Kërko

Grup grash e fëmijësh eritreas Grup grash e fëmijësh eritreas 

Selia e Shenjtë për Eritrenë: dialog për arsimin dhe shëndetësinë

Kryeipeshkvi Ivan Jurkoviç, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, foli në sesionin e 43-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut mbi situatën e Kishës Katolike në Eritre, si edhe mbi vendimin e qeverisë për t’ia hequr Kishës administrimin e strukturave shëndetësore dhe edukative.

R.SH. - Vatikan

Shqetësim për mbylljen dhe nacionalizimin e strukturave kishtare shëndetësore dhe arsimore në Eritre, si edhe nxitje për qeverinë që të ndërmarrë rrugën e dialogut me Kishën Katolike. Ky është qëndrimi i Selisë së Shenjtë ndaj Asmarës, shprehur nga kryeipeshkvi Ivan Jurkoviç, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, në sesionin e 43-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut.

 Imzot Jurkoviç e ngriti zërin në Gjenevë, pasi e patën bërë edhe ipeshkvijtë vendas në shtator 2019, përmes një letre për ministrin e arsimit. Që prej dy vitesh, qeveria eritrease ka filluar mbylljen e shkollave dhe të strukturave shëndetësore kishtare, duke nisur nga shkolla e mesme “I shenjtnueshmi Sakrament” e seminarit të kryeqytetit. Institucion historik, i cili për më se një shekull ka luajtur një funksion të rëndësishëm kulturor dhe shpirtëror, në shërbim të Kishës dhe të vendit. Më pas, ka vijuar edhe mbyllja e strukturave të tjera kishtare.

“Kisha – shkruanin prelatët me atë rast – kërkon një sërë të drejtash”, që i takojnë, ndër të cilat, edhe “pronësinë e atyre pasurive të tundshme dhe të patundshme, që shërbejnë për përmbushjen e misionit të saj të shumëanshëm”.

Kisha Katolike, nga ana e saj, rithekson Imzot Jurkoviç, në përputhje me natyrën dhe misionin e saj universal, “kryen veprimtari bamirëse dhe shoqërore për gjithë popullsinë, duke treguar vëmendje të veçantë për më nevojtarët, pa dallime”. Objektivat kishtare, theksoi ai, “janë humanitare e jo politike, me qëllim promovimin e drejtësisë, paqes, pajtimit dhe dialogut”. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë e ftoi qeverinë eritrease të fillojë “një dialog konstruktiv” me Kishën Katolike, në mënyrë që të respektohen të drejtat dhe liria e saj për t’i shërbyer të mirës së përbashkët të vendit.

28 shkurt 2020, 14:08