gjallë jetën rreth Vendeve të Shenjta e edhe mjet, që Kisha e përdor për të përkrahur bashkësinë kishtare të Lindjes së Mesme. Rojtaria françeskane, përmes lëmoshëve, mund ta ndihmojë e ta çojë përpara msionin për të cilin është e thirrur: “T’i ruajë Vendet e Shenjta, gurët e kujtimit, e ta favorizojë praninë e krishterë, gurët e gjallë të Tokës Shenjte", përmes veprimtarive të shumta të solidaritetit, si për shembull, mirëmbajtjes së strukturave shoqërore. Trojet, që përfitojnë në forma të ndryshme ndihma nga lëmoshët - kujton Dikasteri papnor në një notë - janë Jeruzalemi, Palestina, Izraeli, Jordania, Qipro, Siria, Libani, Egjipti, Etiopia, Eritreja,Turqia, Irani e Iraku. Zakonisht Rojtaria e Tokës Shenjte  merr 65% të lëmoshëve, ndërsa pjesa që mbetet, prej 35%, i kalon Kongregatës për Kishat Lindore, që i përdor për formimin e kandidatëve për meshtari, mbështetjen e klerit, veprimtaritë shkollore, formimin kulturor e ndihmën për rrethe të ndryshme kishtare të Lindjes së Mesme.

Në sajë të lëmoshëve mund të vijojnë veprimtarinë seminaret, shtëpitë e formimit fetar dhe institucionet kulturore në territoret e  ndryshme, duke i mbështetur me një mori formash (bursa studimi, taksa universitare e nevoja shëndetësore) seminaristët e rinj, meshtarët, rregulltarët e rregulltaret si dhe disa laikë, edhe në  Romë. Kolegji i ri, i hapur katër vjet më parë për rregulltaret, që vijnë nga  vende të ndryshme lindore, strehon sivjet 32 studente. Ndërsa 300 studentë, të strehuar në kolegjet e dikasterit, marrin bursa studimi.

Veç kësaj, dikasteri ndihmon edhe për mbajtjen e Institutit Papnor Lindor, institucion i lartë akademik me dy fakultete: Fakultetin e Shkencave Kishtare Lindore dhe atë të së Drejtës Kanonike Lindore. Ndërsa dioqeza patriarkale e Jeruzalemit, Rojtaria Françeskane, Kishat Lindore të Tokës Shenjte dhe Institutet Rregulltare impenjohen për formimin shkollor të të rinjve të Tokës Shenjte.

Duke pasur parasysh rrethanat, në të cilat ndodhen studentët e krishterë, si dhe arritjen e mijëra të rinjve në moshë shkollore nga Siria e Iraku në Tokën Shenjte, Kongregata për Kishat Lindore vendosi  ta shtojë shumën  e ndihmave për vitin akdemik në vijim.

Për t’u lavdëruar edhe veprimtaria e Sekretariatit të Solidaritetit për koordinimin dhe shpërndarjen e ndihmave në shkollat e drejtuara nga institucionet e lartpërmendura. Një nga fondacionet më të famshme, që siguron formimin akademik të të rinjve, është Betlehem University, ku studiojnë rreth 3300 të rinj, shumica palestinezë myslimanë. Edhe për vitin 2019, Rojtaria e Tokës Shenjte, në sajë të lëmoshëve, realizoi projekte e vepra në favor të shtegtarëve e të bashkësisë vendase, pa harruar t’i japë ndihmat e nevojshme popullsisë, jo vetëm të krishterë, siriane e irakiane, të pranishme në Siri, Jordani e Liban.

04 mars 2020, 16:42