Kërko

Tentazione di Gesù, il diavolo tenta Cristo nel deserto Tentazione di Gesù, il diavolo tenta Cristo nel deserto 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dieles së 1 të kohës të Kreshmëve “A”

E diela e parë e Krezhmëve ka gjithmonë si temë kryesore në Liturgjinë e Fjalës, tundimin. Jezusi, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu 4,1-11, na paraqitet përballë tundimit. Është një fakti që jo vetëm se nuk duhet të na shkandullojë por, madje, duhet të na sigurojë, sepse kështu dimë se tundimi lidhët ngushtë me natyrën tonë njerëzore, të cilën Jezusi e mori mbi vete krejtësisht, me përjashtim të mëkatit (khr Hb 4,15).

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe do të meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të Dielës së Parë të kohës së Krezhmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dieles së 1 të kohës të Kreshmëve “A”

Qëllimi i vitit kishtar a liturgjik, është të takohemi me Zotin e Jetës. Koha e kreshmëve, të cilën e kemi filluar të Mërkurën e Përhime, javën që kaloi, është një periudhë shpirtërore e liturgjike e fortë, që paraprinë e përgatit kremtimin e ngjarjes së madhe të Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Në të dielën e parë të Krezhmëve, Kisha na kujton se kjo kohë e Krezhmëve është kohë pendese, lutjeje, kohë veprash bamirësie dhe kthimi në rrugën e Zotit. Krezhmët janë si një periudhë e gjatë ushtrimesh shpirtërore, ku njeriu mëson të dëgjojë brenda vetes zërin e Hyjit. Ungjillin e Dielës së parë të Krezhmëve nga Mateu (4,1-11), që na flet për tundimet e Jezusit, lidhet ngushtë me Shndërrimin e Krishtit mbi mal, pёr çka flet Ungjill i Dielës së 2-të të Kreshmëve (Mt 17,1-9), episode në të cilat ndjehet fuqimisht misteri i Pashkëve.

E diela parë e Krezhmëve ka gjithmonë si temë kryesore në liturgjinë e Fjalës, tundimin.  Lufta e Jezusit me tunduesin i paraprin duelit përfundimtar të Mundimeve, ndërsa drita e korpit të tij të shndërruar përshpejton lumninë e Ngjalljes. Nga njëra anë shikojmë Jezusin plotësisht njeri, që pëson edhe tundimin, si na; nga ana tjetër, kundrojmë Birin e Hyjit, që e hyjnizon natyrën tonë njerëzore. Mund të themi kështu se këto dy të diela të Kreshmëve janë si dy shtylla, mbi të cilat mbështetet gjithë ngrehina e jetës së krishterë, thelbi i së cilës është dinamizmi i Pashkëve, kalimi nga vdekja në jetë

Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu (Mt 4,1-11), Jezusi, pasi ka marrë pagëzimin nga Shën Gjoni, largohet nga Jordani dhe udhëhiqet nga Shpirti i Shenjtë në shkretëtirë, ku për dyzet ditë, tundohet nga djalli. Tundimet nuk ishin të rastit, por pasojë e vendimit të Jezusit për të ndjekur misionin, që ia kishte besuar Ati i Gjithëpushtetshëm. Krishti erdhi në botë për të na çliruar nga mëkati e nga joshja e dyshimtë, që na shtyn ta planifikojmë jetën pavarësisht nga Zoti. Ai e bëri këtë jo me shpallje plot bujë, por duke luftuar personalisht kundër Tunduesit, deri në kryq. Ky shembull vlen për të gjithë: bota përmirësohet duke filluar nga vetvetja e duke ndryshuar, me hirin e Zotit, atë që s’shkon në jetën personale.

