Kërko

Canto dei Cantici dalle cinque Meghillot Canto dei Cantici dalle cinque Meghillot 

Dita e miqësisë dhe studimit ndërmjet hebrenjve e katolikëve kundër çdo paragjykimi

Sot në të gjitha dioqezet italiane kremtohet Dita për thellimin dhe zhvillimin e dialogut midis katolikëve dhe hebrenjve, kundër paragjykimit, indiferencës dhe injorancës.

R.SH. - Vatikan

Një ngjarje me rëndësi të madhe kulturore, së bashku me shpresën që miqësia ndërmjet komuniteteve katolike e hebraike në Itali të mund të rritet gjithnjë më shumë në njohuri dhe besim të ndërsjellët. Sot kremtohet një ditë më parë - pasi data 17 janarit bie të premten - Dita e thellimit dhe zhvillimit të dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, që ka arritur në edicionin XXXI. Të shumta nismat, në programin, në të gjitha dioqezat katolike italiane, për t’i përforcuar marrëdhëniet ndërmjet besimtarëve të të dy feve, duke ofruar raste e mundësi për biseda dhe krahasime teologjike, pastorale, kulturore e edhe duke nxitur debatin mbi këndvështrimet dhe nyjet e pazgjidhura në dialogun ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, 55 vjet, më 28 tetor, nga Deklarata e Koncilit II të Vatikanit Nostra Aetate.

Dita e miqësisë dhe studimit ndërmjet hebrenjve dhe katolikëve 2020 propozon një reflektim mbi  Librin e " Këngës së Këngëve", tekstit të Shenjtë të Biblës hebraike, marrë nga pesë Megillot, nga të cilat në vitet e fundit janë thelluar tashmë Libri i Rutës, Libri i Vajtimeve dhe Libri i Esterës.

Mbi pesëdhjetë vjet dialog e shumë hapa përpara. Kjo është udha e marrëdhënieve ndërmjet Kishës Katolike e hebrenjve, prandaj kjo Ditë e miqësisë dhe studimit vë në dukje se katolikët e hebrenjtë duhet të punojnë e të luten së bashku për respektin dhe paqen në botë.

E papranueshme dhe e patolerueshme të harrohet ose të minimizohet krimi i tmerrshëm i shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës II Botërore. Kështu, për Kishën katolike është e papranueshme dhe e patolerueshme të harrohet ose të minimizohet krimi i tmerrshëm i shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës II Botërore.  Ky kapitull i tmerrshëm i historisë, nuk duhet harruar kurrë. Kujtimi i këtyre ngjarjeve duhet të jetë paralajmërim për të ardhmen dhe duhet të na shtyjë drejt përpjekjeve për pajtim, duke bërë ç’është e mundur që katastrofa të tilla të mos përsëriten më.

Kjo Ditë ripohon se Kisha katolike është thellësisht dhe prerazi e impenjuar që të refuzojë çdo formë antisemitizmi dhe të vazhdojë të çimentojë marrëdhënie të mira e të qëndrueshme ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. Kisha katolike përsërit se urrejtja kundër burrave, grave e fëmijëve, që u tregua gjatë tragjedisë së Holokaustit, ishte krim kundër Zotit e kundër njerëzimit.
Kjo duhet të jetë e qartë për këdo, sidomos për ata që ndjekin traditën e Biblës - Shkrimit të Shenjtë, sipas të cilit çdo njeri është krijuar në shëmbëlltyrë e përngjasim me Zotin. Çdo mohim apo përpjekje për t’i zvogëluar përmasat e këtij krimi është e patolerueshme dhe e papranueshme.

Bijtë e Abrahamit, hebrenjtë, nuk kishin mbështetje tjetër, veçse fenë e etërve të tyre në Zot, fe që ne të krishterët e bashkëndajmë me ta. Njerëzimi mbarë, pohon Kisha katolike, turpërohet thellësisht për brutalitetin e skajshëm, që u tregua ndaj popullit hebre.

Po Kisha katolike është e lidhur në mënyrë të veçantë me Tokën e Shenjtë, e cila është Tokë e Shenjtë për të krishterët e për hebrenjtë, sepse rrënjët e fesë sonë janë aty. Identiteti i krishterë është ngushtësisht i lidhur me atë hebraik, megjithëse marrëdhëniet ndërmjet dy feve monoteiste nuk kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera. Por, nuk duhet t’i lemë vështirësitë e së kaluarës të pengojnë përforcimin e miqësisë mes dy komuniteteve. Mesazhi i kësaj Dite kujton edhe dokumentin e rëndësishëm për dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, Deklaratën konciliare “Nostra Aetate”, që përvijon mirë qëndrimin e Kishës katolike ndaj marrëdhënieve katolikë-hebrenj.

16 janar 2020, 13:01