Kërko

Vatican News

Dispanseria e Shën Martës: nesër, festë e madhe, me Papën Françesku

Në zemër të Vatikanit vullnetarë e mjekë japin falas ndihmën e tyre të çmuar. Dispanseria mjekon fëmijët e posalindur, që nuk kanë sigurimin shëndetësor nga shteti.

R. SH. - Vatikan

Familja e Dispanserisë së Shën Martës do të jetojë, pak ditë para Krishtlindjes, një çast gëzimi të madh. Në Sallën Pali VI nesër në mëngjes, para kremtimit të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku do të takohet me fëmijët dhe familjet e tyre si dhe me mjekët e vullnetarët. Vitin e kaluar, duke vizituar Dispanserinë, Ati i Shenjtë pati kujtuar se kur rri pranë fëmijëve, mëson shumë gjëra. Për ta kuptuar realitetin e jetës - pati theksuar me këtë rast Françesku - duhet të ulesh, siç ulemi për të puthur fëmijët. Ata, të vegjlit, na e mësojnë këtë! Krenarët, fodullët, mendjemëdhenjtë nuk mund ta kuptojnë jetën, “pikërisht sepse nuk janë të aftë të ulen”.

Në shërbim të fëmijëve e të familjeve

Historia e Dispanserisë së Shën Martës lidhet me vitet e pas Luftës I  Botërore. Ishte 8 maji i vitit 1922: Papa Piu XI e bekonte, në zemër të Vatikanit, këtë strukturë, për t’i ndihmuar fëmijët e varfër. Që nga ajo ditë Dispanseria, besuar Bijave të Bamirësisë të Shën Vinçenc de’Paolit, i ndihmon falas  fëmijët  e posalindur, që nuk kanë sigurim shëndetësor.

Familjet, që i drejtohen Dispanserisë, janë gjithnjë më të shumta e vijnë nga të katër anët e botës. Mjekët specialistë ofrojnë, me dashuri e përkushtim, shërbimin e tyre. Këtu shpërndahen edhe prodhime për  fëmijët, si qumësht pluhur, pelena, por edhe sende të tjera ushqimore për të gjithë familjen. Disa nga mjekët, që shërbejnë, janë në pension, të tjerët punojnë në spitale të ndryshme, duke ua kushtuar fëmijëve një pjesë nga koha e tyre e lirë. E nuk mjaftohen me mjekimim e fëmijëve, por shpesh edhe të prindërve të tyre.

Duar e zemra, në shërbim  të njerëzve të ligshtë

Motori që e vë në lëvizje Dispanserinë e Shën Martës, nuk është fitimi! Përkundrazi: është shërbimi falas, në një botë ku lajme të tilla tingëllojnë gati si të pabesueshme!

 

21 dhjetor 2019, 14:06