Kërko

Vatican News
 Kardinali Luis Antonio Tagle Kardinali Luis Antonio Tagle  

Vatikan: Tagle në Romë, si Prefekt i ri i Propaganda Fides

Kardinali Luis Antonio G. Tagle arriti nga Manila, në Romë, për të nisur shërbimin si prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve.

R. SH. - Vatikan

Kardinali Luis Antonio G. Tagle arriti nga Manila, në Romë, për të nisur shërbimin si prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve.

Hirësia e Tij, kardinali Tagle - njofton agjencia Fides - u prit në Romë nga një delegacion i dikasterit misionar, i përbërë nga sekretari i Kongregatës, kryeipeshkvi Protase Rugambwa; sekretari i dytë e president i Veprave Papnore Misionare, kryeipeshkvi Giampiero Dal Toso; zëvendës-sekretari, imzot Ryszard Szmydki; adminstratori, imzot Giovanni Ermes Viale.

Të dielën e kaluar, duke dhënë njoftimin për nisjen e tij, kryeipeshkvi i Manilës iu drejtua besimtarëve të mbledhur për meshën në katedrale, me fjalët:

“Ju përshëndes. Këtë javë do të nis punën pranë Kongregatës vatikanase. Ishte nder i posaçëm e bekim që ju njoha e bashkëpunova me ju. Do ta ruaj si thesar kujtimin e kohës së kaluar mes jush. Do të jeni gjithnjë të pranishëm në lutjet e mia. Ju lutem edhe ju të mos më harroni në uratë, mua e misionin tim. Lutuni edhe që të jeni të gatshëm për t’iu bindur veprimit të Shpirtit Shenjt, duke vijuar jetën e kryedioqezës e duke pritur kryeipeshkvin e ri. Uroj të jeni gjithnjë plot me gëzim”.

Stema e kardinalit është realizuar mbi mermerin e navatës qendrore të kishës. “Kjo do të thotë se do të kujtoheni në të gjitha lutjet dhe meshët, që do të kremtohen në këtë katedrale. Do të jeni gjithnjë këtu, si në shtëpinë tuaj”- këto, fjalët me të cilat e përcolli atë Reginald Malicdem, sekretar personal  i Tagle-s dhe rektor  i katedrales të Zojës së Papërlyer në Manilë.

Kujtojmë se emërimin e kardinalit Tagle si prefekt i ri i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve e dha Papa Françesku më 8 dhjetor 2019,  kur kremtohej festa e Zojës së Papëlyer.

11 shkurt 2020, 17:17