Kërko

2020.01.09 Auguri Corpo Diplomatico 2020.01.09 Auguri Corpo Diplomatico 

Realizmi dhe shpresa, editoriali i Andrea Tornielli

Sot mund të shpresojmë, edhe pse bota na duket e dënuar nga urrejtje e nga muret, megjithatë, ka gra dhe burra që nuk dorëzohen para ndarjeve e nuk e kthejnë kokën në tjetër anë përpara njerëzve që vuajnë. Mund të shpresojmë sepse ka udhëheqës që u përkasin feve të ndryshme që takohen dhe përpiqen të ndërtojnë një botë në paqe.

R.SH. - Vatikan

Nga fjalimi i Papës Françesku mbi "gjendjen në botë", drejtuar trupit diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, sivjet fjalët që na tërheqin vëmendjen, në mënyrë të veçantë, i kushtohet rritjes së tensionit ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Papa Bergoglio, që foli mbi këtë argument të dielën më 5 janar, e përsëriti sot thirrjen e tij për t’iu shmangur rritjes së mëtejshme të ndeshjes, duke mbajtur të ndezur "flakën e dialogut e të vetëkontrollit, në respektimin e plotë të parimit të ligjshmërisë ndërkombëtare". Kjo thirrje vlen për të gjitha palët e përfshira, e reflekton me realizëm, mbi rrezikun e zvarritjes së Lindjes së Mesme dhe të mbarë botës në një konflikt me pasoja të pallogaritshme.

Edhe pse sot, me të drejtë, vëmendja përqendrohet mbi zhvillimin e krizës ndërmjet ShBA-së e Iranit dhe rrezikut të mëtejshëm që përfaqëson për Irakun e paqëndrueshëm e të rrënuar nga luftërat dhe terrorizmi, Papa Françesku nuk e thjeshtëson realitetin. Në fjalimin e tij, drejtuar trupit diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, kujton edhe dhunën e shumë luftëra tjera, në vise të ndryshme të botës, që shpesh lihen në harresë nga komuniteti ndërkombëtar. Denoncon heshtjen e fshehur mbi fatin e Sirisë së shkatërruar, denoncon konfliktin në Jemen që po përjeton një krizë tejet të rënd humanitare dhe indiferencën e komunitetit ndërkombëtar. Kujton Libinë, por edhe dhunën në Burkina Faso, Mali, Niger dhe Nigeri. Kujton dhunën kundër njerëzve të pafajshëm, duke përfshirë edhe shumë të krishterë, të vrarë për shkak të besnikërisë së tyre ndaj Ungjillit, kujton viktimat e terrorizmit dhe të fundamentalizmit.

Kush e ka lexuar apo dëgjuar, nuk mund të mos preket nga, lista e gjatë dhe e detajuar e krizës - duke përfshirë edhe vendet që e kanë ndezur flakë Amerikën latine e që përshkohen nga padrejtësitë dhe korrupsioni endemik - fakti që Papa Françesku e filloi fjalën e tij me një vështrim plot shpresë, me atë shpresë që për të krishterët është një virtyt themelor, por që nuk mund të shkëputet nga realizmi. Të shpresosh, shpjegoi Papa, do të thotë t’i përmendesh problemet me emër dhe të kesh kurajën për t’u përballur me to. Pa harruar, pastaj, fatkeqësitë që kanë shkaktuar luftërat dhe pasojat e tyre të tmerrshme që ende sot rëndojnë mbi popullsi të tëra. Pa harruar absurditetin dhe imoralitetin e garës së riarmatimit bërthamor dhe rrezikun konkret të vetë-shkatërrimit të botës. Pa harruar mungesën e respektit për jetën dhe dinjitetin njerëzor; mungesën e ushqimit, të ujit dhe të kurave mjekësore nga të cilat vuajnë kaq shumë popullsi, pastaj krizë ekologjike të cilën ende shumë njerëz bëjnë kinse nuk e shohin.

Po, mund të shpresojmë, edhe pse bota duket e dënuar nga urrejtje e nga muret, megjithatë ende sot, ka gra dhe burra që nuk dorëzohen para ndarjeve e nuk e kthejnë kokën në tjetër anë përpara atyre njerëzve që vuajnë. Mund të shpresojmë, sepse ka udhëheqës që u përkasin feve të ndryshme që takohen dhe përpiqen të ndërtojnë një botë në paqe. Mund të shpresojmë, sepse ka të rinj që përpiqen t’i ndërgjegjësojnë të rriturit rreth rreziqeve që i kanosen krijimit, i cili po shkon drejt një pike pa kthim. Mund të shpresojmë, sepse natën e Betlehemit Zoti, i Plotfuqishëm, zgjodhi të bëhet fëmijë, i vogël, i brishtë, i përulur, për të mposhtur dhe magjepsur botën me dashurinë e mëshirën e tij të pakufishme.

09 janar 2020, 12:05