Kërko

Vatican News

Kardinali Komastri shpjegon Kreshmët, sipas Françeskut

Nga Shtëpia Botuese e Vatikanit doli një përmbledhje frazash të Papës, për të na shoqëruar gjatë udhës drejt Pashkëve. Intervistë me mëkëmbësin e përgjithshëm të Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit, kardinalin Angelo Comastri, autor i parathënies së librit, që na kujton: “Nëse e duam njerëzimin e ri, duhet t’ia hapim zemrën Krishtit”

R. SH. - Vatikan

Sapo ka dalë nga LEV, Shtëpia Botuese e Vatikanit, një vëllim i vogël, prej rreth 80 faqesh, që përmbledh mendimet e Papës Françesku kushtuar Kreshmëve. Titullohet “Zoti u ngjall”. Në kapak, një fotografi  e Atit të Shenjtë, që mbështet ballin mbi Kryq, si të donte të përkthente frazën: “Jezusi është busulla e jetës, që na drejton kah Qielli”, shkëputur nga homelia  e së Mërkurës së Përhime.

Janë fraza tejet të thjeshta, tipike për stilin e Papës, na shpjegon, në intervistë, kardinali Angelo Comastri, kryeprift i Bazilikës papnore të Shën Pjetrit, autor i parathënies.

Në fjalën tuaj të hyrjes, ju sqaroni se Kreshmët janë periudhë e favorshme për të drejtuar gjërat e shtrembëra, që i kemi në shpirt. Njëkohësisht, bëni edhe  pyetjen “cili është hapi i parë, që na afron me Zotin?”. E cili është?

“Hapi i parë që na afron me Zotin, është hapi i Dashurisë së krishterë. Jezusi na solli lajmin e mrekullueshëm se Zoti është dashuri, është dhembshuri,  është mirësia e pambaruar. E këtë lajm e njohim vetëm ne, të krishterët, sepse është karakteristikë e krishterimit. Ja pse urdhërimi i parë  që na jep Krishti është: “Duajeni njeri-tjetrin! Ashtu si ju desha unë”. Kjo ‘si’ është themelore, sepse Krishti na mëson dashurinë e vërtetë. Mësuesi i dashurisë është Zoti e duke shikuar Zotin, mësohet edhe dashuria. Duke shikuar Jezusin - Zotin e bërë njeri - mësohet dashuria. Atëhere dashuria mund të shprehet në mijëra mënyra! Nënë Tereza thoshte: “Edhe një buzagaz është vepër mëshire. Vepër mëshire është edhe ta qetësosh njeriun e shqetësuar”. E dashurinë duhet ta jetojmë duke u nisur nga njerëzit, që i kemi pranë. Para së gjithash, nga familja. Për të vijuar me botën e punës, botën e miqësive, të njerëzve që takojmë çdo ditë, duke kujtuar se në zemrën që ka dashuri, është vetë Zoti. Atëhere është fare e lehtë ta shprehësh dashurinë, në njëmijë mënyra”.

Hyrja nis me një anekdotë për Winston Churchill-in, që na kujton një nga kontradiktat më të mëdha të këtyre kohëve: kontradiktën ndërmjet vizionit të krishterë të jetës dhe atij, që pretendon ta shpëtojë botën, duke ia besuar shkencës…

“Si kishte përfunduar Lufta II Botërore, Winston Churchill - kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë atyre viteve të tmerrshme, u ftua në Shtetet e Bashkuara, ku u prit me nderime të mëdha, si njeri që e pati kuptuar menjëherë rrezikshmërinë e nazizmit. Rektori i institutit të famshëm të teknologjisë në Boston, pasi e ngriti në qiell, përfundoi duke e siguruar se në shoqërinë moderne nuk do të ketë kurrë më një Hitler tjetër, sepse tashmë “shoqëria është si makinë e madhe” e krijuar “sipas një plani të mirë”, të garantuar nga shkenca. Churchill-i e dëgjoi në heshtje, e falënderoi dhe e  përfundoi bisedën me  ironinë e hollë, tipike për të: “ … kur të arrijë kjo ardhmëri, e garantuar nga shkenca, për të cilën folët, shpresoj të kem vdekur”. Ishte njëlloj si t’i thoshte se nuk është shkenca ajo, që e çliron njeriun nga ligësia. E këtë e vërtetojnë disa shembuj të bujshëm”.

