Kërko

 Jeruzalemi Jeruzalemi 

Selia e Shenjtë për Lindjen e Mesme mbështet rrugëzgjidhjet e arritura me dialog

Selia e Shenjtë e inkurajon bashkësinë ndërkombëtare ta mbajë gjallë pishtarin e dialogut në Lindjen e Mesme. Këtë nënvizoi, gjatë fjalës, mbajtur në Pallatin e Qelqit, imzot Frederik Hansen, i ngarkuar me punët e misionit të Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së.

R. SH. - Vatikan

Selia e Shenjtë i siguron bashkësisë ndërkombëtare mbështetjen për nismat, që synojnë rrugëzgjidhje të arritura rreth tryezës së bisedimeve si dhe për angazhimin në favor të paqes. Në diskutimin e hapur  pranë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që vijoi deri pardje në New York, kushtuar situatës mbi Lindjen e Mesme, duke përfshirë edhe çështjen palestineze, mbajti një deklaratë të posaçme edhe imzot Frederik Hansen.

Dialog e përçapje për krizën në Rajon

Në deklaratën e tij, imzot Hansen u mbështet plotësisht mbi fjalimin e Françeskut drejtuar Trupit diplomatik akredituar pranë Selisë së Shenjtë, përmes të cilit Papa përsëriti shqetësimin e tij të thellë për këtë Rajon të botës ku, që nga fillimi i vitit, vijojnë të vijnë lajme shumë shqetësuese. Theksoi posaçërisht thellimin e tensionit ndërmjet Iranit e SHBA-ve, ashtu si dhe krizën në Irak e në Liban, me rrezikun e  “krijimit të bazave të një konflikti në shkallë shumë më të gjerë”, të cilit - pohoi - të gjithë dëshirojmë t’i vëmë pritë. Prej këndej duhet theksuar se ka rëndësi të dorës së parë - vijoi imzot Hansen - që këto sfida të përballohen katërçipërisht, ashtu si dhe angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare në frontin e dialogut të hapur e konstruktiv, bazuar  në parimet,  mbi të cilat  u themeluan Kombet e Bashkuara, 75 vjet më parë.

Të ruhet status quo mbi Vendet e Shenjta

Selia e Shenjtë dhe Papa - vërejti akoma imzot Hansen - vijojnë ta ndjekin me vëmendje të madhe situatën në Jeruzalem, Qytet Shenjt, Qytet i Paqes. Prej këndej, thirrja drejtuar kësaj Organizate për ta mbajtur staus quo-në  e viseve të shenjta  të Jeruzalemit, tejet të dashuura për hebrenjtë, kristianët e myslimanët e po aq të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të mbarë familjes njerëzore. Është urgjente që mbarë Bashkësia ndërkombëtare  të  ripohojë angazhimin e saj në mbështetje të procesit të paqes izraelito-palestineze, gjë që Papa e nënvizoi me forcë në fjalimin drejtuar Trupit diplomatik. Ndërsa Sekretari i përgjithshëm, në raportin e dhjetorit, theksonte se “situata mund të keqësohet, duke e zbehur edhe më tej rrugëzgjidhjen e dy Shteteve, bazuar mbi linjat e 1967-tës”.

Ajo që Papa pohoi lidhur me Izraelin e Palestinën, mund të zbatohet në gjithë rajonin. E, në prag të 75-vjetorit të OKB-së, edhe në mbarë botën, ku mijëra njerëz, që jetojnë në kushte të vështira, kanë nevojë për paqe, siguri, begati.

Siria dhe Jemeni

Por vështrimi i Papës qe drejtuar edhe nga Siria. Duhet grisur veli i heshtjes, i cili rrezikon të bjerë mbi luftën, që e ka kthyer në gërmadhë  vendin gjatë dhjetëvjeçarit të fundit - pati kujtuar Papa - duke  i nxitur palët e interesuara të gjejnë rrugëzgjidhje të përshtatshme për t’i krijuar popullit të dashur sirian kushtet të jetojë në paqe e ta rindërtojë vendin e shkatërruar nga lufta shumëvjeçare. Por, çka e shqetëson më shumë Françeskun - nënvizoi akoma imzot Hansen - është edhe indiferenca  përballë konfliktit në Jemenin, që po vuan keqas nga një prej krizave humanitare më të rënda në historinë e kohëve të fundit.

23 janar 2020, 13:47