Kërko

Vatican News
Papa Françesku me refugjatët e ishullit Lesbos Papa Françesku me refugjatët e ishullit Lesbos 

Thirrje e tre kardinajve për ipeshkvijtë evropianë: të shpërndahen nëpër Evropë refugjatët e Lesbos

Në një letër drejtuar Konferencave Ipeshkvnore të gjithë Bashkimit Evropian, kardinajtë Hollerich, Czerny dhe Krajewski kërkojnë zhvendosjen e refugjatëve të pranishëm në ishullin Lesbos, në vende të tjera evropiane.

R.SH. - Vatikan

Një thirrje të fuqishme për ta mbajtur të hapur një rrugë shprese, që – siç mëson përvoja e disa vendeve - e konsideron mikpritjen, përgjigje të domosdoshme për klithmën e dëshpëruar të shumë njerëzve, të cilët kërkojnë dinjitet. Këtë bëjnë kardinajtë Jean-Claude Hollerich, kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, Michael Czerny, zv.sekretar i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, dhe Konrad Krajewski, Lëmoshtar i Atit të Shenjtë, në një letër drejtuar Konferencave Ipeshkvnore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Duke cituar disa herë fjalët e Papës Françesku, ata i ftojnë ipeshkvijtë të ndjekin udhëzimet për procedurën e transferimit të azilkërkuesve dhe të refugjatëve nga Greqia në një vend evropian.

Papa Françesku dhe vëmendja për ishullin Lesbos

Letra hapet duke kujtuar Engjëllin e Tënzot të 6 shtatorit 2015, kur Papa “u bëri thirrje famullive, bashkësive fetare, kuvendeve dhe shenjtëroreve të gjithë Evropës që, duke zbatuar konkretisht Ungjillin, të mirëprisnin së paku një familje refugjatësh”. Po atë ditë, Françesku kërkoi mbështetjen e të gjithë ipeshkvijve evropianë, duke kujtuar se “Mëshira është emri i dytë i Dashurisë”. Gjashtë muaj më vonë, udhëtimi i Papës në Lesbos: ishte prilli i vitit 2016. “Më pas, i vetëdijshëm për mbipopullimin dramatik dhe vuajtjet e mbi 20.000 refugjatëve në atë ishull dhe të mijëra të tjerëve, në ‘hot spot’-et e ndryshme në Greqi, Papa – shkruhet në thirrjen e kardinajve - nuk ka reshtur kurrë së punuari në ndihmë të tyre, duke u përpjekur të hapë korridore humanitare për t’i zhvendosur, me dinjitet të plotë, në vendet e tjera të Evropës”. “Shprehje e shqetësimit të pandërprerë të Atit të Shenjtë janë edhe misionet e shumta të kardinalit Krajewski dhe të kardinalit Hollerich në ishujt e Egjeut”.

Korridoret humanitare

Të vetëdijshëm për detyrën e tyre si të krishterë, në letër, të tre kardinajtë kërkojnë që, në secilin nga vendet e Bashkimit Evropian, “Konferencat përkatëse Ipeshkvnore, në bashkëpunim me qeveritë, duhet të bien dakord për një korridor humanitar nga Lesbos dhe nga kampet e tjera të pritjes së parë në Greqi” në Evropë. Theksohen përvojat e mira, zbatuar tashmë, në disa vende. “Shumë të mitur - shkruajnë Hollerich, Czerny dhe Krajewski – janë strehuar e pritur në familje, ndërsa të rriturit, në bashkësi fetare, famulli dhe në familje, që kanë shprehur gatishmëri për këtë”.

Takimi i dhjetorit në Vatikan

Letra përfundon me fjalët e Papës në takimin e 19 dhjetorit 2019, në Vatikan, me refugjatët, që mbërritën nga Lesbos përmes korridoreve humanitare. “Si të mos e dëgjojmë thirrjen e dëshpëruar të kaq shumë vëllezërve dhe motrave?... Si mund të ‘ecim me tej’, si prifti dhe leviti i shëmbëlltyrës së Samaritanit të Mirë, duke u bërë kështu përgjegjës për vdekjen e tyre? Plogështia jonë është mëkat!... Duhet t’i ndihmojmë dhe t’i shpëtojmë, sepse të gjithë jemi përgjegjës për jetën e të afërmit dhe Zoti do të na kërkojë llogari për këtë në Gjyqin e Mbramë”. “Edhe ne, së bashku me Atin e Shenjtë - shkruajmë tre kardinajtë - falënderojmë Zotin për të gjithë ata, që kanë vendosur të mos qëndrojnë indiferentë dhe me guxim do të hapin një udhë të re për t’u rikthyer dinjitetin dhe të ardhmen shumë vëllezërve dhe motrave tona”.

Udhëzimet për planin e mikpritjes

Bashkangjitur me letrën dërguar Konferencave Ipeshkvnore, udhëzimet për procedurën e zhvendosjes së azilkërkuesve dhe të refugjatëve nga Greqia në një vend evropian. Projekti e ka bazën e tij kryesore ligjore në nenin 17 të Marrëveshjeve të Dublinit (Rregullorja Dublin III Nr. 604/2013), ku parashikohet që një shtet anëtar, i cili nuk është i detyruar të shqyrtojë një kërkesë për azil, mund ta bëjë gjithsesi këtë, duke e njoftuar shtetin anëtar kompetent për gatishmërinë e vet. Më pas, të gjitha hapat e nevojshme për transferimin: nga kërkesat drejtuar qeverive, në mënyrë që përmes organeve kompetente - përgjithësisht Ministrive të Brendshme – t’i ofrojnë Greqisë vullnetarisht marrjen përsipër të përgjegjësisë për shqyrtimin e kërkesës për azil, deri në angazhimin e Konferencave Ipeshkvnore për t’u dhënë refugjatëve mikpritjen dhe mbështetjen për kohën e nevojshme. “Bashkësia e Shën Egjidit - lexohet më tej – do të merret me identifikimin e refugjatëve, që mund të përfitojnë nga projekti, duke rënë pastaj dakord me secilën Konferencë Ipeshkvnore të interesuar për emrat e përfituesve, që do të mirëpriten prej saj”.

20 shkurt 2020, 17:54