Kërko

Vatican News
 Natale - La nascita di Gesù Cristo Natale - La nascita di Gesù Cristo 

Gëzimi i Krishtlindjes depërtoftë në thellësi të zemrave

Sipas Kishës katolike, besimtarët nuk duhet të vonohen asnjë çast, kur është fjala për të ndihmuar njeriun, që vuan, po duhet mishëruar Dashurinë Hyjnore në gjestet tona të bamirësisë njerëzore, për të rrezatuar Dritën e Jezusit Foshnje.

R.SH. - Vatikan

Krishtlindja është festë e shenjtë kristiane, vlera fetare e së cilës nuk duhet të përvetësohet nga aspektet e jashtme”. Me këtë mendim e përcaktim besimtarët dhe krishterë e kremtojnë Natën e Shenjtë të Mishërimit të Zotit, Lindjen e Jezu Krishtit. Festa e Krishtlindjen na rrëfen për Amshimin, që hyn në kufijtë e kohës e të hapësirës; për Hyjin që, për dashuri, kalon përmes grazhdit të Betlehemit, duke u ulur aq, sa të bëhet i ngjashëm me njeriun. Po sot nuk duhet të harrojmë se Krishtlindja kërcënohet nga rreziku i kremtimit në mënyrë sipërfaqësore, konsumistike, pa hyrë në shpirtin e në thelbin e saj të vërtetë.

E, duke kujtuar shprehjen “Gëzuar Krishtlindjen”, që këto ditë është në gojën e gjithë të krishterëve të botës, të përpiqemi që, edhe në shoqërinë aktuale, shkëmbimi i urimeve të mos e humbasë vlerën e thellë fetare e festa të mos thithet nga aspektet e jashtme, që prekin kordat e zemrës. Natyrisht, shenjat e jashtme janë të bukura, të rëndësishme, në se nuk të pengojnë por, përkundrazi, të ndihmojnë ta jetosh Krishtlindjen në kuptimin e saj më të vërtetë: kuptimin e shenjtë e të krishterë, në mënyrë që edhe gëzimi, i cili buron nga festa, të mos mbetet në sipërfaqe, po të hyjë në thellësi të zemrave tona.

Po, si mund të hyjë sot festa e madhe e Krishtlindjes në thellësi të shpirtit? Si mund ta provojë një emocion të tillë, të paharrueshëm, njeriu i kohëve tona, që njihet si njeri i ndjeshmërisë, i asaj që eksperimentohet empirikisht? Natyrisht, duke u nisur nga fakti historik i Jezusit të Nazaretit, i Hyjit, i cili jo vetëm që i foli njeriut, por edhe u bë njeri. E pastaj, në një nivel edhe më shpirtëror, duke ua vënë mirë veshin fjalëve e shenjave të liturgjisë së Krishtlindjes.

Duke treguar se Jezusi lind, Liturgjia nuk përdor një frazë pa kuptim, por nënvizon se kjo Lindje përshkon tejembanë historinë. Ne, besimtarëve, kremtimi i Krishtlindjes na kujton edhe një herë se Zoti është me të vërtetë i pranishëm ndërmjet nesh, është mishëruar, pra nuk është larg e, ndonëse vijon të jetë me Atin, është edhe pranë nesh e, në këtë Fëmijë, lindur në Betlehem, i afrohet njeriut; ne tani mund ta takojmë, në një ‘të sotme’, pa perëndim.

Një tjetër element që tërheq vëmendjen e besimtarit të krishterë është aspekti i Pashkëve të Krishtit, që ndjehen fort edhe në ngjarjen e Betlehemit. Krishtlindja e Pashkët, janë të dyja festa të shëlbimit hyjnor. Pashkët kremtohen si fitore mbi mëkatin e mbi vdekjen: shënojnë çastin përfundimtar, kur lavdia e Njeriut-Zot shkëlqen si drita e ditës; Krishtlindja kremtohet si hyrje e Zotit në histori, duke u bërë njeri, për ta çuar njeriun tek Zoti: shënon, në se mund të shprehemi kështu, çastin fillestar, kur nis të duket ylli i dritës. E të kujtojmë me emocion jo vetëm rëndësinë, por edhe bukurinë e festës së Krishtlindjes që kremtojmë në këtë Natë të Shenjtë. Sepse në Krishtlindje ne takohemi me butësinë e me dashurinë e Zotit, që përkulet mbi mjerimet tona, mbi ligështitë tona, mbi mëkatet tona; përkulet deri tek ne.

