Kërko

Vatican News
Martiret e Kishes Katolike ne Shqiperi Martiret e Kishes Katolike ne Shqiperi 

Më 4 mars kujtojmë fillimet e masakrës masive komuniste kundër klerit katolik në Shqipëri

Më 4 mars 1946 u pushkatuan në Shkodër, atë G. Fausti e atë D. Dajani, së bashku me nxënësin Mark Çuni, atë Gj. Shllakun ofm, Qerim Sadikun dhe Gjelosh Lulashin, martirë të cilën Kisha katolike i shpalli të Lumë. U akuzuan si sabotues e armiq të popullit, në të vërtetë u pushkatuan me urdhër të diktatorit famëkeq E. Hoxha pse besonin në Zotin dhe mbronin të drejtat themelore të popullit e të atdheut. të cilët Kisha katolike i ka radhitur tashmë në aradhen e të Lumve.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, më 4 mars, përkujtojmë fillimet e masakrës masive komuniste kundër klerit katolik në Shqipëri. Në orën pesë të mëngjesit të datës 4 mars 1946 u pushkatuan në Shkodër, pranë varrezave të qytetit, të Lumët atë Gjovanni Fausti e atë Daniel Dajani, së bashku me nxënësin të Lumin Mark Çuni,  e të Lumët tjerë atë Gjon Shllaku ofm, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi, të cilët Kisha katolike i paraqet si shembull të dëshmisë së fesë në Krishtin, për çka i ka radhitur tashmë në aradhen e të Lumve.

U akuzuan si sabotues e armiq të popullit, meqë ishin anëtarë të Shoqatës Bashkimi shqiptar, në të vërtetë u pushkatuan me urdhër të diktatorit famëkeq komunist Enver Hoxha vetëm pse besonin në Zotin e vetëm pse mbronin të drejtat themelore të popullit e të atdheut. Vrasja e këtyre martirëve ishte vetëm fillimi i rrugës së kalvarit, që përshkoi kleri e populli shqiptar gjatë regjimit komunist, kalvar që ngadhënjeu mbi errësirën dhe tmerret e përbindshme të diktaturës komuniste në Shqipëri. 

Ja shkurtimisht disa të dhëna mbi martirët e parë të Kishës shqiptare në kohën e diktaturës komuniste:

I Lumi Atë Daniel Dajani S.J.
Lindi në Blinisht (Zadrimë), më 2 Dhjetor 1906. Pas shkollës fillore, të cilën e kreu në fshatin e tij, shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe të teologjisë. U shugurua meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri dhe dha mësimin e latinishtes në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm dhe i zellshëm, i kujdesshëm për të mirën e shpirtrave, e mbi të gjitha për formimin e seminaristëve, me të cilët ishte shumë i afërt dhe i gatshëm, ishte si një vëlla; shumë i dashur nga të gjithë. U arrestua bashkë me Atë Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946. U torturua në mënyrë çnjerëzore.

I Lumi Atë Giovanni Fausti S.I. 
Lindi në Broco të Breshës (Itali), më 19 Tetor 1899. Studioi në qytetin e vet, në seminarin ipeshkёvnor. U shugurua meshtar në Romë, më 9 korrik 1922. Pas hyrjes në Shoqërinë e Jezusit, e dërguan në Shqipëri. Person me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe. Në Shqipëri kishte detyrën e zëvendësprovincialit. Ndërsa po i shpinin drejt pushkatimit, forconte vetveten dhe të tjerët me fjalët e psalmistit: "Të shkojmë në shtëpinë e Zotit". U arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Dajanin, dhe pastaj u pushkatua më 4 mars 1946.

I Lumi Atë Gjon Shllaku 
Lindi në Shkodër, më 27 Korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Holandë dhe në Sorbona të Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Kur u kthye në Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun "Illyricum" të françeskanëve (Shkodër). U arrestua para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe u pushkatua më 4 mars. Fjalët e tij të fundit, siç del nga aktet, qenë: "Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!".

I Lumi Mark Çuni, seminarist 
Lindi në Rranxa të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919. Pas shkollës fillore, kryer në fshatin e vet, shkollën e mesme e kreu në Shkodër dhe tetëmbëdhjetëvjeçar vazhdoi studimet në Seminarin Papnor në Shkodër. Qe themelues klandestin i organizatës politike "Bashkimi Shqiptar" brenda seminarit. Eprorët e tij nuk e dinin një gjë të tillë. Kur organizata u zbulua nga qeveria, u arrestuan Atë Fausti e Atë Dajani, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit. Pastaj seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët e vet. U pushkatua më 4 mars 1946.

I Lumi Gjelosh Lulashi, besimtar laik

Lindi në Ndreaj të Shoshit të Dukagjinit më 02.09.1925. I Dioqezës së Pultit, tani Shkodër-Pult. Qysh në moshën 7 vjeçare ndoqi shkollat në Shkodër te Fretërit Minorë dhe pastaj në Seminarin Papnor Shqiptar. Ushtarak. Sekretar i Spitalit Ushtarak të Shkodrës. U arrestua dhe u burgos në Shkodër më 03.12.1945. U dënua me vdekje më 22.02.1946. U pushkatua në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, dhe u la aty, së bashku me Atë Danjel Dajanin S.I., Atë Giovanni Fausti-n S.I., Atë Gjon Shllakun O.F.M., Seminaristin Mark Çuni, të riun Qerim Sadiku e të tjerë.

I Lumi Qerim Sadiku, besimtar laik

Lindi në Vuthaj të Shkodrës më 12.02.1919. I martuar me Marije Vatën në shtator të vitit 1944, djali i vetëm që patën, të cilin e quajtën Gaspër, lindi 6 muaj  pas arrestimit të tij dhe Qerimi nuk e pa kurrë atë. I Dioqezës së Shkodrës, tani Shkodër-Pult. U arrestua dhe u burgos në Shkodër më 03.12.1945. U dënua me vdekje më 22.02.1946. U pushkatua në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, dhe u la aty, së bashku me Atë Danjel Dajanin S.I., Atë Giovanni Fausti-n S.I., Atë Gjon Shllakun O.F.M., Seminaristin Mark Çuni, të riun Gjelosh Lulashi e të tjerë .

04 mars 2020, 12:11