Kërko

Vatican News
Pal.lat.50, Lorscher Evangeliar, sec. IX Pal.lat.50, Lorscher Evangeliar, sec. IX  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Benedikti XVI për Shën Gjonin apostull e ungjilltar

Benedikti XVI flet për Gjonin, autorin e ‘Zbulesës’, që na zbulon kuptimin e gjithë historisë e cila, përndryshe, do të mbetej e pakuptuar: vegimtari i Patmosit i shkruan vegimet e tij të mëdha: themelor është vegimi i Qengjit të therur, që qëndron drejtë në këmbë, në mes të fronit, ku është ulur vetë Hyji. Jezusi, Biri i Hyjit, në këtë tokë është Qengj i pambrojtur, i plagosur, i vdekur. E megjithatë, qëndron drejt në këmbë, para fronit të Hyjit e merr pjesë në pushtetin hyjnor. Ai e ka në dorë historinë e botës.

R.SH. - Vatikan

Kisha persekutohet në të gjitha kohët, por edhe ngushëllohet gjithnjë nga Zoti: katekizmat e Benediktit XVI për Shën Gjonin apostull e ungjilltar. Kisha pëson persekutime në të gjitha kohët, por Zoti vijon ta mbrojë e ta ngushëllojë gjithnjë: këtë pohon Benedikti XVI në tre ligjërata katekizmi, kushtuar gjatë verës së vitit 2006 Shën Gjonit, Apostull e Ungjilltar, festën e të cilit Kisha katolike e kremton më 27 dhjetor.

Shën Gjoni Ungjilltar – pohon Papa Ratzinger – nuk është teorik: e takoi Jezusin, Zot të vërtetë e njeri të vërtetë, e këtë përvojë konkrete dëshiron t’ua komunikojë edhe të tjerëve. Ai është i pushtuar nga dëshira paradoksale për të bërë të dukshme të padukshmen, prandaj nuk mund të heshtë e të mos flasë për ç’ka parë e dëgjuar, edhe përballë atyre që e persekutojnë. Pikërisht kjo çiltërsi në dëshmimin e fesë, mbetet shembull për të gjithë ne e na kujton se duhet të jemi përherë gati për ta dëshmuar burrërisht bashkimin tonë të patundur me Krishtin, duke ia kundërvënë fenë çdo llogarie e interesi njerëzor.

Gjoni, me intuitë shkreptimtare, shpall se Zoti është dashuri, dashuri që Hyji e shprehu konkretisht në Jezusin. E Krishti nuk u mjaftua me fjalë, por kaloi nga fjalët, tek veprat, duke e paguar me kokë, impenjimin e tij, ashtu siç shkruan edhe Shën Gjoni: “Hyji e deshi aq shumë botën, dmth të gjithë neve, sa të dhuronte Birin e tij të vetëm (Gjn. 3, 16). E dashuria e Hyjit për njerëzit konkretizohet e dëftohet në dashurinë e vetë Krishtit. E Gjoni vijon të shkruajë: “Jezusi, pasi i deshi të tijtë që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit”. … Ja deri ku arriti dashuria e Jezusit për ne: deri në derdhjen e gjakut të vet për shëlbimin tonë! I krishteri, duke kundruar këtë provë të dashurisë, nuk mund të mos e pyesë veten se si duhet t’i përgjigjet.

Gjoni flet për urdhërimin e ri të Jezusit: ‘Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë. Kështu – nënvizon Papa Benedikti XVI - dashuria bëhet vërtetë e krishterë, sepse është dashuri për të gjithë, pa kurrfarë dallimi e edhe sepse arrin deri në pasojat më të skajshme, duke mos pasur masë tjetër, veçse mungesën e çdo lloj mase. Këto fjalë të Jezusit: ‘Siç ju desha unë’- na ftojnë e njëkohësisht na shqetësojnë: janë cak kristologjik që mund të duket i paarritshëm, por njëkohësisht janë edhe nxitje që nuk na lë të biem në plogështi, të kënaqemi me vetveten, por na shtyn të ecim vazhdimisht drejt këtij caku.

Papa Benedikti XVI flet për Gjonin, autorin e ‘Zbulesës’, që na zbulon kuptimin e gjithë historisë e cila, përndryshe, do të mbetej e pakuptuar: vegimtari i Patmosit i shkruan vegimet e tij të mëdha: themelor është vegimi i Qengjit të therur, që qëndron drejtë në këmbë, në mes të fronit, ku është ulur vetë Hyji. Jezusi, Biri i Hyjit, në këtë tokë është Qengj i pambrojtur, i plagosur, i vdekur. E megjithatë, qëndron drejt në këmbë, para fronit të Hyjit dhe merr pjesë në pushtetin hyjnor. Ai e ka në dorë historinë e botës.

E kështu vegimtari dëshiron të na thotë: “Kini besim në Jezusin, mos u trembni nga pushtetet kundërshtare, nga persekutimet. Qengji i plagosur e i vdekur fiton! Ndiqeni Qengjin Jezus, besojini Jezusit, merrni rrugën e tij! Edhe pse në këtë botë është vetëm një Qengj, që duket i ligshtë, ai është fitimtari! Papa na fton t’i ngjasim Gjonit, i cili mbështet kokën mbi kraharorin e Mjeshtrit gjatë Darkës së Mbrame: “Zoti na ndihmoftë të ulemi në bankat e shkollës së Gjonit për të nxënë mësimin e dashurisë, për ta ndjerë se Krishti na do ‘deri në fund të fundit’ e për ta shkrirë jetën për të".

27 dhjetor 2019, 11:32