Kërko

Vatican News
Atë Cantalamessa në Predikimin III të Kohës së Ardhjes Atë Cantalamessa në Predikimin III të Kohës së Ardhjes   (ANSA)

Atë Cantalamessa: kush imiton Marinë, vë në jetë Fjalën e Zotit

Në predikimin e tretë të Kohës së Ardhjes, atë Raniero Cantalamessa ndalet tek titulli “Nëna e Zotit”, që iu dha Marisë.

R. SH. - Vatikan

“Maria në Krishtlindje”. Kjo, tema e predikimit të tretë të Kohës së Ardhjes, mbajtur nga atë Raniero Cantalamessa, në Kapelën “Nëna e Shëlbuesit” të Pallatit Apostolik, në praninë e Papës Françesku. Pas predikimeve kushtuar Lajmërimit dhe Pasisë së Zojës, meditimi i tretë na vë për rrugë mbi gjurmët e Marisë, që na çojnë drejt Krishtlindjes. Predikatari i Shtëpisë Papnore u ndalua sot kryesisht tek titulli “Nënë e Zotit”, që i jepet Marisë. Është ky - nënvizoi -  titulli më i lashtë e më i rëndësishëm  dogmatik i Zojës, i shpallur si e vërtetë feje nga Kisha, në Koncilin e Efezit, mbajtur në vitin 431.

Maria e zu Jezusin më parë në zemër, me fenë e saj

Titulli “Nënë e Zotit” - shpjegoi atë Cantalamessa - është edhe sot e kësaj dite pikë takimi e bazë e përbashkët për gjithë të krishterët. Prej saj duhet nisur, për të kuptuar vendin që zë Maria në fe:

“Maria është Nëna e Zotit jo vetëm sepse e mbajti fizikisht në barkun e saj, por edhe sepse e zuri më parë në zemër me fe! Ne, natyrisht, nuk mund ta imitojmë Marinë në kuptimin e parë, por mund ta imitojmë në të dytin, që është ai i fesë. Vetë Jezusi e nisi këtë aplikim për Kishën, me titullin ‘Nëna e Krishtit’, kur deklaroi: ‘Nëna ime e vëllezërit e mi janë ata, që dëgjojnë Fjalën e Zoti dhe e vënë në jetë!”.

Ta pranosh Jezusin

Maria - vijoi të kujtojë atë Cantalamessa - bëhet Nënë e Jezusit duke e dëgjuar Fjalën e duke e vënë në jetë. Në planin shpirtëror, mund të provohen dy tipe  të ndërprerjes së amësisë:

“E zë në kraharor Jezusin, pa e lindur, kush e pranon Fjalën, por pa e vënë në jetë; kush vijon të pësojë aborte shpirtërore njëri pas tjetrit, duke bërë premtim pas premtimi për kthesë, por duke i harruar e duke i braktisur premtimet në gjysëm të rrugës; kush sillet ndaj Fjalës si vëzhgues i ngutur, që e shikon fytyrën e tij në pasqyrë e pastaj e harron menjëherë si ishte. Thënë me dy fjalë, kush ka fenë, por nuk ka veprat”.

Këtij rreziku i shtohet edhe një tjetër, akoma më i madh:

“E lind, përkundrazi, Krishtin, pa e pasë zënë, kush bën shumë vepra, edhe të mira, që nuk dalin nga zemra, nga dashuria për Zotin e nga ndjeti i mirë, por nga zakoni, nga hipokrizia, nga kërkimi i lavdisë vetjake e interesit vetjak, ose thjesht nga kënaqësia që i jep çasti, kur e bën veprën e mirë. Thënë me dy fjalë, kush ka veprat, por nuk ka fenë”.

Kur atëhere, mund të themi se jemi si Nëna e Krishtit?

“Jemi Nëna të Krishtit, kur e mbajmë në zemrën tonë e në korpin tonë, përmes dashurisë hyjnore e vetëdijes së pastër e të sinqertë; e lindim përmes veprave të shenjta, që duhet të shndrisin si shembull edhe për të tjerët… ‘Oh, sa gjë shenjte, sa e dashur, sa e këndshme, e përvuajtur, paqësore, e dëshirueshme mbi çdo gjë tjetër, është të kesh një vëlla të tillë e një bir të tillë. Zotin tonë Jezu Krishtin!’” (Shën Françeku i Asizit)

Mari, Bija e tënd Bir!

Maria është e vetmja në univers, që mund të thotë, duke iu drejtuar Jezusit, çka mund t’i thotë vetëm Ati qiellor: “Ti je im bir; unë të linda!”.

Shën Injaci i Antiokisë, me gjithë thjeshtësinë e tij, gati-gati pa u kujtuar në ç’përmasë po e projekton krijesën, thotë se “Jezusi vjen nga Zoti e nga Maria”. I thotë këto fjalë, siç themi ne për një burrë se është biri i filanit e i filanes.

Dante Aligheri  e quan: “Virgjër e Nënë, ti bija e tënd Bir”!

Vetëm titulli “Nënë e Zotit” mjafton për ta kuptuar madhështinë e Marisë e për t’i përligjur nderimet, që i bëhen. Ati vetë e nderoi Marinë, duke e bërë Nënë të Zotit. Asnjeri nuk mund të shtojë më asnjë fjalë!

Maria, dhuratë Zotit

Predikimi i Atë Cantalamessës përfundoi me një lutje të liturgjisë bizantine nga Mbrëmësoret e Natës së Krishtlindjes:

“E çka mund të të ofrojmë si dhuratë, o Krisht, Zoti ynë, që u duke mbi tokë duke marrë natyrën tonë njerëzore? Secila krijesë, që mori jetë nga duart e tua,  të dhuron diçka, për të shprehur mirënjohjen e pakufi: engjëjt  të dhurojnë këngët; qielli yllin; mbretërit dhuratat e tyre, barinjtë mrekullimin; toka një shpellë; shkretëtira një grazhd. E ne të dhurojmë një Nënë të Virgjër”.

20 dhjetor 2019, 12:56