A mund të na kujtoni disa nga këta shembuj?

“Mendoj për Palin e Tarsit, njeri i dhunshëm, blasfemues e persekutues. Pasi takohet me Jezusin, bëhet i jashtëzakonshëm e aq i ëmbël, sa të shkruajë himnin më të bukur të dashurisë, duke na kujtuar se “po të na mungojë dashuria, nuk jemi asgjë!”. Në të vërtetë, është vetë dashuria që na jep jetë e na bën njerëz të mrekullueshëm para Zoti e para njerëzve. Mendoj edhe për Shën Agostinin e Iponës, i ri i hallakatur që, kur ia hap zemrën Jezusit, bëhet një nga shenjtorët më të mëdhej të botës së lashtë. Pastaj është Françesku i Asizit, bir i llastuar i një tregtari të pasur. Edhe ai,  duke ia hapur zemrën Jezusit, bëhet njeri i jashtëzakonshëm: bëhet i vobegti, Shenjti i gëzimit të përkryer. Më vjen në mendje edhe Charles de Foucauld që, pasi kthehet në rrugën e Zotit, deklaron: “Kur isha njëzet vjeç, në shpirtin tim nuk kishte asnjë thërrime mirësie. Isha i zhytur deri në grykë në ligësi!”. Edhe ai, pasi ia hapi zemrën Jezusit, u bë njeri i jashtëzakonshëm. Mendoj, së fundi, për Guglielmo Marconi-n që, ndërmjet tjerash, projektoi dhe realizoi Radio Vatikanin. Shkencëtari i madh deklaron se shkenca është e dobishme nëse mbetet brenda caqeve të veta e se nuk është shkenca ajo, që i jep kuptim jetës, por feja! I citova gjithë këto shembuj, për të kujtuar se, po të duam një njerëzim të ri, duhet t’ia hapim zemrën Jezusit”.

Ky libër skicon rrugën kreshmore, i frymëzuar nga shërbesa e Papës Françesku. Cilat fraza, ndërmjet atyre që përmban libri, ju mbetën më shumë në zemër?”

“Janë fraza shumë të thjeshta, tipike për stilin e Papës, por edhe shumë të pasura me domethënie, shumë të thella. Një nga frazat, që më mbeti në mendje, është ajo që shqiptoi Papa të Mërkurën e Përhime: “Krishti në kryq është busulla e jetës, që na orienton drejt qiellit”, sepse Krishti në kryq na mëson cilën dashuri duhet të kërkojmë e cilën duhet të pranojmë. Një mendim tjetër shumë i bukur është ai, që të kujton dritën dhe shpresën. Ftesë për optimizëm, tipik për krishterimin. Ne jemi popull i shpresës! Së fundi, në nxitjen apostolike “Christus vivit”, Papa Françesku shkruan: “Krishti jeton! Ai është shpresa jonë. Është risia më e bukur e botës!”. Gjithçka prek dora e Tij, bëhet e re, mbushet me jetë. Ai është në ty. Është me ty. Nuk ikën kurrë nga ti! Edhe nëse ti largohesh, pranë teje është gjithnjë i Ngjalluri! Të thërret. Të pret. Për të rifilluar. Kur ta ndjesh veten të plakur nga trishtimi, mllefi, frika, dyshimi, dështimet, Ai do të jetë pranë teje, për të të ridhënë forcë e shpresë”. Ky është mesazh gëzimi, mesazh optimizmi, mesazh tipik Pashkësh!".

02 mars 2020, 14:40