Biri i Zotit lind ende sot, Hyji është vërtet pranë secilit nga ne e dëshiron të na takojë, të na çojë tek Ati. Ai është drita e vërtetë; ai e davarit errësirën, që mbështjell jetën tonë e jetën e mbarë njerëzimit. E atmosfera e Krishtlindjes, në familjet e krishtera shqiptare, si zakonisht krahas ‘Shpellës së Betlehemit’ e ‘Pemës së Krishtlindjes’ në këtë kohë mbushen plot edhe me tinguj këngësh që rrëfejnë domethënien e Lindjes së Krishtit e kujtojnë porosinë e Shpellës së Betlehemit.

E Kisha na fton që, gjatë festave, familjet e të gjithë njerëzit të tregohen më të vëmendshëm ndaj tjerëve, ndaj të varfërve, ndaj atyre që vuajnë në trup e në shpirt. Shpesh, në atmosferën kur të gjithë festojnë e gëzohen, vuajtja bëhet edhe më e padurueshme. Prandaj, sipas Kishës katolike, besimtarët nuk duhet të vonohen asnjë çast, kur është fjala për të ndihmuar njeriun, që vuan, po duhet mishëruar Dashurinë Hyjnore në gjestet tona të bamirësisë njerëzore, për të rrezatuar Dritën e Jezusit Foshnje.

Një porosi shumë e bukur e Krishtlindjes thotë kështu:
Çdo herë kur dy njerëz e falin njëri tjetrin, ndodh Krishtlindja.
Çdo herë kur e tregoni mirëkuptimin për fëmijën tuaj, ndodh Krishtlindja.
Çdo herë kur dikush vendoset të jetojë në mënyrë të ndershme, ndodh Krishtlindja.
Çdo herë kur lind një fëmijë, ndodh Krishtlindja.
Çdo herë kur mundohesh t’ia japësh jetës sate kuptimin e ri, ndodh Krishtlindja.
Çdo herë kur e shikon dikë me sy të zemrës, me buzëqeshje, ndodh Krishtlindja.
Sepse kështu lind dashuria. Kështu lind paqja. Kështu lind drejtësia.
Kështu lind shpresa. Kështu lind gëzimi. Kështu lind Krishti Zot.

Krishti është dritë, duhet ta pranojmë plotësisht këtë mesazh, që përsëritet në shekuj. Krishti na fton ta ndezim dritën e mirësisë e të paqes e, për të ndërtuar një botë paqësore, të pranojmë ftesën e Engjëjve: “Lumni Zotit e paqe njerëzve që ai i do!”.

Ndize, pra dritën e paqes e dritën e shpresës për të gjithë: për familjet, që mezi arrijnë të sigurojnë një jetë dinjitoze, për njerëzit që e kalojnë festën në burg, në spital në vetmi e në harresë.
Ndize dritën tënde, për të pritur Krishtin, që është Dritë, duke ndenjur zgjuar pranë Marisë, që në heshtje të thellë pret, bashkë me fatin e vet Jozefin, të përmbushet premtimi i kahmotshëm! Të rrimë zgjuar e të lutemi kështu, duke pritur plot shpresë që Krishti të lindë edhe në zemrat tona!

Pra urime të gjithëve, ju urojmë të hyni në misterin e Foshnjës Hyjnore të Betlehemit me fenë e Virgjërës Mari; Ju urojmë që ju, të dashur besimtarë, t’i afroheni Shpellës së Betlehemit me atë gëzim e me atë paqe shpirtërore, që Jezusi Hyjnor vjen ta sjellë në botë; e ju urojmë ta kundroni vazhdimisht shembullin e Familjes Shenjte të Nazaretit, për t’i bërë tuajat virtytet e saj e për t’i zbatuar në jetën e përbashkët të përditshme, me dashuri e në dashuri, sipas porosisë së Krishtit Fëmijë. Kjo Krishtlindje qoftë për të gjithë, ngjarje dashurie, gëzimi, shprese, paqeje! Për shumë Mot Krishtlindja!

24 dhjetor 2019, 16:30