Tundimi i parë që djalli vë para Jezusin ka të bëjë me urinë. Tunduesit Jezusi i përgjigjet se “jo vetëm me bukë jeton njeriu”. Pastaj, djalli i tregon Jezusit të gjitha mbretëritë e tokës dhe i thotë se gjithçka do të jetë e tij, nëse do ta adhurojë. Është mashtrimi i pushtetit, të cilit Jezusi ia çjerr maskën dhe e refuzon. Së fundi, Tunduesi i propozon Jezusit të bëjë një mrekulli spektakolare, të hidhet nga muri i lartë i Tempullit e të thërrasë engjëjt e Hyjit për ta shpëtuar. Por Jezusi përgjigjet se “Zoti nuk duhet vënë kurrë në provë”.

Jezusi i kundërvë kritereve njerëzore të vetmin kriter të vërtetë: bindjen para vullnetit të Zotit. Edhe ky është një mësim themelor për ne: nëse do të mbajmë në mendje e në zemër Fjalën e Hyjit, nëse ajo hyn në jetën tonë, mund të sprapsim çdo lloj mashtrimi të Tunduesit. Prandaj, ta jetojmë kohën e Kreshmëve sipas shembullit të Shën Palit Apostull, fitimtar në luftën ndërmjet së mirës e së keqes e dëshmitar i fitores së Dashurisë mbi vdekjen.

                                                                  Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë  Zan 2, 7-9; 3, 1-7

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i shtini frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë. Zoti Hyj mbolli një kopsht në Eden, në lindje, e në të e vendoi njeriun që e kishte krijuar. Zoti Hyj bëri që prej toke të mbijë çdo lloj peme, e bukur për t’u parë dhe e shijshme për t’u ngrënë, e në midis të parrizit pemën e jetës e pemën e dijes të mirës e të së keqes.  Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?” Gruaja i përgjigji: “Ne i hamë frytet e pemëve që janë në kopsht; porse për frytin e pemës që është në midis të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim.” Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. Madje Hyji e di se kur do të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen.”  Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frytit të saj dhe hëngri. Mandej i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. Atëherë iu hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete. Fjala e Zotit.

PSALMI 51

Ref: Na fal, o Zot, sepse kemi mëkatuar

—————————————————-

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.

——————————————–

Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje.

———————————————-

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

————————————————-

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.

———————————————–

Leximi i dytë    Rom 5, 12-19

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, sikurse me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan… – në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, prapë vdekja mbretëronte qysh prej Adamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte.  Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkat. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë në hir të një Njeriu të vetëm – Jezu Krishtit. E dhurata e hirit ka rrjedhim krejtësisht të ndryshëm nga ai i mëkatit të një njeriu të vetëm: gjyqi i shkaktuar prej mëkatit çon në dënim, kurse dhurata e hirit, pas shumë mëkatesh, jep shfajësimin. Kështu, pra, nëse me anë të mëkatit të një njeriu të vetëm, mbretëroi vdekja – për shkak të një njeriu të vetëm – me më shumë arsye do të mbretërojnë në jetë ata që marrin begatinë e pamasë të hirit e të dhuratës së drejtësisë nëpër një të vetmin – Jezu Krishtin.  Prandaj, mëkati i njërit – dënim për të gjithë njerëzit, gjithashtu edhe drejtësia e Njërit – shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve. Vërtet, sikurse me padëgjesën e njërit, mëkatuan të gjithë njerëzit, po ashtu, me dëgjesën e Njërit – të gjithë njerëzit do të bëhen të drejtë. Fjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
por prej çdo fjalë që del nga goja e Hyjit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Mt 4, 1-11

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkreti që ta tundojë djalli. Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit. Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!” Por Jezusi i përgjigj: “Shkrimi shenjt thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit’.”  Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Për ty Hyji do t’ju urdhërojë engjëjve të vet, dhe ata do të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur’!” Jezusi i përgjigji: “Porse Shkrimi shenjt thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd’!”  Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre e i tha: “Të gjitha këto do t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron.” Atëherë Jezusi tha: “Ik, o djallë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbej vetëm Atij’!” Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin. Fjala e Zotit.

28 shkurt 2020, 14:18