Kërko

Giornata della Vita Consacrata Giornata della Vita Consacrata 

Më 2 shkurt Dita XXIV Botërore e Jetës së Shuguruar

Në festën liturgjike të Paraqitjes së Jezusit në Tempull, çdo vit kremtohet Dita botërore e jetës së shuguruar, dita e jetës rregulltare. Në Romë, këtë vit, edicioni i XXIV do të mbahet më 1 shkurt, me Meshën që do të kryesohet nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në ora 17.00. Kujtojmë se Dita e Jetës së Shuguruar u themelua nga Papa Shën Gjon Pali II në vitin 1997.

R.SH. - Vatikan

Në festën liturgjike të Paraqitjes së Jezusit në Tempull,  çdo vit kremtohet Dita botërore e jetës së shuguruar, dita e jetës rregulltare. Në Romë, këtë vit, edicioni i XXIV do të mbahet më 1 shkurt, me Meshën që do të kryesohet nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në  ora 17.00.

Kështu njofton Kongregata e Selisë së Shenjtë për institutet e jetës rregulltare dhe shoqëritë e jetës apostolike, duke theksuar se do të jetë një Ditë lutjeje për thirrjet e shenjta dhe falënderimi ndaj Zotit për dhuratën e kaq shumë personave të përkushtuar që kanë përqafuar jetën rregulltare, të cilët, në toka misionare apo në realitete të jetës e të punës së përditshme, duke jetuar shpesh në kontekste që janë edhe jete të vështira, këta rregulltarë e rregulltare kujdesën për njerëzit që janë të mbramët e më të brishtët e shoqërisë bashkëkohore, dhe në këto realitete janë dëshmitarë e kumtues të pranisë së Zotit në botë.

Me rastin e kësaj Dite, të gjithë rregulltarët e personat e përshkuar do t’i ripërtërijnë kushtet e jetës së shuguruar rregulltare, për të qenë, sipas porosisë së Krishtit, "drita e botës dhe kripa e tokës", për të punuar për paqe e vëllazëri, duke pranuar ftesën e Papës për të qenë "burra e gratë që e ndriçojë të ardhmen".

Kremtimi i Ditës së XXIV Botërore të Jetës së Shuguruar – Rregulltare, në bazilikën e Shën Pjetrit, do të pasurohet mëtej nga prania e rreth 300 murgeshave kundruese që, nga 31 janari deri më 1 shkurt, do të takohen në Romë, me ftesën e Dikasterit të Vatikanit, për të reflektuar mbi temën e administrimin e të mirave.

Kujtojmë se Dita e Jetës së Shuguruar u themelua nga Papa Shën Gjon Pali II në vitin 1997. Kjo Ditë ka si qëllim ta falënderojë Zotin për dhuratën e jetës së shuguruar, e cila është pjesë e shenjtërisë së vetë Kishës. Gjithashtu, ky është një rast për të vlerësuar edhe më shumë dëshminë e atyre njerëzve që ndjekin udhën e jetës rregulltare dhe të atyre, që duan ta ndjekin Krishtin në jetën e përditshme. Ata vetë mund të rinovojnë premtimet bërë Hyjit me jetën e tyre.  

Gjatë viteve të fundit, Dita e Jetës së Shuguruar është kremtuar në Romë, me lutjet e Mbrëmësoret, në praninë e Papës. Veçanërisht i bukur, gjatë kremtimit të kësaj Dite, procesioni fillestar me rregulltarë e rregulltare të shuguruar (burra e gra), secili me një qiri në dorë - simbol i Krishtit, secili nga institutet e ndryshme  të jetës rregulltare e të jetës apostolike, për të shprehur shumëllojshmërinë e shërbimeve e të karizmave të Jetës së Shuguruar, brenda universalitetit të Kishës Katolike.

Me domethënie të veçantë janë edhe dëshmitë e rregulltarëve e të rregulltareve, që, gjatë kremtimit të kësaj Dite, alternohen në elter në fund të kremtimit, për të folur mbi jetën e tyre kushtuar Zotit, në shërbim të popullit të Tij.

Shkruhet në Kushtetutën “Lumen Gentium”: “Kështu Krishti, përmes anëtarëve të Kishës, do ta ndriçojë gjithnjë e më shumë krejt shoqërinë njerëzore, me dritën e Tij, që shëlbon” (Lumen Gentium, 36). Njerëzit, që ia shugurojnë jetën Zotit dhe grigjës së Tij, janë ata, që e ndihmojnë Jezusin në këtë detyrë. Prandaj, Kisha katolike u kërkon të gjithë besimtarëve të luten për rregulltarët e rregulltaret.

10 janar 2020, 12:42